Zyrtari amerikan: Nuk e frenoni dot Korenë e Veriut!

Të bindësh Korenë e Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore është një “kauzë e dështuar”. Kështu është shprehur një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, duke shkaktuar shqetësime të mëdha ndërmjet Departamentit të Shtetit dhe Koresë së Jugut aleate, për një çështje tepër të rëndësishme dhe delikate të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur gjithmonë se nuk mund të pranojnë që Koreja e Veriut të kthehet në një vend me potencial armësh bërthamore. Nën drejtimin e presidentit Barack Obama, Washingtoni ka thënë se çdo formë bisedimi dhe negociate me Veriun mund të zhvillohet vetëm në kushtet që Penjani fillimisht të zotohet se do t’i nënshtrohet procesit të hapur drejt çarmatimit bërthamor.
Por teksa fliste përballë Këshillit të Marrëdhënieve të Jashme, drejtuesi i Inteligjencës Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, James Clapper sugjeroi se kjo politikë bazohej në shpresa. “Nocioni i bindjes së koreanoveriorëve për t’ju nënshtruar procesit të çarmatimit bërthamor është një kauzë e humbur. Ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Armët bërthamore janë karta e tyre sekrete e mbijetesës”, tha Clapper.
“Koreanoveriorët ndihen të rrethuar dhe janë tepër paranojakë. Ideja se mund të heqin dorë nga kapaciteti i tyre bërthamor, cilido qoftë ai, është e paimagjinueshme për ta”, shtoi ai. Komentet e Clapper reflektonin gjithashtu opinionin e shprehur prej kohësh të shumë ekspertëve të tjerë të çështjeve që kanë të bëjnë me Korenë e Veriut, por kjo është hera e parë që shqetësimet shprehen hapur nga zyrtarë të administratës së Shteteve të Bashkuara, të cilët ndjejnë se ka ardhur koha të ndërmerret një ndryshim drastik në politikën e ndjekur për Korenë e Veriut.
Ndërkohë që Clapper mund të ishte duke u përpjekur të gjejë mbështetje për dërgimin e menjëhershëm të sistemit të mbrojtjes raketore US THAAD në Korenë e Jugut, komentet e tij i shtojnë një tjetër zë profilit të lartë të debatit gjithnjë e më të nxehtë, mënyrës se si do ta trajtojë çështjen e Koresë së Veriut presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, e ka kundërshtuar pozicionin e Clapperit, duke theksuar se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e politikës së jashtme të administratës Obama në lidhje me Korenë e Veriut. Administrata është e vendosur që përmes sanksioneve më të egra financiare kundër regjimit, ta detyrojë atë të heqë dorë nga ndjekja e armëve bërthamore.
“Ne duam të vazhdojmë për të parë një çarmatim bërthamor të verifikueshëm të gadishullit korean”, tha Kirby. Kritikët e kësaj politike thonë se sanksionet dhe mosveprimi nuk ka bërë asgjë deri tani për të parandaluar shtysën e Koresë së Veriut drejt krijimit të armëve bërthamore që mund të kërcënojnë drejtpërdrejt territorin e Shteteve të Bashkuara.
Koreja e Jugut, e cila e ka mbështetur fuqimisht qëndrimin e egër të Shteteve të Bashkuara kundër Penjanit, theksoi gjithashtu se nuk do të ketë ndryshim të kursit të ndjekur. “Vendosshmëria, jo vetëm e Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo edhe e të gjithë komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut, është sot më e fuqishme se kurrë”, tha për “AFP” një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut.
“Ne do të bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtare për të imponuar sanksione akoma më të forta dhe për t’i bërë presion Veriut, derisa të mos ketë asnjë alternativë tjetër përveçse të nisë procesin e çarmatimit”, vazhdoi zyrtari. Edhe pse nuk ka pasur dialog zyrtar ndërmjet Washingtonit dhe Penjanit, janë zhvilluar takime të rregullta, diskutimet e ashtuquajtura Track 2 ndërmjet ish-diplomatëve të Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve të Koresë së Veriut, më të fundit në Malajzi fundjavën e kaluar.
Gjatë muajit korrik, Koreja e Veriut ndërpreu edhe kanalin e fundit të mbetur të komunikimeve diplomatike me Shtetet e Bashkuara në kundërpërgjigje të sanksioneve ekonomike kundër liderit, Kim Jong-Un. Koreja e Veriut është goditur me pesë grupe sanksionesh të miratuara nga Kombet e Bashkuara që pas testit të saj të parë të një pajisjeje bërthamore në vitin 2006.
Pasi Penjani zhvilloi testin e tij të katër bërthamor në muajin janar, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara adoptoi rezolutën e sanksioneve më të egra që janë miratuar ndonjëherë, duke vënë në shënjestër tregtinë e Koresë së Veriut të mineraleve dhe duke shtrënguar akoma më shumë kufizimet bankare. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit aktualisht po debatojnë për një rezolutë të re pas testimit të pestë bërthamor të Koresë së Veriut në muajin shtator. Sipas diplomatëve të Këshillit të Sigurimit, negociatat po përqendrohen në mbylljen e vakumeve ligjore dhe zhdukjen e industrisë së teknologjisë bërthamore dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut.

Artikulli paraprakTrump: Clinton na çon në Luftën e Tretë Botërore
Artikulli tjetërGarë mes sondazheve, Trump del përpara Hillary Clinton?