Qeveria shqiptare ka transferuar 40 milionë euro nga paratë e buxhetit të shtetit, të cilat duhej të përdoreshin për rindërtimin, te qytetarët e ndryshëm përpara zgjedhjeve, me qëllim blerjen masive të votave.
Skandali i denoncuar nga MCN nxjerr në dritë operacionin më të madh të tjetërsimit të votave nga qeveria e Edi Ramës.
Sipas gazetarit Klodian Tomorri, gjithçka ka ndodhur nën hundën e opozitës dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Baaaang ekskluzive.
Ndërkohë që opozita shëtiste autokolonën nëpër Shqipëri me ëndrrën euforike se do fitonte zgjedhjet, nën hundën e saj dhe vëzhguesve ndërkombëtare, Rama organizoi një nga operacionet më të mëdha për ndikimin e votës në shkallë të gjerë përmes parave. Jo me para informale, por drejtpërdrejtë me paratë e buxhetit.
Në mars dhe prill qeveria transferoi 40 milionë euro kesh në llogaritë e mijëra familjeve në Durrës, Shijak, Tiranë, Kamëz, Vorë, Rrogozhinë, Lezhë si grante rindërtimi. Në Durrës, mijëra familjeve, paratë iu derdhën në llogari nga thesari vetëm 3 ditë para zgjedhjeve”, shkruan ai.