Shqiptarët e majtë të rithemelojnë Partinë Socialiste

Nga Erl KODRA

Kur Dritëro Agolli mbante fjalimin e famshëm në Kongresin e 10-të të PPSH-së, shumëkush u ngazëllye nga guximi i tij për të thënë të vërtetën në zemër të një organizate terroriste siç ishte Partia e Punës. Fanatikët që e rrethonin shkrimtarin ishin gati ta hanin të gjallë, megjithse udhëzimet e krerëve të organizatës ishin të qarta – PPSH do të ndryshonte emrin, fjalorin dhe make up-in, por do të ruante strukturat dhe anëtarësinë.

Kështu “lindi” Partia Socialiste e Shqipërisë, një parti me rrënjë sllave, e themeluar nga dy figura kontraverse të komunistëve jugosllavë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç. Qysh në fillimet e aktivitetit politik dhe ushtarak të kësaj partie, komunistët shqiptar kryen krime të tmerrshme kundër popullsisë që nuk i mbështeste. Pushteti i tyre politik i ka themelet në terror dhe gjenocid kundër shqiptarve. Një sistem gjigand survejimi dhe një polici sekrete e frikshme, e varur direkt nga Partia e Punës kontrollonte çdo qelizë të shoqërisë shqiptare.

Disa qindra mijëra shqiptarë u internuan, me mijëra të tjerë u burgosën në kampe pune të detyruar, ndërsa rreth 6500 shqiptarë u vranë dhe u pushkatuan pa gjyq për shkaqe të pastra politike. Sipas të gjitha standarteve të civilizimit, kjo plojë nuk mund të quhet ndryshe përveçse krime kundër njerëzimit dhe gjenocid politik.

Havzi Nela ishte ndër viktimat e fundit të terrorizmit politik në Shqipëri, ku pas një gjyqi farsë, konfirmimi i dënimit me vdekje vjen edhe nga Kristaq Rama, ish anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kristaq Rama ishte babai i Kryetarit aktual të Partisë Socialiste, Kryeministrit Edi Rama.

Ky shkrim nuk ka për qëllim të përqëndrohet tek krimet monstruoze që e kanë shoqëruar këtë organizatë terrori, por tek nevoja uluritëse që në Shqipëri të themelohet një majte europianiste. Duam apo nuk duam, edhe Shqipëria duhet të ketë një Parti Socialiste, të shkëptur plotësisht nga trashgimia e PPSH-së, një e majtë që i dënon pa ekuivok krimet e komunistëve shqiptarë, krimet e Enver Hoxhës dhe krimet e Sigurimit të Shtetit. Përgjatë komunizmit nuk u vranë viça, derra apo dosa, por njerëz, bijë dhe bija nënash, gra, burra dhe fëmijë të kësaj toke. Shqiptarët e meritojnë një falje publike dhe reflektim të thellë, por edhe pastrimin e ndërgjegjes nga krimet sistemike, të kryera përgjatë 50 viteve në Shqipëri.

Qeniet humane janë të prirura të harrojnë të këqijat, vuajtjen dhe mjerimin, përndryshe njerëzimi do ta kishte të vështirë mbijetesën. Edhe shqiptarët u kapën pas jetës dhe zhvillimit ekonomik, duke u përpjekur të shohin përpara, pa i kuptuar mirë sfidat reale që i presin. Merreni me mend, Partia Socialiste nuk ngjante më me PPSH-në, nuk e kishte fuqinë për të vrarë, madje shpesh herë ngjante edhe demokratike, sidomos me retorikën e ish liderit Fatos Nano dhe ndonjë figure tjetër politike. Retorika e mirë është një armë që të shpërblen gjithmonë, dhe të majtët janë mjeshtër të propagandës.

***
Edi Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste në kohën më interesante të zhvillimeve politike brenda saj. Debati i ashpër politik që kishte nisur mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës nxori në pah atë çfarë ziente në PS-në e asaj kohe, ku lufta e klaneve brenda llojit ishte në kulm. Rama ndërkohë ishte fuqizuar ekonomikisht nga lumi i parave që vërshonte nga të katër anët, ndërsa kapte një e nga një pikat kyçe të lidershipit të partisë. “Një pallat, një votë” është fraza më reale që shprehë në mënyrë literale mënyrën e kapjes së Partisë Socialiste nga Edi Rama. Pjesa tjetër është histori, por një histori e gjatë e mashtrimit publik, politik, ekonomik dhe shoqëror të shoqërisë shqiptare. Zor se mund të gjendet në faqe të dheut një organizatë politike e ngritur mbi krim dhe mashtrim, siç është Partia Socialiste e Edi Ramës.

Po cilat janë shkaqet dhe arsyet që Partia Socialiste ra viktimë e një individi pa asnjë vlerë politike, as morale, as intelektuale si Edi Rama? Çfarë i detyroi të largohen njëri pas tjetrit figurat e Partisë Socialiste, një brez vërtetë premtues profesorësh dhe intelektualësh, shumë prej tyre të papërlyer me krimet e PPSH-së? Cila ishte ajo forcë që i detyroi t’i bashkohen Oswald Cobblepot-it shqiptar (Edi Ramës), Kryetar i Gotham City (Tiranës) në ndërmarrjen kriminale kundër shoqërisë shqiptare?

A nuk ishin mjaftueshëm të zgjuar për të kuptuar një keqbërës ordiner si ai? Apo u trembën nga retorika e lartë, që Edi Rama mëton se e zotëron në perfeksion? Si është e mundur që profesorët e Partisë Socialiste u dorëzuan njëri pas tjetrit, për t’i lënë vendin Taulant Ballës, Elisa Spiropalit, Rrahman Rrajës, Saimir Tahirit, Tom Doshit dhe Mark Frrokut me shokë? Si mund të dorëzohet kaq lehtësisht një parti politike tek krimi i organizuar dhe mafia ndërkombëtare? Apo në subkoshiencën e të majtëve shqiptarë ngjanë normale që të jesh pak vrasës dhe pak politikan, gjysëm hajdut dhe gjysëm orator?
Mjerimi shpirtëror që ka mbërthyer Partinë Socialiste është i paanë. Erion Veliaj, i projektuar si pasardhësi i Kryetarit Edi Rama, është kthyer në sinonimin e monstruozitetit.

Njësoj si mentori i tij, ai është i zhytur deri në qafë në të pëgërat e mafias së betonit. I paaftë dhe mediokër, ai mundet të rrotullojë nëpër gojë vetëm dy tre fjali steriotipe që të sjellin zorrët në grykë. Nëse Partia Socialiste ka mbetur në duart e Erion Veliajt, fatkeqësia nuk do të jetë vetëm për të majtën shqiptare, por edhe për Shqipërinë.

Ka diçka që nuk mund të injorohet më tutje. Shqipëria ka nevojë uluritëse për një të majtë europianiste, të shkëputur nga trashgimia komuniste e Enver Hoxhës, të shkëputur nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, dy individ të komprementuar në çdo aspekt të aktivitetit njerëzor. Partia Socialiste nuk ka nevojë për Tom Doshin, Mark Frrokut, Ulsi Manjën, Damian Gjiknurin, Saimir Tahirin, Elisa Spiropalin, Belinda Ballukun, Ilir Beqajn. Çdo ministër i qeverisë së Edi Ramës është i zhytur deri në grykë në krim dhe korrupsion çmeritues, çdo drejtor i tij është hajdut i miliona eurove, ndërsa çdo zyrë e shtetit shqiptar është kthyer në notere të mafias lokale dhe ndërkombëtare. Artan Lame – një individ që shitej si etalon i qytetarisë intelektuale – doli se është veçse një mashtrues dhe ushtar i Edi Ramës, pjesë e një sekti kriminal që ka asgjësuar ligjet vendit, prokurorinë, gjykatat dhe Kushtetutën e Republikës.

Unë e di se shumë shqiptarë janë të majtë, që për fat të keq kanë besuar dhe besojnë tek e “majta”. Po ashtu, janë me qindra inxhinierë, mjekë, pedagogë, profesorë dhe doktorë që janë formuar si të tillë, që kanë besuar tek vlerat e një të majte moderne. Nëse ata janë të kënaqur me Edi Ramën dhe Erion Veliajn, le të vazhdojnë të zhyten në batak së bashku, përndryshe, është detyrë e tyre, së pari kombëtare që të rithemelojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë. Mua nuk më dhimset e majta, por më dhimset Shqipëria. Dhe e majta i duhet Shqipërisë, jo karikatura e saj, mënxyra më e madhe që ka pllakosur këtë vend.

Të majtët që e duan këtë vend duhet të dinë përfundimisht se e majta shqiptare që njohim është mashtrimi më tragjik në faqe të dheut. Mund të ketë njëfarë mirkuptimi pse heshtën përgjatë viteve të terrorit komunist, por sot heshtja është e pafalshme. Atdheu nuk është vetëm për t’u mjelur, por edhe për t’i shërbyer.

Në ditë të tilla ndahet e mira me të keqen. Detyra e shqiptarve është të rrëzojnë Edi Ramën, ndërsa detyra e intelektualve të majtë është të rithemelojnë Partinë Socialiste. Fatet e vendit nuk mund të lihen më tej në dorë të individëve të paskrupullt, për më tepër një parti politike. Shoqëria njerëzore kështu funksionon – me parti të majta dhe të djathta.
Është koha që Partia Socialiste të rithemelohet nga shqiptarët.

2 157

3 95

Artikulli paraprakBasha nga Korça: Jemi 4 ditë para fitores tonë të madhe! Fitores më të madhe në historinë e Shqipërisë!
Artikulli tjetër4 ditë para zgjedhjeve, Sauku me PD, Tabaku mbështetje masive: Larg modelit të gënjeshtrave elektorale!