Marash LOGU
Në 2 Prill, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve mbi Investimet (ICSID) pranë Bankës Botërore vendosi përfundimisht të lërë në fuqi vendimin për dëmshpërblimin nga Shqipëria të sipërmarrësit italian Becchetti dhe ortakëve të tij në vlerën 110 milionë euro. Megjithatë kryeministri Rama, ashtu si ministri i tij Ahmetaj në Mars 2020, vazhdojnë të përsërisin se nuk do të paguajnë kokërr leku, tashmë kanë filluar bllokimet në llogaritë e huaja të shtetit shqiptar. E vërteta është se pasi përdori mjetin e anullimit të vendimit, Shqipëria nuk duket të ketë mjete të tjera në dispozicion për kundërshtimin e vendimit sipas Konventës të ICSID. Ndërkohë, detyrimi vazhdon të rritet pandalur për shkak të kamatëvonesave.
Por, cilat janë arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi? Megjithëse, vendimi është 286 faqe dhe 914 paragrafë, në fakt arysyet kryesore që i krijuan bindjen Tribunalit ishin katër. Këto arsye do t’i shtjellojmë në vijim në mënyrë që çdo qytetar, i cili për mungesë kohë apo kuptueshmërie të gjuhës së ndërlikuar juridike nuk do ta lexojë vendimin e plotë, të kuptojë se cfarë konkretisht i kushtoi Shqipërisë 110 milionë euro.
Së pari, Tribunali pranoi se hetimet filluan nga një qeveri që ishte pranë një kanali televiziv konkurrent me kompaninë e Becchettit dhe kundër një kanali kritik me qeverinë (Agon Channel). Konkretisht, Becchetti dhe ortakët e tij arritën të provojnë para gjyqtarëve se qeveria kishte lidhje të ngushta me televizionin Top Channel. Si shembuj të këtyre lidhjeve të ngushta, ata sollën faktet se Ëngjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, kishte përfaqësuar si avokat Top Channel në një gjyq kundër Becchettit në Romë. Po, ashtu ish-drejtori dhe ish-zëvëndësdrejtori i këtij kanali u emëruan në detyra të rëndësishme, përkatësisht kryetar i Bordit të AMA dhe drejtor i IMT-së në Bashkinë Tiranë gjatë qeverisjes së Ramës.
Ndërkohë, sa i përket faktit që Agon Channel kishte një qasje kritike ndaj qeverisë, para panelit u paraqitën mesazhet kërcënuese të Erion Veliaj ndaj gazetares Sonila Meço për raportimet e dasmës së tij në Shtator 2014 dhe zbulimin e skemës së mashtrimit me kartat e identitetit që lejonte një person të votonte mbi 20 herë në zgjedhjet lokale të vitit 2015.
Së dyti, Tribunali pranoi si të vërtetë se në një takim të organizuar ndërmjet Becchettit dhe Ëngjëll Agaçit, ky i fundit i kishte deklaruar se për të kuptuar pse bizneset e tij po hetohen, ai duhet të bisedonte me Enkelejd Jotin, asokohe drejtor i përgjithshëm i Top Channel. Në Mars 2017, Enkelejd Joti do të zëvëndësonte në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të QSUT, Ogerta Manastirliun. Në të njëjtën bisedë, Agaçi e kishte “këshilluar” Becchettin se nuk është ide e mirë të kundërtosh qeverinë.
Së treti, Tribunali pranoi se proçesi penal, i filluar ndaj Becchettit dhe ortakëve të tij, kishte të meta të konsiderueshme. Gjithashtu, gjyqtarëve vërejti se Shqipëria kishte sinjalizuar sistemin e Interpolit për ndalimin e Becchettit dhe dy ortakëve të tij. Por, dy herë që Interpoli kishte kërkuar informacion mbi akuzat që mbështesnin urdhër-arrestet, nga shteti shqiptar nuk ishte dhënë asnjë përgjigje. Kjo solli fshirjen e urdhër-arresteve në sistemin e Interpolit në Prill 2017. Me interes është fakti se në pjesën përshkruese të veprimeve proceduriale del qartë se shteti shqiptar ishte me vonesë për përmbushjen e çdo detyrimi apo kërkesë ndaj Tribunalit. Vonesat u evidentuan nga palët paditëse dhe u kërkua që të mbaheshin parasysh në momentin e caktimit të dëmshpërblimit.
Së katërti, Tribunali konstatoi se në 9 Qershor 2015, menjëherë pasi doli urdhëri i sekuestrimit të televizionit Agon, kryeministri Rama shkroi në Twitter “Bllokimi i parasë së zezë që ushqente AgonCH një sukses!”. Po, ashtu Tribunali konstatoi se 8 ditë më pas, i ftuar në emisionin “Opinion”, kryeministri Rama deklaroi se “…ne do ta shkundim sistemin gjyqësor nga themelet”.
Deklaratat e kryeministrit në Twitter dhe Opinion, së bashku me provat dhe faktet e tjera, krijuan bindjen e Tribunalit se Becchetti dhe ortakët e tij ishin viktima të një fushate politike, me qëllim shkatërrimin e plotë të një kanali televiziv për të favorizuar konkurrentët e tij pro-qeveritar dhe për të shuar një zë kritik, që po fuqizohej me shpejtësi në tregun shqiptar.
Në fakt, arsyeja e katërt mbi të cilën u mbështet vendimi i Tribunalit është thelbësor për të kuptuar mentalitetin me të cilin kryeministri Rama ka qeverisur këto tetë vite. Me bindjen se Shqipëria nuk kishte nevojë për institucione të tjera përveç tij, dhe se ai vetë ishte kryepolic, kryehetues, kryeprokuror a kryegjyqtar, vendimet që në fakt i takonin organeve të drejtësisë, i shpallte vetë në Twitter a Facebook. Ndoshta në Afganistan a Siri, me të cilët renditemi krah për krah për nga numri i azilantëve, ky standard mund të jetë normal. Por, për tre gjyqtarët, nga presidenti nga Australia, dhe dy anëtarët nga Zvicra e Mbretëria e Bashkuar, ky standard ishte i papranueshëm.
Ndaj, e vetmja arsye që ka sot kryeministri për t’u krekosur, ndaj një vendimi që do bënte me turp çdo shtetar të përgjegjshëm, është autorësia e tweet-it më të shtrenjtë në botë, plot 110 milionë euro, në kurriz të qytetarëve të tij.