Garë mes sondazheve, Trump del përpara Hillary Clinton?

“The Indipendent”

Donald Trump është duke triumfuar në garën e ngushtë kundër Hillary Clinton për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara, sipas një sondazhi të ri, i cili ka qenë një nga parashikuesit më të saktë të tri zgjedhjeve të fundit presidenciale të Amerikës. Sondazhi i The Investor’s Business Daily/ TIPP ka shfaqur kandidatin republikan me një avantazh prej 2 për qind përpara kandidates demokrate, Hillary Cliton javën e kaluar.
Por vetëm disa ditë përpara votës kombëtare, Cliton kishte 95 për qind mundësi për të fituar sipas analizës së votës elektorale Reuters/Ipsos. Një tjetër sondazh i ri e nxirrte kandidaten demokrate me një avantazh 2-shifror kundrejt Trumpit. Analistët kanë thënë se rezultatet e sondazhit IBD/TIPP janë befasues. Statistikat që tregojnë se sa të saktë kanë qenë 11 sondazhe kombëtare gjatë tri zgjedhjeve të fundit amerikane e rendisin këtë sondazh në krye, por gjasat që kaq shumë sondazhe të tjerë të jenë tërësisht të gabuar janë të pakta.
Parashikimet e IBD/TIPP sugjerojnë se, Trump mund të sigurojë 42,1 për qind të votave, ndërsa Clinton mund të mbledhë vetëm 40,8 për qind. Sondazhi ka anketuar 783 votues potencialë. Këtu shfaqej mesatarja e një sondazhi gjashtëditor, me një marzh gabimi prej 3,6 për qind.
Pjesëmarrësit në sondazh u pyetën se si do të votonin në një garë presidenciale me katër kandidatë, ku përfshiheshin edhe Gary Johnson i Partisë Libertariane dhe Jill Stein i Partisë së Gjelbërt. Këto të fundit morën respektivisht 7 dhe 3 për qind të votave. Të dielën në mëngjes, Donald Trump postoi në Twitter një link që të çonte në rezultatet e këtij sondazhi. Kritikët kanë thënë se ai është duke i përzgjedhur sondazhet sipas rezultateve për të pretenduar një avantazh që nuk e ka. Ato që të befasonin më pak ishin trendet demokrafike të sondazhit të ri.
Sipas të dhënave të IBD/TIPP, Donald Trump ka rezultate më të mira se Hillary Clinton tek votuesit meshkuj (48 për qind me 34 për qind), tek votuesit me të ardhura më të ulëta (48 me 35 për qind), tek votuesit ruralë (60 dhe 22 për qind) dhe tek ata që identifikoheshin si fetarë. Clinton del përpara Trumpit ndërmjet votueseve femra (46 me 38 për qind), votuesve të moshë 18 deri në 44 vjeç (41 me 34 për qind), të pasurit (47 me 38 për qind) dhe ndërmjet investitorëve (48 me 38 për qind).
Clinton është përshkruar nga mediat e Shteteve të Bashkuara se po sillet sikur gara presidenciale është tashmë e fituar për të, ndërsa vetë Donald Trump ka pranuar se ky ishte “shansi i tij i fundit”. Prestigjiozja amerikane “New York Times” thotë se Hillary Clinton po punon shumë për të siguruar një fitore që do t’i siguronte asaj legjitimitetin e nevojshëm për mandatin e presidentit.
“Washington Post”-i raportoi: “E fuqizuar së tepërmi nga sondazhet që parashikojnë një fitore kombëtare të saj në garën presidenciale, Clinton po e transferon strategjinë e saj aty ku nevojitet për të ngritur njëri pas tjetrit të gjithë demokratët e tjerë”. Edhe pse të dhënat e reja sugjerojnë se, Clinton e ka marrë për të mirëqenë fitoren në mënyrë të parakohshme, ekspertët e sondazheve thonë se ka shumë pak gjasa që sondazhi i ri IBD/TIPP të rezultojë i saktë. Ka më shumë mundësi që sondazhet, të cilët e shfaqin Trumpin në avantazh kanë gabime statistikore apo projektimi.
Shumë gjëra mund të shkojnë keq gjatë një sondazhi dhe marzhi i gabimit tregon se në 95 për qind të rasteve vlera e vërtetë ndodhet brenda rrezes së mbuluar. Pesë për qind të rasteve sondazhet rezultojnë tërësisht të gabuar. Edhe dy sondazhe të tjerë e kanë shfaqur Donald Trumpin në avantazh gjatë dy javëve të fundit: Rasmussen dhe USC Dornsife/Los Angeles Times. Sondazhi USC/LA Times pritej në fakt të prodhonte rezultate të kundërta për shkak të metodologjisë së tij unike, rapoton “Huffington Post”.
Kërkuesit e këtij sondazhi pyesin se, “Cila është mundësia në përqindje që nëse ju votoni, do të votoni për Clintonin, Trumpin apo dikë tjetër?”, në vend të pyetjes së zakonshme “Për kë do të votoni?” që bëhet nëpër sondazhe. Ndërkohë, sondazhi Rasmussen shpesh anon më tepër në favor të republikanëve krahasuar me sondazhet e tjerë.
Disa kritikë spekulojnë se kjo bëhet qëllimisht, por mund të jetë edhe një rezultat i metodologjisë së automatizuar dhe të ngurtë të përdorur nga ky sondazh. Sondazhi i ri IBD/TIPP i ka befasuar veçanërisht analistët për shkak se ka rezultuar tepër i saktë në zgjedhjet e mëparshme presidenciale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se edhe sondazhet më të mira mund të bëjnë gabime.

Beteja presidenciale përqendrohet në Florida

Tani që kanë mbetur vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton po bëjnë fushatë në Florida, një shtet i rëndësishëm për të dy kandidatët në garën presidenciale.
Florida, në pjesën juglindore të vendit, është më i madhi ndër shtetet me një garë të fortë për zgjedhjet e 8 nëntorit. Ajo ka 29 vota elektorale, nga 270 të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara e zgjedhin presidentin çdo katër vjet nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor, një sistem që u jep më shumë ndikim në rezultatin e përgjithshëm shteteve me popullsi më të madhe, në vend të votës popullore.
Sondazhet në Florida tregojnë se ish-sekretarja e Shtetit Clinton, kryeson ndaj zotit Trump me rreth katër për qind në këtë shtet, ku deri tani kanë votuar rreth 1.6 milionë njerëz në qendrat e votimit të hershëm ose me postë.
Manjati i pasurive të patundshme Trump, që ka një shtëpi buzë oqeanit në këtë shtet, tha se është “ndoshta e vërtetë” që ai nuk mund të bëhet presidenti i 45-të i vendit pa fituar Floridën. Anketat tregojnë se ai është 5 për qind prapa zonjës Clinton në shkallë vendi. Ai është prapa edhe në shtete të tjera, ku zakonisht garat janë të paparashikueshme në favor të njërit apo tjetrit kandidat.
Zoti Trump ka bëtë fushatë në shtatë qytete të Floridës gjatë tri ditëve, duke u thënë votuesve se ai është përpara rivales Clinton dhe duke vënë në lojë anketat, që sipas tij, janë të manipuluara. Ai tha se mediat e vendit janë bashkuar me fushatën Clinton për të krijuar “zgjedhje të manipuluara”. Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë provë për parregullsi në votime.
“Mediat nuk janë thjesht kundër meje”, tha zoti Trump dje në një miting përpara simpatizantëve që brohorisnin në qytetin Saint Augustin. “Ata janë kundër të gjithë juve, janë kundër asaj që ne përfaqësojmë”.
Të martën, ai tha se reforma e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, e njohur gjerësisht si Obamacare, duhet të “shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë”. Qeveria ka njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 për qind vitin e ardhshëm.
Clinton ka bërë thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij.

12 shtete do të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve
Politika amerikane nuk i trajton të gjitha shtetet njëlloj gjatë fushatës presidenciale. Në ditët e fundit përpara ditës së votimit më 8 nëntor, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump janë fokusuar në një grusht të vogël shtetesh të ashtuquajtura “fushëbetejë” ose shtete të “lëkundura”, të cilat do të jenë përcaktuese në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Për vite me radhë, në Shtetet e Bashkuara ka patur ndarje të theksuara politike dhe shumë shtete, kanë anuar me njërën apo tjetrën parti gjatë zgjedhjeve.
“Në shumë shtete një parti ka një avantazh të fortë dhe nuk ka arsye për të shpenzuar shumë burime në atë shtet”, thotë Stephen Wayne, analist në Universitetin Georgetown.
“Prandaj ka rreth 12 shtete të ashtuquajtuara, ‘fushëbetejë’ apo ‘të lëkundur’, ku Trump dhe Clinton shpenzojnë shumicën e kohës”, thotë eksperti Jeremy Mayer, i Universitetit George Mason.
“Lista mund të ndryshojë nga viti në vit, megjithatë në tre ciklet e fundit zgjedhore ka qenë e pandryshuar”.

Shtetet e kuq, blu dhe të lëkundur
Shtetet e lëkundura që marrin më shumë vëmendje përfshijnë shtete të mëdha si Florida, Ohajo dhe Kolorado, si dhe më të vogla si Karolina e Veriut, Virxhinia, Ajoua, Nevada dhe Nju Hempshër. Zoti Mayer shton se votuesit në këto shtete marrin peshën më të madhe të publicitetit.
“Këto shtete janë shënjestra e gjithë debatit zgjedhor. Të dyja fushatat, në një vit normal kanë njerëz në terren, reklama televizive, telefonata në adresë të votuesve në këto 12 shtete”, thotë zoti Mayer.
Këtë vit fushata zgjedhore e zonjës Clinton po kërkon të bëjë histori duke shtrirë hartën garuese në shtete historikisht republikane siç është Arizona, Xhorxhia, madje dhe Teksasi.
Sondazhet tregojnë një garë mjaft të ngushtë në Arizonë, në veçanti. Por zonja Clinton ka shumë shanse të fitojë edhe në Xhorxhia e Teksas. Arizona ka votuar për herë të fundit për një demokrat në vitin 1996, ndërsa Teksasi mbështeti demokratin Jimmy Carter më 1976.

Rënia e votuesve të bardhë
Ndryshimet demografike kanë sjellë një sfidë në rritje për republikanët. Votuesit e bardhë përbëjnë rreth 70% të të gjithë votuesve në këto zgjedhje, ndërkohë që vendi vazhdon të jetë në proces diversifikimi. Më 1980 votuesit e bardhë përbënin 88% të elektoratit. Raporti “Cook Political” thekson se, më 1980 republikani Ronald Reagan mori 56% të votave të bardha dhe fitoi garën bindshëm. Më 2012, republikani Mitt Romney e përmirësoi këtë shifër. Ai mori 59% të votave të votuesve të bardhë, por humbi garën përballë presidentit Barack Obama me 4% diferencë.

Në shënjestër, të pavendosurit
Në ditët e fundit të fushatës, kandidatët do të shënjestrojnë një grup të vogël votuesish në disa shtete ku zgjedhjet janë në teh.
“Në fokus janë ata pak të pavarur”, thotë analistja e Universitetit “Amerikan”, Jennifer Lawless. Por nuk janë vetëm ata, është më pak se aq, janë ata pak të pavarur që jetojnë në shtetet e fushëbetejës. Pra, ne po flasim për një përqindje shumë, shumë të vogël të popullsisë”.
Amerikanët do të vendosin të zgjedhin mes dy kandidatëve në procesin zgjedhor më të debatuar në historinë amerikane. Fokusi mbetet tek një grusht shtetesh që me shumë gjasë do të jenë përcaktues për rezultatin.

Artikulli paraprakZyrtari amerikan: Nuk e frenoni dot Korenë e Veriut!
Artikulli tjetër16 mijë tonë karburante nuk u zhdoganuan në shtator