Papritur e pamundura u bë e mundur: pasi presidenti Hollande para një muaji deklaroi, se do ta mbyllë vendfushimin e refugjatëve në Calais, administrata franceze papritur gjeti rreth 7000 vende strehimi për banorët në të gjitha rajonet e vendit. Për vite të tëra Parisi refuzonte t’i strehonte diku në kushte dinjitoze njerëzit, të cilët kishin ardhur këtu me shpresën për të vazhduar udhëtimin drejt Britanisë së Madhe. Kudo vendstrehimet janë të mbushura plot, kjo ishte përgjigjja.
Kampi ilegal, një shenjë e paaftësisë politike
E ashtuquajtura “xhungla” e Calais ishte rezultat i një politike indiferente migracioni të francezëve. Ky kamp tregonte dështimin e qeverisë Hollande, e cila prej paaftësisë politike i shmangej përgjegjësisë së saj. Kushtet në Calais njiheshin prej vitesh, “xhungla” e re gjigante në periferi të portit ishte krijuar, pasi ishte mbyllur një kamp i mëparshëm, pa u ofruar njerëzve një vendstrehim tjetër.
Këto slum-e refugjatësh ishin një njollë turpi. Në verë kutërbonte era e keqe dhe në dimër të mbyste balta. Por Londra dhe Parisi hiqeshin sikur nuk kishin të bënin me këtë. Britanikët i kishin spostuar në tokën franceze kontrollet e tyre – pra Franca duhej të kujdesej për njerëzit. Parisi nga ana e vet i konsideronte migrantët më shumë si një problem britanik dhe gjithashtu nuk bënte gjë. Vetëm fillimi i fushatës elektorale i vuri gjërat në lëvizje, sepse Fronti National radikal i djathtë e shfrytëzoi “xhunglën” me sukses si municion kundër qeverisë.
Kampi është një turp për Evropën
Britania e Madhe qysh në fillimin e krizës së refugjatëve u fsheh pas petkut të Kanalit të La Manshit. Si zakonisht nga Londra vinte solidaritet zero. Ndërsa Franca nuk guxonte të pozicionohej lidhur me politikën ndaj refugjatëve e frikësuar prej të djathtëve të vet radikalë. Ishte vetëm vëmendja e vazhdueshme e mediave që e ktheu “xhunglën” në një siklet politik, që nuk mund të injorohej më.
Për fat të keq kjo nuk është një histori, në fund të së cilës gjithçka do të bëhet mirë. Sepse migrantët do të shpërndahen në të gjithë Francën, pa e ditur, se si do të jetë e ardhmja e tyre. Ata nuk do të sqarohen për të drejtat e tyre dhe nuk ka asnjë premtim humanitar, veç premtimeve për disa javë qetësi në provincën franceze.
Shumë prej tyre pas disa muajsh do të kthehen sërish në brigje dhe do të përpiqen të largohen nga Franca. Të tjerë do të dalin menjëherë në ilegalitet përreth Calais, sepse nuk i kanë hequr ende shpresat për ta kaluar Kanalin e La Manshit. Jeta e tyre në strehimoret e reja në ilegalitet do të bëhet edhe më e vështirë se sa ka qenë në “xhungël”.
Çështja tani për tani është mbyllur
Qeveria franceze do të jetë e kënaqur, kur ta shmangë këtë vendfushim dhe t’i shpërndajë njerëzit në mbarë vendin. Ajo nuk e ka zgjidhur problemin e “xhunglës”, por vetëm e ka shpërndarë atë. Por për Parisin vlen motoja: larg syve, larg mendjes. Kur shtypi të ndalet së shkruari për katastrofën humanitare në Calais, atëherë ajo do të harrohet. Një politikë njerëzore dhe e përgjegjshme nuk është kështu.