Zona e Saukut, që i përket Njësisë nr 2 në kryeqytet, është reshtuar në krah të Partisë Demokratike dhe kandidates për deputete të saj, Jorida Tabaku. Në një takim me qindra qytetarë, zonja Tabaku tha se banorët e kësaj njësie e kanë vuajtur për 8 vjet me radhë mbi kurriz keqqeverisjen dhe e kanë kuptuar se kjo qeveri i ka mashtruar për qëllime elektorale, ndërsa nga ana tjetër i kanë besuar programit të Partisë Demokratike.
“Kudo ku kemi shkuar na janë hapur dyert, kudo ku kemi shkuar kemi pasur mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme. Kemi pasur mbështetje të jashtëzakonshme, sepse ne kemi programin më të mirë, kemi ekipin më të mirë po më e rëndësishmja, do punojmë për ju, jo vetëm për zgjedhje.
Do jemi larg këtij modeli që vjen e u hedh një dorë zift sa herë që kërkojnë votën. Që vjen e i bie derës tuaj, vetëm kur ka hall politika jo kur keni hall ju, që kurrë nuk e gjetët një derë hapur në këto 8 vite, që u hoqën nga puna, që u mbyllën bizneset, që ju varfëruan, që i detyruan fëmijët tuaj të shkojnë jashtë e të dalin jashtë Shqipërisë. Sepse modeli që ata kanë sot nuk është për shqiptarët, mbas 25 prillit ne do kemi një model, që është për ju e për familjet tuaja e për shqiptarët”, deklaroi Tabaku.
Ajo u kërkoi pjesëmarrësve në takim që më 25 prill të votojnë për të ardhmen e familjeve të tyre, pasi këto nuk janë zgjedhje mes politikanësh, por kohë vendimtare për t’i dhënë fund një qeverie që s’ka punuar për njerëzit dhe për të zgjedhur një qeveri që qytetarët i ka në fokusin e saj.
Në 25 prill unë u kërkoj vetëm diçka, numrin 9, numri 9 për taksën e sheshtë 9 përqind, numri 9 për paga më të larta, për pensione më të larta, numri 9 për infrastrukturë, për rininë është më e rëndësishmja që ta mbajmë këtu, numri 9 për gratë e zonjat, numrin 9 për më shumë arsim, më shumë shëndetësi, numri 9 për familjet tuaja, numrin 9 që Shqipëria më në fund të përfundojë tranzicionin e të shkojë drejt një modeli, që ne e kemi nisur në 2005, po fatkeqësisht nuk e përfunduam dot, modelin e Integrimit Europian.
Më 25 prill mos votoni për askënd, për asnjë politikan, por votoni për xhepin tuaj, për familjen tuaj. Ky është qëllimi i kryeministrit të ardhshëm zotit Basha, ky është qëllimi i Partisë Demokratike, ky është qëllimi që ne do kemi çdo ditë të qeverisjes. Ka ardhur koha që Shqipëria të ndryshojë, prandaj dua t’u kërkoj edhe diçka të fundit. Dua tu kërkoj që këto 8 ditë që kanë mbetur të mos ndalemi asnjë minutë, të mos ndalemi duke kërkuar votën për numrin 9, të mos ndalemi duke folur me njerëzit, duke punuar me këdo, kudo që shkojmë edhe në punë edhe jashtë pune edhe kur blejmë bukën, edhe te berberi i lagjes edhe tek taksisti, kudo duhet të flasim për rëndësinë e ndryshimit.
Tabaku tha se një qeveri që punon për të gjithë është e vetmja mënyrë për të kthyer shpresën në një vend, ku një grup njerëzish u kanë vjedhur qytetarëve të sotmen dhe të ardhmen.
“Shumë nga ju sa herë u kam takuar na kanë thënë na ka ardhur deri këtu, na ka ardhur deri këtu se fëmijët po na largohen, nuk ka shpresë. Na ka ardhur deri këtu se nuk e shohim dot më të ardhmen këtu në Shqipëri, se nuk u ofrojmë dot mundësi, nuk ka punë, nuk u paguajmë dot tarifat e arsimit. Për këtë arsye ju kërkoj ta ndryshojmë, ju kërkoj ta ndryshojmë që çdo ditë të jemi me ju e t’i zgjidhim këto problemet e vogla me një qeveri normale, me njerëz normal se për këtë ka nevojë sot Shqipëria. Nuk ka nevojë as për gënjeshtra, as për propagandë, nuk ka nevojë as për fjalë shumë, ka nevojë për një qeveri që punon për njerëzit dhe ne do ta ofrojmë këtë model pas 25 prillit. Prandaj të përdorim çdo orë, çdo minutë që deri më 25 prill ne t’i kërkojmë votën kujtdo. T’ia shtrijmë dorën kujtdo, për qeverinë e ndryshimit, për qeverinë që do sjellë ndryshimin ashtu siç e solli në 92. Shumë faleminderit dhe fitore!
Zonja Tabaku u shpreh se Sauku ka bërë gjithnjë ndryshimin dhe se angazhimi familjeve të kësaj zone që reflektojnë energji e gëzim, janë shembulli më i mirë i fitores më 25 prill.