Thank you, Yuri Kim

Nga Red VARAKU

Deklarata amerikane që të gjithë po prisnim para zgjedhjeve në formën e sulmit ndaj pushtetit dhe mbështetjes për opozitën erdhi e plotë dhe e drejtpërdrejtë përmes ambasadores amerikane Yuri Kim.

Me një qartësi të dhunshme dhe përmes një komunikimi që nuk le hapësirë për ambiguitet dhe me një fjalor identik me atë të liderit të opozitës, në një intervistë në televizionin tonë shtetëror, ajo i ftoi shqiptarët të reflektonin dhe të votonin për ndryshimin.

Vendosmëria e saj shkoi deri aty sa për herë të parë sulmoi investimin më të madh amerikan dhe ndërkombëtar në vend, reformën në drejtësi duke e konsideruar SPAK një institucion pa kurajon e duhur për të luftuar krimin, që do të thotë në terma më të thjeshtë një institucion të kapur ose të paaftë.

Ky në fakt është një sinjal i madh për të gjithë ata që kanë veshë për të dëgjuar, sepse në rastin konkret ajo i hoqi mazhorancës dhe të vetmen kauzë të cilën ata po e shisnin si mbështetje ndërkombëtare dhe po mburreshin këto zgjedhje, pas asaj të rindërtimit dhe menaxhimit të pandemisë.

Në kuptimin politik kjo ndërhyrje e ashpër e ambasadores amerikane është një mbështetje e hapur për opozitën, e cila nuk ka ndodhur kurrë kaq hapur në historinë politike shqiptare 13 ditë para zgjedhjeve. Pas pluralizmit politik gjuha e ambasadorëve amerikanë ka qenë gjithmonë e përmbajtur para zgjedhjeve por kësaj here ishte e qartë dhe e drejtpërdrejtë në mbështetje të opozitës dhe kundër pushtetit.

Por, nëse ky qëndrim ishte befasues për shumicën prej nesh, ai në fakt ishte një qëndrim që pritej të ndodhte. Nuk duhet të harrojmë që kjo ambasadore u përzgjodh nga presidenti amerikan pikërisht një ditë para zgjedhjeve lokale që kjo mazhorancë ndërmori pa opozitën, në datën 29 qershor 2019.

Nëse do t’i referohemi tre çështjeve madhore për të cilat ajo u angazhua para senatit amerikan, institucionit më të lartë që merret me çështjet e politikës së jashtme amerikane, çështja e parë ishte zgjidhja e krizës politike shqiptare, që për kohën ishte një lajm i madh, sepse e pranonte krizën, ndërkohë që kriza mohohej si e tillë nga qeveria shqiptare.

Pra, për ata që duan të kuptojnë nuk kishte asgjë për tu habitur në qëndrimin e ambasadores amerikane. Qëndrimi i saj ishte i pritshëm dhe në vazhdën e axhendës së saj diplomatike për zgjidhjen e krizës politike shqiptare, për të cilën ajo kishte marrë dhe mbështetjen e Senatit dhe Presidentit Amerikan.

Ata që kanë pritur tjetër qëndrim kundrejt një regjimi tipik autokrat lindor si ky që ka instaluar kryeministri socialist, jo vetëm nuk e njohin diplomacinë amerikane, por nuk njohin thelbin e vlerave që SHBA beson dhe mbron.

Artikulli paraprakSalianji: Më pak se 2 javë dhe Shqipëria Fiton, programi do të zbatohet!
Artikulli tjetërAnila Bishqemi: Elbasanasit do të zgjedhin qeverisjen përballë dhunës së pushtetit