Paloka: Dosja do të çohet në Strasburg nëse drejtësia nuk do të vendosë në vend vullnetin e shqiptarëve

Në mënyrën më çnjerëzore u përdor edhe pandemia apo vaksinimi. PD grup pune për…
Partia Demokratike nuk mund ta sjellë ndryshimin që u premtoi shqiptarëve përmes zgjedhjeve të 25 prillit, por Edi Paloka beson se, pavarësisht tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, në një formë apo në një tjetër ky ndryshim do të vijë shumë shpejt.

Edi Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare” se, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha zhvilluan një fushatë të shkëlqyer, pro-evropiane, por besuan se mbështetja e madhe e qytetarëve në mbarë vendin dhe fryma e fitores “do i përmbyste të gjitha manipulimet e “rilindësve”.

Nënkryetari demokrat bën me dije se, PD nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve, ndërkohë që flet për “dosjen e zezë” të manipulimit të 25 qershorit. Edi Paloka shprehet se një grup pune është ngritur në PD dhe po sistemon të gjitha provat dhe materialet që disponojnë për manipulimin e zgjedhjeve. Ai paralajmëron se: “Ne do të ndjekim të gjithë hapat proceduralë dhe ata ligjorë. Deri në Strasburg do të çohet ajo dosje nëse drejtësia shqiptare, e kapur siç është, nuk do të vendosë në vend vullnetin e shqiptarëve. Zgjedhjet nuk kanë mbaruar! Ato mbarojnë kur mbyllen të gjitha procedurat dhe ne do i shkojmë deri në fund”.

Zoti Paloka, PD-ja u premtoi shqiptarëve ndryshimin, por kjo betejë dështoi, pavarësisht se Lulzim Basha bëri një fushatë të qetë evropiane dhe me premtime ambicioze. Për cilat arsye nuk ia doli dot?

Shqiptarët e kërkonin ndryshimin! E kërkojnë ndryshimin! E ne u angazhuam të gjithë për ta sjellë ndryshimin. Vetëm një pakicë ishte dhe është kundër ndryshimit, por, për fat të keq, kundër vullnetit të shumicës së shqiptarëve, deri tani kjo pakicë ia ka dalë të imponojë me të gjitha mënyrat, vullnetin e saj, vullnetin e pushtetit të lidhur me krimin dhe oligarkinë.

Konkretisht, për cilat arsye nuk ia doli dot Lulzim Basha?

Në fakt, ne u angazhuam e besuam të gjithë se, pavarësisht gjithë formave të manipulimit që përdori Edi Rama, në fund dëshira për ndryshim dhe fryma që u ngrit si një dallgë që rritej me afrimin e ditës së zgjedhjeve, do të përmbyste çdo manipulim, çdo presion apo joshje të pushtetit. Ne u ndeshëm me shtetin, i cili vuri në shërbim të Rilindjes gjithë pushtetet dhe asetet e kontrolluara sot nga Rama, përfshi policinë dhe drejtësinë. Ne i kemi denoncuar me kohë të gjitha aktet e ndërmarra nga Rama për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe deformimin total të vullnetit të shqiptarëve.

…Ku e ka zanafillën?

Kjo histori ka filluar që me ndryshimin e Kushtetutës, prishjen e koalicioneve, prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, ndryshimet pa konsensus të Kodit Zgjedhor, dhe vazhdoi me gjithë aktet e tjera të kundërligjshme gjatë fushatës elektorale. Skandali i “patronazhistëve” që, duke përdorur asetet e shtetit, kontrollonin jo vetëm të dhënat, por edhe vetë jetën e qytetarëve shqiptarë, në funksion të marrjes së votës. Patronazhistët e Ramës, si dikur Sigurimi i Shtetit, kanë regjistruar çdo të dhënë, nevoja apo dobësi të individëve dhe familjeve, që pastaj t’i përdornin (siç bënë) për t’iu marrë votën me joshje apo shantazhe. Ky është një krim dhe skandal i përmasave ndërkombëtare. Po nuk ishin vetëm këto. Unë e kam konsideruar fushatën si një përplasje mes dritës dhe errësirës! Ne bëmë një fushatë të shkëlqyer; të lodhshme, por serioze, qytetare e të ndershme! Dolëm e takuam njerëzit, i dëgjuam, dëgjuam problemet dhe sugjerimet e tyre. Shpalosëm programin tonë dhe morëm angazhime konkrete për zgjidhjen e problemeve. Dhamë shpresën për ndryshim e morëm besim! Në krahun tjetër ishte errësira, jo vetëm në kuptimin figurativ, por edhe atë real. Kundërshtarët nuk kishin asnjë program për të paraqitur dhe as nuk dëgjonin se çfarë kishin për t’iu thënë njerëzit.

Kur për efekte propagandistike ishin të detyruar të zhvillonin takime gjatë ditës, shoqëroheshin me forca policore, sepse disa herë banorët ose i shanin gjatë takimeve, ose i përzinin fare nga zonat e tyre. Por gjatë natës, në errësirë, fillonte “fushata” e vërtetë e tyre…

Për tetë vite, vetëm grabitën dhe nuk bënë asnjë punë. Gjatë fushatës angazhuan gjithçka, për të mashtruar edhe një herë njerëzit se gjoja po bënin punë. Edhe pse e ndaluar me ligj, sajuan tenderë e u sulën natën të mbushnin gropa rrugësh, të hapnin kanale, të rregullonin drita e ujë… sigurisht, sa për sy e faqe. Punë që nuk i kishin bërë në 8 vite donin t’i bënin në 8 ditë dhe në mënyrë të kundërligjshme.

Punësuan, po ashtu në mënyrë të kundërligjshme, gjatë fushatës në administratë, mijëra vetë për 2-3 muaj me ose pa kontrata fare.

Përdorën paratë e tërmetit për blerje votash! Në këshillat bashkiakë të Durrësit, Krujës e Shijakut (e siç rezulton sot edhe në bashkitë e tjera) u morën vendime gjatë fushatës dhe ditët e fundit të saj për shpërndarjen e parave edhe te familje që nuk kishin fare dëmtime si dhe u ndryshuan brenda një dite vendimet e specialistëve për dëmtimet në banesa, duke i kthyer nga DS1 apo DS2, në DS3 e DS4 (pra duke shtuar dëmshpërblimet deri në 5 milionë lekë). Plot 40 milionë euro rezulton të jenë hedhur vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve, të gjitha në funksion të blerjes së votës qytetare. U shpërndanë, po në mënyrë të paligjshme, qindra e qindra certifikata legalizimesh. Arriti puna që deputetët e “Rilindjes” shkonin vetë në Kadastër e nga zyrat e Kadastrës iu jepnin letrat qytetarëve. Tanimë është bërë publik fakti që kjo ka ndodhur me urdhër të Ramës dhe Ballukut.

Në mënyrën më çnjerëzore, u përdor edhe pandemia apo vaksinimi. Kandidatë të “Rilindjes” (njëra prej tyre dhe mjeke), pa skrupuj fare, telefononin të moshuarit dhe duke iu përmendur se kush ishin, i njoftonin se “ishin përzgjedhur” (ky ishte termi i përdorur) për të bërë vaksinën. Kuptohet që, “fatlumët” e përzgjedhur, pas kësaj duhej t’i ishin mirënjohës “Rilindjes” e të votonin në shkëmbim të jetës! E gjithë administrata, me ose pa dëshirë, u kthye në detashment elektoral për PS-në dhe shumica e drejtuesve të tyre ishin dhe personat që realizuan shitblerjen e votës me para në dorë. Krimi dhe trafikantët nuk munguan as këtë herë në apelin e “Rilindjes”, po u aktivizuan hapur në blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve të djathtë! Qytetarët denonconin te PD individët që natën, pas orës policore, dilnin e shpërndanin paratë në këmbim të votave apo në këmbim të kartave ID.

Çfarë ndodhi me këto denoncime para ditës së zgjedhjeve?

Kur grupet e mbrojtjes së votës të ngritur nga PD-ja, shkonin të faktonin dhe ndalonin blerësit e votës, për t’i denoncuar më pas në polici, policia në vend të kriminelëve të votës, ndalonte e shoqëronte demokratët. Në Bashkinë e Durrësit ndërkohë, u përsërit një fenomen i vjetër; dhjetëra militantë socialistë e punonjës të OSSHE-së nga zona të tjera, jo banorë të Durrësit, janë regjistruar për të votuar në Durrës. Ata janë marrë nga zona ku nuk i prishin punë PS-së, pra nuk ndikojnë në mandatet e PS-së, për t’u sjellë në Durrës, ku dihej që beteja do ishte e fortë dhe ndryshimi që pritej ishte i rëndësishëm për mazhorancën e ardhshme. Këto dhe shumë fakte të tjera, me emra dhe prova, unë i kam denoncuar në SPAK dhe te vëzhguesit ndërkombëtarë.

Jo sot, pas zgjedhjeve, por që në momentet që i faktuam. Drejtësia nuk luajti as gishtin! E megjithëse i evidentuam dhe denoncuam të gjitha këto manipulime, ne realisht besonim te fitorja. Besuam, sepse urrejtja ndaj Ramës dhe kopjeve të tij në gjithë vendin, ishte e dukshme. Besuam, sepse mbështetja e njerëzve dhe fryma e fitores, siç ju thashë, u ngrit si dallgë nga dita në ditë e menduam se do i përmbyste të gjitha manipulimet e “Rilindësve”. Po për fat të keq nuk rezultoi ashtu! PD u rrit ndjeshëm në vota dhe mandate. Fituam apo ngushtuam bindshëm rezultatin në bastionet e majta. Me qindra socialistë u bashkuan me kauzën e ndryshimit. Qytetarët në rrugë e kudo, shfaqnin hapur qëndrimin e tyre pro ndryshimit… Por në fund, kundër gjithë kësaj fryme e shprese, “fitoi” errësira!

Përse opozita nuk mundi ta ndalë krimin elektoral?

Për të gjitha këto arsye që përmenda, me gjithë përkushtimin dhe sakrificat që bënë demokratët dhe qytetarët, ne nuk arritëm ta ndalnim krimin elektoral të radhës.

A do të ketë PD-ja një dosje të “zezë” për zgjedhjet e 25 prillit?

Siç ju thashë, ne kemi bërë tanimë me dhjetëra denoncime edhe në SPAK, edhe në prokuroritë lokale. Ndërkohë, një grup pune është ngritur në PD dhe po sistemon të gjitha provat dhe materialet që disponojmë për manipulimin e zgjedhjeve, për të bërë gati atë që ju e quajtët “dosja e zezë” e 25 prillit. Ne do të ndjekim të gjithë hapat proceduralë dhe ata ligjorë. Deri në Strasburg do të çohet ajo dosje nëse drejtësia shqiptare e kapur siç është, nuk do të vendosë në vend vullnetin e shqiptarëve. Zgjedhjet nuk kanë mbaruar! Ato mbarojnë kur mbyllen të gjitha procedurat dhe ne do i shkojmë deri në fund.

Nëse faktet për manipulim të votave vërtetohen, a do kërkojë PD-ja ndryshim rezultati?

Ky rezultat, siç ju thashë, nuk shpreh vullnetin e shqiptarëve dhe kjo është e qartë. Ne nuk i njohim këto zgjedhje, këtu nuk ka fare vend për dilema! Këto zgjedhje nuk mund të njihen.

Aleati i PD-së, z.Agron Duka e ka pranuar humbjen në zgjedhje dhe sipas tij opozita humbi prej strategjisë së gabuar. Si e konsideroni një qëndrim të tillë?

Agron Dukën unë e kam mik dhe, të them të drejtën, jam surprizuar nga qëndrimi i tij. Ai ka qenë më këmbëngulësi në denoncimin e manipulimeve dhe krimit të angazhuar në shitblerjen e votave gjatë fushatës, sidomos në Shijak! Të gjithë ne sot mund të kemi mendime të ndryshme për mënyrën se si duhej të përballeshim me format që përdori Rama, po kjo nuk do të thotë që të pajtohemi me atë çfarë bëri Edi Rama! Për fat të keq ka një mentalitet të përhapur te mediokrit, që i thonë ‘Bravo!’ atij që ‘fiton’ me hile dhe poshtërsi. Sot e dinë të gjithë shqiptarët që Rama nuk i ka fituar zgjedhjet, po ka mes tyre nga ata që thonë rëndom: ‘Bravo! Bir k…, i vodhi prapë’. E kjo konsiderohet si meritë e Edi Ramës e gabim i yni! Por këtë mendësi nuk mund ta pranojmë me fatalitet edhe ne politikanët. Unë mund ta kuptoj Dukën dhe këdo tjetër, të thotë që me Ramën nuk funksionon as qytetaria, as fushata evropiane, as luajaliteti në zgjedhje, sepse ai nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë kurrë zgjedhje të lira e të barabarta në këtë vend. Në këtë pikë unë kam qenë dhe jam mbase më i avancuar se Agron Duka. Por kjo nuk do të thotë që ta uroj Ramën për “fitoren”, po që t’i përgjigjemi atij me mënyrën e përshtatshme.

Unë nuk mund të fajësoj as Partinë Demokratike e as Lulzim Bashën pse bënë një fushatë qytetare dhe evropiane. Po jam dakord që, kur përballë ke ‘Haxhi Qamilin’, duhet t’i përgjigjesh atij. PD-ja u ka premtuar shqiptarëve Evropën dhe drejt saj duam të shkojmë!

A u gjend e befasuar PD-ja nga ftesa e kryeministrit për bashkëpunim, përfshi bashkëqeverisjen dhe ribërjen e zgjedhjeve lokale?

Edi Rama, mua nuk më ka befasuar ndonjëherë dhe nuk besoj se ka në Partinë Demokratike njeri që të befasohet më nga ai. Rama e konsideron veten strateg të madh, po në fakt është vetëm një hileqar i vogël. Edhe deklaratat e tij të fundit janë vetëm një hile e vogël dhe e dalë boje.

Çfarë fshihet, sipas jush, pas ofertës së Edi Ramës për bashkëpunim sipas tij “pa asnjë kufi”?

Është e qartë, të tërheqë vëmendjen nga manipulimi i zgjedhjeve dhe mundësisht të krijojë hije apo dilema te shqiptarët lidhur me qëndrimin e opozitës. Edi Rama është koshient se këtë herë ka dalë kundër dhe ka shtrembëruar vullnetin e shumicës absolute të shqiptarëve. Të manipulosh 5% në një palë zgjedhje, mbase në një vend si ky yni edhe kalon pa u ndjerë dhe pa reagim. Por të shpallesh fitues, kur mbi 80% e shqiptarëve duan largimin tënd, madje të urrejnë, kjo nuk mund të kalojë kaq lehtë dhe Rama e di këtë. Ndaj ai hedh shashka si kjo.

A e shihni si të nxituar kërkesën e disave në PD për dorëheqjen e Lulzim Bashës duke mos duruar as deri në korrik, kur i përfundon mandati dhe PD-ja duhet të zgjedhë kreun e ri?

Të fajësosh Lulzim Bashën pse zhvilloi një fushatë qytetare, një fushatë model, është më shumë se absurditet. Po t’i shtosh kësaj faktin që një pjesë e atyre që ngrenë akuzat, nuk lëvizën as gishtin në fushatë, e madje ndonjëri mezi ka pritur fitoren e Ramës, atëherë kjo bëhet fare e papranueshme dhe bie ndesh me sakrificat dhe interesat e mijëra demokratëve që lanë shpirtin e tyre jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në tetë vite të një opozite më se të vështirë. Kush realisht mendon se mund ta bëjë kryetarin më mirë se Lulzim Basha, kush mendon se ka një rrugë zgjidhjeje të kësaj situate, të cilën Basha nuk e ka tentuar apo nuk e ka marrë parasysh, atëherë le të kandidojë përballë Bashës, apo kujtdo tjetër. T’iu paraqesë demokratëve rrugën dhe zgjidhjet që ofron e nëse arrin t’i bindë, le të zgjidhet kryetar. Por, të kërkosh ende pa mbaruar procesi zgjedhor dorëheqjen e Lulzim Bashës, nuk mendoj se ka ndonjë lidhje me interesin e demokratëve, përkundrazi. Ne sapo i pamë edhe në këto zgjedhje se si u përdorën shëmtuar nga Edi Rama disa nga ata që dikur bërtisnin në emër të demokratëve. Ky fenomen duhet të marrë fund nëse vërtet duam të mirën e PD-së. Në këtë rast, hajde të bashkohemi e t’iu japim drejtim e zgjidhje bashkërisht problemeve.

A besoni se Lulzim Basha ndihet i pafuqishëm përballë këtyre zërave? A mund të vihet në diskutim pikërisht në këto momente autoriteti dhe legjitimiteti i kreut të PD-së?

Unë mendoj se, pavarësisht lodhjes dhe dëshpërimit të këtij momenti, demokratët, ata që lanë shpirtin në këto zgjedhje, janë pranë dhe besojnë te Lulzim Basha. E përsëris, nëse duam të përballemi me të keqen që ka vetëm një emër, atë të Edvin Ramës, duhet të bëhemi bashkë e jo të përçahemi e përplasemi me njëri-tjetrin. Basha ka besimin tonë dhe duhet ta çojë deri në fund këtë betejë me të keqen. Sigurisht, ne duhet të marrim më pas vendimet për mënyrën se si do të përballemi me këtë të keqe, e cila nuk njeh as rregulla e as moral.

Koalicioni i PD-së me LSI-në, a e dëmtoi fitoren e demokratëve?

Koalicioni me LSI-në, si me gjithë ata që kërkojnë largimin e Edi Ramës, ishte dhe është domosdoshmëri. Nëse ne do kishim kombinuar më mirë në disa qarqe, pavarësisht gjithë manipulimeve të kryera, me siguri do të kishim disa mandate më shumë edhe në këto kushte të zhvillimit të zgjedhjeve.

Pavarësisht humbjes, a do të ketë një shans të artë për shqiptarët që të prekin së afërmi ndryshimin që nuk mundi të ndodhë më 25 prill?

Kur diçka e kërkon shumica absolute e shqiptarëve, është e vështirë për këdo që ta ndalë për një kohë të gjatë, çfarëdo mënyrash e manipulimesh të përdorë. Ndryshimi nuk mund të ndalet dhe me një formë apo një tjetër do të vijë dhe shpejt!

Për Lulzim Bashën

“Të fajësosh Lulzim Bashën pse zhvilloi një fushatë qytetare, një fushatë model, është më shumë se absurditet. Po t’i shtosh kësaj faktin që një pjesë e atyre që ngrenë akuzat, nuk lëvizën as gishtin në fushatë, e madje ndonjëri mezi ka pritur fitoren e Ramës, atëherë kjo bëhet fare e papranueshme dhe bie ndesh me sakrificat dhe interesat e mijëra demokratëve që lanë shpirtin e tyre jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në tetë vite të një opozite më se të vështirë”, shprehet nënkryetari i PD-së.

Për Agron Dukën

“Agron Dukën unë e kam mik dhe, të them të drejtën, jam surprizuar nga qëndrimi i tij. Ai ka qenë më këmbëngulësi në denoncimin e manipulimeve dhe krimit të angazhuar në shitblerjen e votave gjatë fushatës, sidomos në Shijak! Të gjithë ne sot mund të kemi mendime të ndryshme për mënyrën se si duhej të përballeshim me format që përdori Rama, po kjo nuk do të thotë që të pajtohemi me atë çfarë bëri Edi Rama”, tha z.Paloka.

Për LSI-në

“Koalicioni me LSI-në, si me gjithë ata që kërkojnë largimin e Edi Ramës, ishte dhe është domosdoshmëri. Nëse ne do kishim kombinuar më mirë në disa qarqe, pavarësisht gjithë manipulimeve të kryera, me siguri do të kishim disa mandate më shumë edhe në këto kushte të zhvillimit të zgjedhjeve”, deklaroi nënkryetari i PD-së.

Dorëheqja

“Kush realisht mendon se mund ta bëjë kryetarin më mirë se Lulzim Basha, kush mendon se ka një rrugë zgjidhjeje të kësaj situate, të cilën ai nuk e ka tentuar apo nuk e ka marrë parasysh, atëherë le të kandidojë përballë Bashës apo kujtdo tjetër. T’iu paraqesë demokratëve rrugën dhe zgjidhjet që ofron e nëse arrin t’i bindë, le të zgjidhet kryetar. Por, të kërkosh ende pa mbaruar procesi zgjedhor dorëheqjen e Bashës, nuk mendoj se ka ndonjë lidhje me interesin e demokratëve, përkundrazi”, theksoi Edi Paloka.

Akuzat

“Plot 40 milionë euro rezulton të jenë hedhur vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve, të gjitha në funksion të blerjes së votës qytetare. U shpërndanë, në mënyrë të paligjshme, qindra e qindra certifikata legalizimesh. Arriti puna që deputetët e ‘Rilindjes’ shkonin vetë në Kadastër e nga zyrat e Kadastrës iu jepnin letrat qytetarëve”, u shpreh z.Paloka.

Abuzimi

Nënkryetari demokrat deklaroi se: “Në mënyrën më çnjerëzore, u përdor edhe pandemia apo vaksinimi. Kandidatë të ‘Rilindjes’ (njëra prej tyre dhe mjeke), pa skrupuj fare, telefononin të moshuarit dhe duke iu përmendur se kush ishin, i njoftonin se ‘ishin përzgjedhur’ (ky ishte termi i përdorur) për të bërë vaksinën. Kuptohet që, “fatlumët” e përzgjedhur, pas kësaj duhej t’i ishin mirënjohës ‘Rilindjes’ e të votonin në shkëmbim të jetës”.

Denoncimi

Edi Paloka, nënkryetari i PD-së denoncoi se “e gjithë administrata, me ose pa dëshirë, u kthye në detashment elektoral për PS-në dhe shumica e drejtuesve të tyre ishin dhe personat që realizuan shitblerjen e votës me para në dorë”.

Artikulli paraprakPD kallzim në SPAK ministres Balluku dhe stafit për krime elektorale, shpërdorim detyre dhe grup të strukturuar kriminal
Artikulli tjetërBasha me kryetarët e PD në rrethe: Nuk do t’i njohim zgjedhjet, mos bini në kurthin e kundërshtarit!