Dy protesta janë zhvilluar dje në Fier kundër fabrikës së përpunimit të plehrave. Banorët e Plykut që në orët e para të mëngjesit kanë dalë në protestë, për të kundërshtuar ndërtimin e një fabrike të përpunimit të plehrave afër shtëpive të tyre të banimit. Për rreth një gjysëm ore, ata bllokuan dhe aksin Fier-Ballsh dhe paralajmëruan se do të përshkallëzojnë protestat, nëse nuk anulohet ndërtimi i landfillit të përpunimit të plehrave. Vetë banorët e fshatit thonë se, e kanë marrë vesh një fakt të tillë, kur disa përfaqësues që ata i konsiderojnë të komunës kanë vajtur nëpër banesa dhe u kanë kërkuar çertifikatën e pronës. Dhe në momentin, kur kanë hasur në rezistencën e banorëve janë larguar.
Një qytetar u ankua përpara kamerave të televizioneve lokale se, vendi i përzgjedhur është vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. “Shtëpia ime nga vendi ku duan ta ndërtojnë është vetëm 50 metra larg. Pse mua do ma sjellin erën e kërmës te dera e shtëpisë? Po nuk do ta lejojmë ne këtë punë”, thotë një qytetar i revoltuar.
Banorët shprehen se, ndërtimi i fabrikës për djegien e plehrave do të rëndojë në shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre. “Ka hyrë në vijë të verdhë të qytetit që të helmohen të gjithë. Ne patëm një Azotik aty dhe na helmonte herë pas here, edhe bënë mirë që e shkatërruan. Por ama, jo të na sjellin helme të tjera”, thotë një banor. “Gjynah për këta fëmijë, është trashëgimi toka. Na vjen keq, i kemi vërselit ata ullinjtë, me këtë tokë ushqehemi”, thotë një banore.
“Siç jemi këtu do të ngrohemi gjatë gjithë kohës, do të bëjmë protesta nga më të ndryshmet që Këshilli Bashkiak dhe të tërë ata zotërinjtë që janë zgjedhur atje dhe që tallen me këtë popull të marrin një vendim të drejtë në drejtim të këtij komuniteti”, thotë një banore. Një tjetër banor thotë se e ndan gardhi me plehrat.
Banorët e Plykut thonë se, përveç helmit nga mbetjet, janë të shqetësuar edhe për çështjen e shpronësimeve. Bashkia u ka premtuar shpronësim, por pa u dhënë informacion konkret për vlerën që do u ofrohet. “Na kanë thënë që hajdeni dhe merrni lekët e tokës se do të çojmë plehrat, qelbësirat, pa dijeni”, shprehet një banor.
“Pse tani u kujtuan këta, a kemi a s’kemi ne çertifikata pronësie”, shprehen banorët që thonë se do të vazhdojnë protestat e tyre dhe nuk do të lejojnë ndërtimin e impiantit të përpunimit të plehrave aty.
Banorët e fshatit Plyk ku jetojnë mbi 500 familje, kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave derisa të anulohet projekti për ndërtimin e landfillit.
Edhe banorët e fshatit Mbyet në Fier kundërshtojnë ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë. Banorët kërkojnë të informohen mbi impaktin që do ketë në shëndetin e tyre ky impiant. Banorët kundërshtojnë projektin dhe nuk pranojnë të lirojnë tokat e tyre, pasi vendi ku do ndërtohet fabrika është afër banesave të tyre. “Nuk do të lejojmë që mbetjet të vijnë në zonën tonë”, thonë banorët.
Ndërkohë Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Fierit, kanë sqaruar se përveçse do prodhohet energji me kosto zero nga riciklimi i mbetjeve, do të shmanget dhe emergjenca mjedisore nga djegia e mbetjeve në ambiente të hapura në zonë. Gjithashtu Bashkia ka sqaruar se impianti nuk ka lidhje me importin e mbetjeve, por do të përpunojë vetëm plehrat e zonës.
R.POLISI