Presidenti Nishani deklaroi dje gjatë një takimi me Misionin Faktmbledhës të KiE se, demokracia në Shqipëri është e rrezikuar nga kapja e drejtësisë dhe asgjësimi i votës së lirë nga krimi. Presidenti tha se ky është një rrezik, i cili duhet adresuar menjëherë dhe në mënyrë të prerë nga të gjithë aktorët e përfshirë dhe me asistencën ndërkombëtare.
“Duhet shmangur me çdo kusht kapja e këtij procesi dhe institucioneve që krijohen prej tij nga çdo grup interesi, pasi vetëm kështu do të arrihet zbatimi efikas i tij në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë”, tha Nishani. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Presidenti si një rrezik për demokracinë është rreziku që i kanoset votës së lirë dhe kapjes së zgjedhjeve nga krimi i organizuar. “Ka një rrezik që i kanoset institucionit të votës së lirë nga penetrimi gjithnjë e më i hapur i krimit në manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve”.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim bashkëreporterët e Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, të cilët po zhvillojnë një vizitë faktmbledhëse në Tiranë.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë si shtyllat bazë të misionit të tij, si dhe kontributin e këtij institucioni prestigjioz ndërkombëtar për përparimin e Shqipërisë në këto fusha.
Duke iu përgjigjur interesimit të bashkëreporterëve, kreu i shtetit ndau vlerësimet e tij mbi disa nga sfidat imediate të Shqipërisë, mbi të cilat varet edhe përparimi i vendit në procesin e integrimit evropian. Presidenti Nishani vuri në dukje ndryshimet kushtetuese të miratuara konsensualisht në Parlamentin shqiptar, përfshirë reformën e thellë gjyqësore, si procese shumë të rëndësishme për vendin.
Duke pohuar rëndësinë e përparimit të këtij procesi, si dhe domosdoshmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe miratimin gjithpërfshirës të paketës shoqëruese ligjore, Presidenti theksoi pritshmërinë e lartë që ka krijuar ky proces tek qytetarët shqiptarë.
Në këtë kontekst Presidenti Nishani theksoi se duhet shmangur me çdo kusht kapja e këtij procesi dhe institucioneve që krijohen prej tij nga çdo grup interesi, pasi vetëm kështu do të arrihet zbatimi efikas i tij në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kreu i shtetit vuri në dukje shqetësimin e thellë mbi rrezikun që i kanoset institucionit të votës së lirë dhe penetrimit gjithnjë e më të hapur të krimit në manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve.
Presidenti Nishani theksoi se ky është një rrezik eminent që i kanoset demokracisë shqiptare, i cili duhet adresuar pa humbur kohë dhe në mënyrë të prerë nga të gjithë aktorët, përfshirë asistencën nga partnerët ndërkombëtarë.
Presidenti Nishani shprehu gjithashtu shqetësimin e përsëritur mbi trajtimin me dy standarde që iu bëhet trajtimit të pronarëve të hershëm dhe të rinj në vend, si një akt që cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe krijon hapësira dhe mekanizma nxitës të korrupsionit, duke thelluar më tej plagët sociale dhe ekonomike që ka në vend në lidhje me këtë çështje thelbësore.
Po kështu, duke iu bashkuar shqetësimit të të persekutuarve politikë prej regjimit komunist, të shprehur përmes shoqatave të tyre të përfaqësimit, kreu i shtetit solli në vëmendje mungesën e përparimit në plotësimin e angazhimeve që ka marrë Shqipëria në kuadër të dy rezolutave të miratuara nga Këshilli i Evropës në vitet 1996 dhe 2006, mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe domosdoshmërinë për t’i adresuar menjëherë ato me vendosmërinë dhe përmasën e merituar.
Përgjigjja për “Vettingun” në dhjetor
Opinioni i Komisionit të Venecias për çështjen e “Vettingut” nuk do të mbërrijë përpara mesit të muajit dhjetor.
Zyra për marrëdhëniet me jashtë në Komisionin e Venecias ka sqaruar se opinioni për ligjin e “Vettingut” mund të miratohet gjatë sesionit të dhjetorit.
Komisioni i Venecias nuk është njohur ende zyrtarisht me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, por e kemi mësuar këtë nga media. Me shumë mundësi ne do të miratojmë opinionin tonë mbi këtë Amicus Curiae gjatë sesionit të 9 dhe 10 dhjetorit të këtij viti.
Dy ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendoi pezullimin e ligjit të “Vettingut”; por bashkë me këtë vendim 8 gjyqtarët ranë dakord që t’i drejtohen Komisionit të Venecias para se të shpallin nëse ky ligj është apo jo në përputhje me Kushtetutën.
Burime pranë gjykatës sqarojnë se kërkesa në Venecia do të niset sapo të përfundojë përkthimi në anglisht; me shumë mundësi brenda kësaj jave. Tashmë fati i ligjit të “Vettingut” dhe njëherësh i gjithë reformës në drejtësi varet nga opinioni i Komisionit të Venecias; pasi skanimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është në themel të kësaj reforme.
Për këtë arsye në reagimin e tyre të parë pas vendimit të Kushtetueses, ambasada amerikane në Tiranë dhe delegacioni i Bashkimit Europian theksuan se referimi i draftit në Komisionin e Venecias duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, për të parandaluar çdo vonesë.