Sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri ose në Serbi paguajnë përqindjen më të lartë të taksave në raport me fitimin, nga të gjitha shtetet e tjera të rajonit dhe gjithë Europës Qendrore e Azisë. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e fundit të Bankës Botërore “Doing business 2017”, publikuar ditën e djeshme.
Bizneset shqiptare paguajnë 36.5% të fitimeve si taksa, ndërsa në Serbi ky tregues është pak më i lartë në 39.7%. Më i ulët ky tregues është në Maqedoni, me vetëm 13% të fitimeve të bizneseve që shkon për të paguar taksa, e ndjekur nga Kosova që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22.2% dhe Bosnja 22.6%.
Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin total të taksës, në përqindje ndaj fitimit, më të lartë sesa mesatarja e Europës Qendrore e Azisë, që është 33.8% dhe janë në nivele të krahasueshme me vendet e zhvilluara të OECD-së, që e kanë këtë tregues në 40.9%.
Sipas tabelave krahasuese të përpunuara nga raporti Doing Business 2017 i Bankës Botërore, Shqipëria, së bashku me Serbinë kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat.
Ndërsa Serbia ka nivele të larta taksash, ajo ka dhe të ardhura në buxhet që arrijnë në gati 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa Shqipëria me të njëjtat nivele taksash nuk mbledh më shumë se 25% të PBB-së. Edhe në vendet e zhvilluara të OECD-së, të ardhurat në buxhet mesatarisht janë në rreth 40% të PBB-së.
TVSH
Sipas një tabele të përpunuar nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%. Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve, si dhe transporti dhe akomodimi. Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%.
Taksa mbi korporatat
Ndërsa përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet.
Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.
Kontributet e paguara nga punëdhënësi
Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.
Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.
Megjithëse Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kontributeve të sigurimeve shoqërore në rajon, ajo ka dhe të ardhurat më të ulëta në buxhet, çka nënkupton që te kjo taksë kryhet dhe evazioni më i lartë. Taksa e punës sjell sot në buxhetin shqiptar të ardhura në nivelin e rreth 4-5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërkohë që mesatarja rajonale është 8-10% e PBB-së më e lartë.
Shqipëria dhe Bosnja kanë nivelin më të lartë dhe të përqindjes së kontributeve që paguhet nga punëmarrësi, përkatësisht 27% dhe 31%.