Kryetari i PD, Basha ka reaguar në lidhje me deklaratat e Ramës mbi situatën ekonomike në vend ndërsa ka renditur me shifra situatën dramatike që po kalon vendi ku mjerimi dhe varfëria sa vijnë e shtohen. “Vetëm Borati do të kishte kurajon të fliste për suksese të ekonomisë shqiptare. Por ja që kemi liderin global që e quan sukses faktin se sipas Bankës Botërore, 46.2% e familjeve shqiptare jetojnë me 5 dollarë në ditë, pra janë të varfra. Se konsumi ra 2.3% gjatë vitit 2015 dhe po kështu fuqia blerëse e shqiptarëve. Se papunësia u rrit edhe në tremujorin e fundit. Se në 2015 eksportet ranë 4.9%, importet ranë 1.4%. Se kreditimi në dhjetor 2015 ra 2.3%. Se qeveria nuk mblodhi, por vodhi 400 milionë dollarë taksa dhe akciza në vitin 2015. Se e rriti borxhin në 72.2% për palma, fasada dhe “Jaguarë”” tha Basha.
Kreu i PD thekson se programi i PD është e vetmja alternativë që do të nxisë rimëkëmbjen ekonomike dhe do të nxjerrë vendin nga kriza. “Kjo është kriza e ekonomisë shqiptare dhe e çdo familje të vendit. Por Borati jeton në sukseset e tij personale që janë qindra milionë euro për vete, që janë vilat, luksi e parajsat fiskale. Nuk ka përmirësim, por vetëm përkeqësim me këtë qeveri. Dalja nga kriza dhe një ekonomi e fortë që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët vjen përmes programit të PD: Taksa të ulëta, liri ekonomike dhe luftë krimit e korrupsionit qeveritar” u shpreh kreu i PD.