Gjykata e Posaçme e ka konsideruar si të ligjshme arrestimin e dy komisionerëve, Narti Maru dhe Xhuliano Tota, pjesë e një subjekti politik në qytetin e Durrësit. Gazetarja Klodiana Haxhia raporton për “BalkanËeb”, se dy personat në fjalë, akuzohen se një ditë para zgjedhjeve, pra mbrëmjen e 24 prillit, kanë ofruar para në këmbim të votave. Gjykata vendosi detyrim paraqitje për dy komisionerët.
Njoftimi i policisë, në momentin që u arrestuan dy komisionrët:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për krimet zgjedhore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, shtetasit N.M., 37 vjeç, banues në Qerret dhe Xh.T., 23 vjeç, banues në Qerret, Durrës, përfaqësues të një subjekti politik
Shërbimet e Policisë nga informacionet e marra në rrugë operative se në një mjet tip “Passat” po kryheshin veprime të kundraligjshme kundrejt shit-blerjes së votës, në vendin e quajtur Bishti Kamëz, kanë ndaluar dhe kanë kapur në flagrancë dy shtetasit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 27 zarfë me nga 5 dhe 10 mijë lekë secili, që dyshohen se do të përdoreshin për blerjen e votës.
Gjithashtu gjatë kontrollit në mjet u gjendën fletë votimi të cikluara për një subjekt politik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.