Trafiku i drogës drejt Italisë dhe Greqisë vijon pandërprerje, ndonëse policia shqiptare bëri të ditur para pak ditësh se kishte vendosur më shumë se 300 efektivë të saj për të patrulluar në kufirin detar dhe atë tokësor për të ndaluar këtë trafik. Dje u sekuestruan mbi 700 kg marijuanë në Itali dhe 48 kg në Greqi. Forcat e policisë italiane sekuestruan në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Bari, një sasi të madhe droge që kapte vlerën e 5 milionë eurove nëse do të dilte në treg.
Lënda narkotike sapo ishte zbarkuar nga një mjet lundrues me prejardhje nga Shqipëria identifikuar gjatë natës nga një helikopter i rojes bregdetare italiane. Pasi kishte mbërritur në tokë, ngarkesa e drogës është transportuar me automjet drejt një vile në komunën Torre a Mare në provincën e Barit.
Forcat italiane të rendit kanë ndjekur në fshehtësi tërë lëvizjet e transportimit të drogës e në orët e para të mëngjesit kanë arrestuar në flagrancë shtetasin italian, Renato Colasuonno, 64 vjeç, një trafikant i njohur droge dhe i dënuar më parë nga drejtësia italiane për vepra të ndryshme penale.
Ndaj tij rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe aktualisht gjendet në burgun e qytetit të Barit deri në pritje të procesit gjyqësor. Sipas informacioneve të para të policisë italiane, ky operacion antidrogë ka nisur pas mesnatës, kur helikopteri i Rojes bregdetare të Barit ka identifikuar në mes të detit mjetin lundrues me një person në bord e i ngarkuar me thasë të dyshimtë.
Forcat italiane të rendit kanë ndjekur në fshehtësi tërë lëvizjet e mjetit lundrues. Sapo ka mbërritur në tokë, lënda narkotike është transportuar në një vilë të braktisur në komunën Torre a Mare të provincës së Barit.
Italiani 64-vjeçar Renato Colasuonno është arrestuar në flagrancë, dhe mbi të rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të lëndës narkotike. I arrestuari ka treguar se, lëndën narkotike e kishte marrë në Shqipëri, ndërsa policia ka kapur edhe makinën ku italiani do ta ngarkonte kanabisin. Në treg marijuana e sekuestruar do të kapte vlerën e 5 milionë euro.
Ndërkohë, Policia shqiptare mohoi që gomonia me 700 kg marijuanë e kapur nga policia italiane në Bari të jetë nisur nga brigjet shqiptare. Në një deklaratë thuhet se, “gomonia është nisur nga brigjet e Barit dhe është kthyer sërish në Bari”. Policia e Tahirit po mundohet të mashtrojë opinionin publik, sepse ka qenë vetë trafikanti italian që ka deklaruar para hetuesve në Bari se drogën e kishte marrë në Shqipëri. Pak ditë më parë u ndalua një tjetër trafikant italian që po transportonte 300 kg kanabis nga Vlora. Në trafikun e drogës nga Shqipëria janë përfshirë edhe trafikantët italianë, të cilët e blejnë kanabisin në vendin tonë dhe e trafikojnë drejt Italisë.
VOA: Skafistët italianë në brigjet shqiptare për të tërhequr marijuanën
Sipas “Zërit të Amerikës”, marijuana shqiptare nuk po transportohet përmes hapësirës detare të Shqipërisë me Italinë vetëm nga skafistët shqiptarë, por edhe ata italianë. Operacionet e fundit të policisë italiane ndaj narko-trafikut po dëshmojnë veprimin e skafistëve nga rajonet e Puglias, Barit dhe Leçes në transportimin e sasive të mëdha të drogës nga Shqipëria.
Policia e Barit tha të martën se arrestoi në mesnatë një skafist 64 vjeçar italian të njohur edhe më parë për aktivitetin e tij me trafikun e drogës dhe të dënuar disa herë nga gjykatat italiane. Policia tha se, bllokoi 7 kuintalë marijuanë që në vlerën e tregut italian përllogaritej në mbi 5 milionë euro.
Droga sipas policisë italiane vinte nga Shqipëria dhe skafisti kishte arritur ta zbarkonte në breg duke e magazinuar në një shtëpi të braktisur. Sipas burimeve zyrtare italiane në operacion u përdorën edhe helikopterët ndërkohë që nga toka forcat policore e ndoqën skafistin me kamera termike që lejojnë shikimin gjatë natës, duke arritur ta arrestojnë. Edhe në Greqi policia njoftoi raste të reja të transportimit të narkotikëve nga Shqipëria. Rreth 50 kilogramë marijuanë u bllokuan në një mjet në afërsi të kufirit shqiptar nga policia e Janinës, ndërsa dy persona u arrestuan.
Operacion i madh antidrogë në Raguza, goditet rrjeti shqiptar
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ushtarët e komandos provinciale në Raguza kanë zbuluar një rrjet për shpërndarjen e drogës, i përbërë nga italianë dhe shqiptarë. Kreu i kësaj organizate është 29-vjeçari shqiptar Mirjan Ajdini, ndërsa krahu i tij i djathtë italiani Francesko Oro. Gjithsesj janë 21 personat e arrestuar, 16 prej tyre kanë përfunduar në qeli, ndërsa pesë të tjerë janë në arrest shtëpie. Disa prej tyre janë persona me preçedentë penalë dhe duhet të përballen me akuzën e shpërndarjes së kokainës dhe armëmbajtje pa leje. Hetimet kanë nisur në tetor të vitit 2015 nga policia italiane dhe në dhjetor të një viti më parë u arrestuan 14 shpërndarës droge që vepronin në lokalet e frekuentuara nga të rinjtë në Raguza.
Më tej falë përgjimeve, kontrolleve dhe ndjekjeve u arrit në kreun e kësaj organizate, e cila furnizonte klientë që vinin nga e gjithë provinca e Raguzës. Kreu i organizatës, shqiptari Mirjan Ajdini kishte dhe identitete të tjera si Arjan apo Emiliano. Ajdini kishte zhvendosur qendrën e shpërndarjes në vilën ku banonte, ndërsa kokaina vendosej në kavanozë qelqi që fshiheshin në oborr.
Bashkë me sasinë e drogës së sekuestruar, 1 kilogramë kokainë e pastër janë gjetur dhe 9 mijë euro cash. Ndër shtetasit shqiptarë të arrestuar si pjesë e këtij rrjeti dhe për të cilët është shqiptuar masa e arrestit janë edhe Lorenc Daiu 38 vjeç, i punësuar në blegtori dhe me precedentë penalë, Ferit Hoxholli 35 vjeç, i punësuar në ndërtim, me precedentë penalë, Hajdar Kaha 31 vjeç, tregtar, Elton Laraku 30 vjeç, i punësuar në blegtori, me precedentë penalë, Kujtim Malka 38 vjeç, i punësuar në ndërtim, Elis Rustami 30 vjeç, i punësuar në blegtori me precedentë penalë, Erjon Seferi 35 vjeç i punësuar në blegtori me precedentë penalë, Adenis Tosku 34 vjeç, i punësuar në blegtori me precedentë penalë, Dashnor Tosku 38 vjeç, i punësuar në blegtori me precedentë penalë. Ndërsa në arrest shtëpie janë dy shtetas shqiptarë, Klodian Kamberaj 37 vjeç, dhe Jessica Kaftirani 22 vjeç.