Hamit TAKA
Qytetaria është gjithmonë fitore, po ashtu edhe fitorja me votën e pastër të qytetarëve, që do të thotë të përqafosh shpresën, është qytetari. Të hysh në betejën elektorale, në një konkurencë të ndershmeme, me mjetet e metodat demokratike, për të arritur fitoren, është qytetari, ndërsa përdorimi i mjeteve dhe metodave jo demokratike, si shitblerje vote, frikësimi i votuesve për pushime nga puna, joshja me punësime në administratën e ardhëshme e deri te metodat e dhunshme të frikësimit dhe kërcënimit, nuk është qytetari; gjuha e qetë dhe elokuente që gjen jehonë në ndërgjegjen dhe zemrat e votuesve është qytetari, ndërsa gjuha e ashpër, me sharje, ofendime e përqeshje, nuk është qytetari; të argumentosh me fakte gabimet e mosarritjet e qeverisjes gjatë mandatit qeverisës është qytetari, të shash opozitën çdo ditë sepse evidenton para publikut mosrealizimet e programit me të cilin fitove mandatin qeverisës, nuk është qytetari; të pranosh ballafaqimin e dy liderëve të kampeve rivale, është qytetari, të mospranosh nuk është qytetari…
Mungesa e qytetarisë gjatë fushatës elektorale shkel parimet demokratike, nervozon e nxit konflikte, kurse shpalosja e programeve me kulturë e qytetari u jep kohën e qetësinë e duhur votuesve, për të njohur e krahasuar programet. Gjykimin dhe verdiktin e bën dhe e jep sovrani në kutinë e votimit. Të shembësh me votë modelet e vjetra dhe të fitosh me votën e pastër të qytetarëve, është qytetaria që do të na bëj pjesë e spektrit kulturor europian.
Çdo ditë flasim për kushtet jo normale të zgjedhjeve të 25 prillit nga shkaku i pandemisë akute dhe pasojave të saj. Të gjithë prisnim për këtë arsye një fushatë më të qetë, më të kontrolluar dhe më të ekuilibruar, por a ndodh kështu? Jo. Dhe balanca prishet nga pozita, jo nga opozita. Eshtë vërtetë e habitshme të shikosh se si pozita, e cila ka të gjitha avantazhet, pasi ka qeverinë, administratën shtetërore, ka tërë pushtetin vendor dhe administratën lokale të fryrë si tollumbace muajt e fundit, ka median dhe është aq agresive ndaj opozitës, e cila ka vetëm fjalën dhe një program të detajuar shpresdhënës. Dhe, e parë në këtë këndvështrim, spikat kontrasti i thellë mes dy shefave të pozitës dhe opozitës. Zoti Rama, ndonëse duket më konform rregullave të pandemisë, si përfaqësues i shtetit, është i pafre në sulmet, sharjet dhe fyerjet ndaj opozitës, duke përqëndruar kështu vëmendjen e votuesve, për të shmangur shpalosjen e programit, nga i cili unë ende nuk kam kuptuar gjë akomaq. Dhe kjo nuk është aspak qytetari. Kreu i opozitës, zoti Basha, ndonëse duket disi inkorrekt me rregullat e pandemisë, me qëllim për t’i dhënë pak entusiazëm dhe optimizëm opozitës, paraqitet shumë i qetë, i përmbajtur dhe nuk sulmon asnjë kundërshtar politik personalisht, as vetë kreun e qeverisë, mbi të cilin bie pesha e keqqeverisjes atje ku ekziston.
Pushteti i sotëm qëndror e lokal rreket të përjetësohet e të ngurtësohet, në varësi të ekipeve të militantëve dhe mercenarëve, që në këtë vend na i la peshqesh diktatura 45-vjeçare, të cilët ndërrojnë karriget apo padronët në varësi të interesave materiale të ofruara në tregun e këmbimit të ofiqeve në qeveri dhe administratë . Presioni i heshtur apo i hapur mbi mediat, mbi shoqërinë civile, pafuqia dhe përkuljet që ajo pëson, po rëndojnë në formimin e komunitetit të gjerë të shqiptarëve bashkëkohorë, të emancipuar nga pikëpamja e përgjegjësisë ndaj bashkësisë, qytetarë të përgjegjshëm të Shqipërisë dhe të Europës. Një media e kontrolluar, një shoqëri civile, që po tkurret nën peshën e falangave partiake e pushtetare, të cilat fshijnë çdo gjë që u del para, duke u bërë patericë e pushtetit, i kundërvihet demokracisë e qytetarisë për zgjedhje të lira e të ndershme Në një vend me tre milionë banorë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga pikëpamja e menaxhimit administrativ të territorit, për çdo demokraci të mirëfilltë, punët, arritjet progresive politike dhe ekonomike, do të kishin qenë krejtësisht të lehta për t’u përftuar, sikur drejtuesit politikë të këtij vendi, të kishin pasur formime ideologjike e politike, liberale dhe demokratike, të zhveshura tërësisht nga tradita komuniste e dyfaqësisë së sjelljes e të mendimit, të veprimit dhe të komunikimit politik. Për fatin e keq, pjesa e emancipuar dhe e qytetarizuar e shoqërisë sonë, me formim të mirëfilltë europian dhe perëndimor, vazhdon ende të jetë e reduktuar në masë, e paarritur në cilësi, jo mbizotëruese në opinion dhe në vendimmarrje, nën peshën e rëndë të mbijetesës sociale dhe familjare. Kjo mungesë nuk mund të mbulohet më me mjegullën rozë të propagandës së shfrenuar të mazhorancës.
Nëse nuk do të kemi edhe këtë herë zgjedhje të lira e të ndershme, Shqipëria jonë do të vazhdojë ngecjen në kënetën e vet të patharë postkomuniste, pa mundur dot të dalë në detin europian, pasi mbetet produkt i vizioneve të ndryshme që shoqëria jonë ka për të ardhmen e saj brenda gjirit të vet kaq heterogjen politiko-kulturor e social, produkt i konceptimeve krejt të kundërta mbi vendin real të Shqipërisë. Shqipëria, kështu siç është, pa u dekomunistizuar dha pa u dekriminalizuar, ka treguar në vazhdimësi se nuk ka forcë për t’u ndarë nga e keqja e saj.