“Punësime për fushatë”, PD Vlorë kallëzim penal në prokurori për drejtorin e Ujësjellësit

Partia Demokratike Vlorë kallëzon në Prokurori drejtorin e Sh.A. Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Shkëlqim Leskaj.

PD e akuzon Leskaj se ka punësuar dhe vazhdon të punësojë në mënyrë të kundraligjshme individë në këmbim të votës për PS-në, duke anashkaluar çdo procedurë të parashikuar nga Kodi i Punës.

“Drejtuesi i Ujësjellës Kanalizime, kohët e fundit dhe deri ne momentet e këtij kallëzimi, ka punësuar dhe vazhdon të punësojë në mënyrë të kundraligjshme individë, duke anashkaluar çdo procedurë të parashikuar nga kodi i punës. Në dijenin tonë Drejtoria e Ujësjellës Kanalizime, këto rekrutime të këtyre personave, i bën duke marrë prej tyre premtimin që këta dhe familjarët e tyre do të votojnë në mënyrë të kushtëzuar subjektin në pushtet, Partinë Socialiste. Drejtuesi i Sh.A Ujësjellës Kanalizime Vlorë me veprimet e tij të mirëmenduara dhe mirëorganizuara që kanë qëllime elektorale ka kryer Punësime në këtë institucion pa asnjë kriter dhe në kundërshtim të plotë me Kodin e Punës. Pranë Ujësjellës Kanalizime Vlorë, në dijenin tonë, organika është e mbingarkuar nga punësimet elektorale”, tha në një deklaratë nga selia blu, një përfaqësues i PD.

“Në këtë mënyrë të përdorur nga drejtori i ‘Tërmetit’, duke punësuar pranë institucioneve shtetërore individë me qëllimin e garantimit të votës për subjektin politik në pushtet PS përbën vepra penale të Shpërdorimit të Detyrës dhe Korrupsioni Aktiv në zgjedhje parashikuar nga nenet 248 dhe 328 i kodit penal. Në këtë kallzim të drejtuar Prokurorisë së Rrethit Vlorë, Partia Demokratike Vlorë shpreh gadishmërinë e plotë, për të mbështetur Prokurorinë, gjatë këtij hetimi. Kërkojmë nga ky institucion të angazhohet seriozisht, për të ndalur shpërdorimin e fondeve publike si dhe të dërgoj përpara përgjegjësisë penale funksionaret publik që lidhen me këto abuzime”, shtoi ai.

Artikulli paraprak“Nuk vazhdohet më me Ramën”, Paloka paralajmëron largime të tjera nga PS e Durrësit: Fitore e thellë në 25 Prill!
Artikulli tjetërMeta: Do të publikoj prova, patronazhistët janë futur dhe te jeta intime e qytetarëve