Kisha thirrje qytetarëve: Mos e shisni votën, mos votoni kandidatë me të kaluar të dyshimtë

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë i ka paralajmëruar nëpërmjet një thirrjeje, qytetarët shqiptarë të mos bien pre e shitblerjes së votës në zgjedhjet e 25 Prillit dhe as të mos e japin atë prej kërcënimeve. Sidomos, të mos votojnë kandidatët me të kaluar të dyshimtë, por vetëm ata me integritet.

Kleriku katolik, Dom Gjergj Meta bëri një deklaratë për shtyp lidhur me këtë çështje duke theksuar:

“I papranueshëm është fakti që bashkangjitur blerjes së votës, është betimi mbi librin e shenjtë pasi është marrë para, mbi Biblën apo Kuranin. Betimi është i papranueshëm.

Dhe ata që kërcënohen me vendin e punë ta dinë se puna është fryt i meritokracisë dhe jo i partisë.

Nuk është rasti për të votuar kandidatë me të kaluar të dyshimtë. Ata duhet të jenë njerëz me integritet.

Këto janë disa pika, mund të ketë dhe të tjera, por ne duam të theksojmë që qytetarët të mos e shesin votën, të mos e japin duke u kërcënuar apo duke u shitur. Ne urojmë që në 25 prill secili të ushtrojë të drejtën e votës, që është e mira e përbashkët.

Ne kërkojmë që me ndërmjetësinë, Zonja e Këshillit të Mirë t’i ndihmojë të gjithë shqiptarët në këto momente”.

Artikulli paraprakRotacioni politik i 25 prillit, një realitet i pashmangshëm!
Artikulli tjetërPo sikur imuniteti i tufës të mos arrihej kurrë?