Tentohet vrasja e dy vëllezërve, dy makina përplasin motorin

Dy vëllezër janë arrestuar në Shkodër të akuzuar për tentativë vrasje, pasi u dhunuan dy persona duke i përplasur me makina. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në aksin Shkodër-Velipojë pranë fshatit Trush, ku u raportua për aksident. Sipas policisë, ngjarja nuk ishte aksident, por vrasje e mbetur në tentativë.
Dy vëllezërit Femih Gjorreta 23 vjeç dhe Admir Gjorreta 28 vjeç, të cilët drejtonin dy makinat përkatësisht një Mercedes “Benz” dhe një “Audi”, kanë përplasur një motor “Jamaha” me të cilën udhëtonin dy vëllezërit F.J 31 vjeç dhe A.J 19 vjeç.
Si pasojë e përplasjes së motorit nga dy automjetet, vëllezërit që udhëtonin në motor kanë përfunduar në kanal. Më pas, shtetasit që udhëtonin në automjete kanë zbritur dhe me mjete të forta kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, duke u shkaktuar dëmtime të rënda.
Aktualisht dy të plagosurit ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm për motive të dobëta. Ndërkohë, dy autorët Femih dhe Admir Gjorreta janë arrestuar, kurse janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë; G.GJ 32 vjeç dhe E.GJ 27 vjeç, të cilët dyshohen bashkëpunëtorë të autorëve.
Vidhet kasaforta e
Teqesë në Bulqizë
Teqeja e fsahtit Ballenj e Madhe në Bulqizë është grabitur nga dy persona të cilët janë ndaluar më pas nga policia. Sipas njoftimit të policies, të arrestuarit janë Mevlan Limani, 27 vjeç, lindur në fshatin Crruj të rrethit Mat dhe Man Doma, 59 vjeç, lindur në fshatin Plesh të rrethit Mat. Mësohet se ata kanë grabitur kasafortën me para që ndodhej brenda teqesë.
Arrestimi i tyre u bë pasi në Komisariatin e Policisë Bulqizë ka ardhur një telefonatë se është vjedhur me thyerje Teqeja e fshatit Ballenj e Madhe, Krastë- Martanesh. Menjëherë në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Bulqizë, ku falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në harkun kohor prej dy orësh, bazuar edhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, në aksin rrugor Krastë – Bulqizë, në qafën e Buallit kanë bërë bllokimin e një automjeti tip Benz që drejtohej nga shtetasi Mevlan Limani.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale kasaforta e Teqesë Ballenj e Madhe, mjeti dhe sharra e përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, vepër kjo e pranuar nga dy të arrestuarit.

Artikulli paraprakArrestohet shqiptarja me letra italiane të falsifikuara
Artikulli tjetërEksploziv përpara një lokali tek “Mine Peza” në Tiranë