Disiplina spanjolle: Lojtarët e Barcelonës, simulues!

Komisioni Disiplinor i Futbollit spanjoll “tërheq veshin” e Barcelonës. Në vendimin e publikuar ku gjobit me 1500 euro Valencian për hedhjen e një shisheje në fushën e lojës gjatë takimit të kësaj fundjave, organi disiplinor i futbollit iberik vuri theksin edhe në atë që e cilësoi sjellje “qesharake” të futbollistëve blaugrana, të cilët simuluan në momentin që Neymar u godit. Replika e Barcelonës është e menjëhershme: “Nuk ju takon atyre të japin leksione morali”, shkruan klubi katalanas që tashmë është në një polemikë të hapur me Komisionin Disiplinor të Futbollit spanjoll.
Në vendimin e marrë, disiplina nuk justifikon veprimin e tifozëve të Valecias, duke e cilësuar hedhjen e shishes një gjest të dhunshëm. Gjithsesi, reagimi i disa lojtarëve të Barcelonës cilësohet si i “tepruar”, “ekzemplar” dhe qesharak. Në shënjestër mbi të gjithë është Luis Suarez, i cili u rrëzua në fushë sikur të ishte goditur ai nga shishja me një gjest të pastër simulimi. Federata nuk lë jashtë vëmendjes edhe klubin e Valencias që e përgëzon për mënyrën se si veproi për të identifikuar tifozin, i cili hodhi mjetin në fushën e lojës. Në rast se një episod i tillë përsëritet, atëherë “Mestalla” do të mbyllet për një ndeshje.

Artikulli paraprakXavi paralajmëron Runin
Artikulli tjetërUnited fiton derbin