Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje pas mbledhjes së Grupit parlamentar të PD se Rama ka deligjitimuar Parlamentin dhe se opozita po diskuton me të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë skenarët e mundshëm të reagimit në lidhje me këtë degradim të situatës.
“Po konsultohemi me aleatët, qytetarët, shoqërinë civile lidhur me qëndrimin tonë në raport me Parlamentin dhe përballjen me regjimin e narkotrafikut. Një vendim i përbashkët do të çojë drejt një aksioni të përbashkët dhe një aksion i përbashkët i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë, që refuzojnë krimin, që duan rikthimin tek ligji dhe jo kthimin e Shqipërisë në një Republikë hashashi nuk ka shans të mos kurorëzohet me sukses të plotë”, tha Basha.
Kryetari i PD paralajmëroi një përshkallëzim të aksionit opozitar gjatë ditëve të ardhshme, pasi tashmë Parlamenti është deligjitmuar dhe reformat dhe ligjet e miratuara prej tij janë bllokuar nga qeveria.
“Sa i përket pjesës tjetër, ne e konsiderojmë Parlamentin tashmë një organ të delegjitimuar dhe një organ, i cili qëndron si një kësulë mbi kokën e një shteti narkotrafikant.
Qëndrimet tona do të jenë të përshtatura me këtë konsideratë, jo vetëm tonën, por të shumicës së shqiptarëve për shumicën parlamentare. Qëndrimi ynë do të përshkallëzohet më tej si rezultat i konsultimit dhe vendimmarrjes së përbashkët, jo vetëm me anëtarësinë e Partisë Demokratike, por edhe me shoqërinë civile, me aleatët tanë politikë, me qytetarët anembanë vendit”, u shpreh Basha.
Basha ka përsëritur se vendi nuk do të ketë zgjedhje të lira me Ramën Kryeministër. “Partia Demokratike e konsideron të papranueshme faktin që prej muajit maj, depozitimit të platformës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria, Edi Rama jo vetëm ka heshtur, por praktikisht ka asgjësuar reformën zgjedhore. Sot qëndrimi ynë është i qartë, zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë”, tha Basha.
27 tonë drogë në vetëm 25 ditë
“Republika e Shqipërisë është shndërruar në një narkoRepublikë dhe shteti ka degraduar tërësisht”, u shpreh Basha duke bërë një bilanc të tonelatave të drogës të bllokuara gjatë muajit tetor. Rezulton se në këto 25 ditë janë bllokuar 15 tonelata drogë nga vendet fqinje, si dhe nga operacionet e Prokurorisë me Shërbimin Informativ.
“Në mbledhjen e grupit u diskutua për gjendjen e rënduar në vend, e cila ka ardhur në përkeqësim edhe gjatë kësaj jave. Unë, deputetët, demokratët, të gjithë së bashku jemi në një diskutim të vazhdueshëm, jo vetëm të brendshëm, por edhe me qytetarët shqiptarë, me aleatët tanë, me shoqërinë civile për temat kryesore që shënojnë jetën e çdo shqiptari. Përmes përkeqësimit, siç është ekonomia në krizë të vazhdueshme; siç është problem i madh i shëndetësisë që sa vjen e përkeqësohet ndërkohë që ryshfetet për klientët e Edi Ramës shtohen; siç ishte fasha e shtuar për Vilma Nushin që është treguesi i dështimit nga njëra anë i skemës së check up-it dhe nga ana tjetër treguesi më i qartë i skemës së vjedhjes dhe i dështimit të shëndetësisë falas.
Problemi i madh i maturantëve, i cili nuk mund të fshihet pas demagogjisë dhe propagandës ka lënë mijëra maturantë në një gjendje të papranueshme për Partinë Demokratike, për mua, për familjarët e tyre, për qytetarët. Ku pavarësisht punës së tyre, meritës së tyre, preferencës së tyre nuk kanë arritur të ndjekin degët që dëshirojnë, për shkak të skemës së korruptuar dhe hileqare të Edi Ramës, e cila pa asnjë transparencë iu mohoi përmes paaftësisë dhe zinxhirit burokratik që të shkojnë të studiojnë në atë degë që meritojnë dhe për të cilën kanë dhënë kaq shumë gjatë viteve të gjimnazit, gjatë viteve të shkollës së mesme.
Po pa dyshim temat kryesore kanë qenë temat e kriminalizimit dhe e drogës, e cila ka shpërthyer në të gjithë dimensionet e saj edhe gjatë javës në vijim. Shqiptarët, por jo vetëm edhe faktori ndërkombëtar e ka të qartë, se Edi Rama është në krye të një qeverisje që është bërë njësh me kartelin e drogës.
Vetëm gjatë muajit tetor dhe akoma pa u mbyllur tetori, Italia raporton të ketë kapur 7 tonë drogë.
Greqia ka kapur 5 tonë drogë. Vetëm këtu në Shqipëri sipas raportimeve të deritanishme janë kapur 15 tonë drogë, në operacionet kryesisht të drejtuara nga Prokuroria.
Pra, janë policia italiane, policia greke, Prokuroria shqiptare, vetëm qeveria e Edi Ramës e ka të pamundur të kapë drogë.
Dhe Edi Rama i del për zot drogës, aty ku janë kapur 26 tonë drogë, thotë 26 kile. Ç’është kjo nevojë që ndjen ky Kryeministër për t’i ardhur në ndihmë trafikantëve, për t’i justifikuar rezultatet e aksioneve, të cilat ndërmerren si rezultat i përkushtimit dhe integritetit të një grushti punonjësish të Prokurorisë apo edhe të policisë që vihen në funksion të operacionit?!
Kjo tregon degradimin e plotë të shtetit shqiptar, kjo tregon se me Edi Ramën, Republika e Shqipërisë është kthyer në një narkoRepublikë”, u shpreh Basha para mediave.
Basha: Beteja jonë parlamentare nuk ka kuptim
Kryetari i opozitës tha se tashmë janë bllokuar jo vetëm reforma zgjedhore, por edhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit. “Kjo është arsyeja përse nuk po ecet përpara me ligjin e dekriminalizimit. Pse nuk kemi asnjë person të vetëm, as Elvis Rroshin që nuk e di nëse ka mbetur njeri faqe globit pa e marrë vesh se çfarë është dhe çfarë përfaqëson. Asnjë person i vetëm nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe e gjitha kjo është pjesë e një skeme të madhe për të prishur dhe kapur zgjedhjet e ardhshme.
Ndaj beteja jonë parlamentare ka kuptim për aq kohë sa i jep zë aspiratës mbarë qytetare për dekriminalizimin, për luftën kundër drogës, për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për denoncimin me fakte konkrete të mizeries, të mjerimit ekonomik që është mbjellur kudo me pasoja në shëndetësi dhe në arsim”, tha Basha.
Vendimi i Kushtetueses i ndërmjetëm dhe i drejtë
– Pse bëhet opozita z. Basha pjesë e një institucioni të delegjitimuar, siç thatë ju për Parlamentin? A mendoni një skenar për t’u larguar?
Po diskutojmë të gjithë skenarët e mundshëm. Por ndërkohë ne do të përdorim hapësirën institucionale opozitare për të goditur me të gjithë forcën e argumentit, për të demaskuar me të gjithë zërin opozitar që i jep zë hallit, brengës, denoncimit, refuzimit, përballjes së qindra mijë qytetarëve. Së bashku me qytetarët do të vendosim se me cilën formë aksioni do të përballemi me këtë regjim narkotrafikantësh që e quan veten qeveria e Shqipërisë.
– Z. Basha, si e konsideroni qëndrimin e LSI, por fillimisht të shprehur nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani që situata është serioze për kanabisin dhe duhet angazhuar edhe ushtria? Z. Meta tha që janë shqetësuar edhe ndërkombëtarët për këtë.
Është një simptomë e gjendjes ku ndodhet vendi kur anëtarë të kabinetit apo bashkëdrejtues të mazhorancës detyrohen të pranojnë atë çka ne kemi thënë tashmë prej një viti, se Shqipëria është kthyer në një narkoRepublikë. Sepse çdokush që hesht përpara kësaj, shqiptar apo i huaj ka vetëm dy motive: indiferencën ose korrupsionin. Ose është indiferent dhe nuk i bëhet vonë për Shqipërinë ose është i korruptuar.
– Z. Basha keni idenë juve personalisht për t’u larguar nga Parlamenti?
Ne po diskutojmë, e diskutuam sot në grupin parlamentar, në aktivet e Partisë Demokratike, me aleatët tanë, me shoqërinë civile, me qytetarët të gjitha format e kundërvënies ndaj këtij regjimi narkotrafikantësh që e quan veten qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Gjithçka që po ndodh, shikoni të dhënat që kanë dalë para dy ditësh; mosrealizimi i të ardhurave, mosrealizimi i investimeve, gjendja ekonomike është derivat i kriminalizimit të plotë të vendit. Ne e paralajmëruam, ne luftuam, ne miratuam një ligj, ligji nuk u zbatua dhe nuk zbatohet sepse Edi Rama ka patur prej fillimit një plan, që ta hedhë lumin e krizës ekonomike, të papunësisë, të varfërisë, të emigracionit, që ka provokuar me keqqeverisjen e tij duke e kthyer Shqipërinë në një hambar droge.
Ndaj sot, jo vetëm unë, jo vetëm Partia Demokratike dhe opozita, por gjithë qytetarët duhet të reflektojmë e të vendosim së bashku se si do të përballemi me këtë regjim narkotrafikësh. Dhe padyshim një vendim i përbashkët do të çojë drejt një aksioni të përbashkët dhe një aksion i përbashkët i shumicës së dërrmuesve të shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë, që refuzojnë krimin, që duan rikthimin tek ligji dhe jo kthimin e Shqipërisë në një Republikë hashashi nuk ka shans të mos kurorëzohet me sukses të plotë. Dhe suksesi i plotë është largimi i Edi Ramës dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarëve t’u ofrohen alternativa reale të zhvillimit dhe punësimit. Dhe jo alternativa e vetme që ka sot Edi Rama që është drogimi i shqiptarëve, drogimi i fëmijëve të tyre.
– Keni një koment për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për “Vetting”-un që pezulloi ligjin?
Është një vendim i ndërmjetëm, ne presim vendimin përfundimtar. Pa dyshim si vendim i ndërmjetëm është një vendim i drejtë sepse i mohon Edi Ramës mundësinë që përmes qehajajve të tij, përmes drejtorëve të tij, të vendosë se cilët gjyqtarë dhe cilët prokurorë janë të korruptuar dhe cilët nuk janë. Sepse kjo nuk është ajo për të cilën shqiptarët dhe opozita luftuan dhe kulminuan me konsensusin e 22 korrikut. Pra, është një vendim që i hap rrugën zbatimit të Kushtetutës së 22 korrikut.