Kryetari i Bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni është përfshirë në trafikun e drogës drejt Greqisë. Denoncimi publik është bërë nga një qytetar nga Përmeti, Bardhi Nunollari, i cili ka publikuar në rrjetin social You Tube, një intervistë ku rrëfen se si kreu aktual i Bashkisë Këlcyrë e kishte detyruar të transportonte me makinën e tij mbi 1 ton kanabis në Greqi.
Bardhi Nunollari rrëfen me detaje aktivitetin e dikurshëm dhe se si trafikonte drogë për llogari të kreut të Bashkisë së Këlcyrës, Klement Ndoni me kamionin e tij. Ai thotë se ka bërë 12 vjet burg për kanabisin e kryebashkiakut të Këlcyrës që e dërgoi në Greqi. Nunollari shprehet se, transportin e drogës e ka bërë disa herë për Ndonin, kryetarin e Bashkisë së Këlcyrës të zgjedhur nga Partia Socialiste. Më tej, ai thotë se kreu aktual i Bashkisë së Këlcyrës jo vetëm që nuk u dënua si bashkëpunëtor në trafikun e drogës, por tashmë ka një detyrë të lartë shtetërore.
Më pas, Nunollari thotë se ka komunikuar nga burgu edhe me prokurorët, të cilëve iu ka treguar për implikimin e Ndonit, por kjo nuk është marrë parasysh. Bardhi Nunollari kërkon që shteti të vërë para përgjegjësisë kreun aktual të Bashkisë së Këlcyrës si bashkëpunëtor në trafikun e drogës. Për këtë, ai thotë se u ka paraqitur prova prokurorëve, por nuk është nisur asnjë hetim ndaj Ndonit, sepse ka një funksion të lartë shtetëror.
-Sa vjet jeni dënuar dhe pse jeni dënuar?
Quhem Bardhi Nunollari. Jam nga Përmeti. Kam qenë në burg 12 vjet. Jam dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik të lëndëve narkotike. Vuajtja më ka bërë që të them ca gjëra që më takon, sepse nuk ka patur drejtësi. Kam patur shok Klement Ndonin, rrinim bashkë për dhjetë vjet në Përmet natë për natë te lokali “Familjari” në qendër të Përmetit, besoj se e dini ku ndodhet. Në një moment, kur unë arrita të blija një kamion që unë të punoj, Ndoni m’u bë pjesë e jetës së përditshme. Ai më kërkonte që unë të bëja një punë për të, që të dërgoja 1 ton hashash në Janinë. Rezistova se nuk desha, por me këmbënguljen e tij, sepse ai më tha se i kemi marrë masat, s’ke punë fare t’i sa të arrish atje. Kështu, arritëm në atë pikë sa ai më ofroi 10 mijë euro. Mua m’u duk një tarifë shumë e madhe që unë s’i kisha bërë për 10 vjet dhe më pëlqeu si pazar dhe thashë, hajt ta bëj.
-Po më pas çfarë ndodhi?
Më mori një ditë në telefon, më tha bjere kamionin poshtë në Këlcyrë. E çova kamionin në Këlcyrë. Ai më tha merre kamionin dhe shpjere në Durrës. E mora kamionin dhe e çova në Durrës e lashë në një parking dhe kam ikur e kam ardhur në Përmet. Pas një jave, ka qenë ditë e dielë më ka marrë në telefon. Ka qenë ora 7:00 e mëngjesit dhe më ka thënë, hajde se kamionin e ke te shtëpia. Vajta në Këlcyrë dhe më tha hajde të pimë një kafe. E pashë kamionin, hapa mushamanë, s’më pëlqeu fare ishte bërë bërrnut. Kishte nja dy defekte, u mërzita, ai më tha hajde hamë një drekë. Unë u mundova të mos shkoja fare, por ma mbushi mendjen dhe shkuam në një lokal në Ballaban, ishte me dy shokë. Ma mbushi mendjen, duke më thënë mos e vri mendjen për atë punë se e kemi rregulluar ne në doganë. Ti mos e vri mendjen fare, shpjere kamionin matanë dhe shpjere në Janinë, ku të themi ne. Vajtëm në Këlcyrë, ikëm nga Këlcyra dhe vajtëm në Ballaban. Në Ballaban ndenjëm te një lokal, ishte me dy shokë të tjerë, as emrat nuk ua di se s’më ka lidh puna ndonjëherë me ta. Aty u mërzita një çikë nga kamioni se ishte rrëmujë dhe piva nja dy dopio raki. Pasi hëngrëm drekë ikëm në Këlcyrë dhe mora kamionin te shtëpia e Klement Ndonit. Kamionin e kishte në shtëpi, hapi derën e madhe të oborrit e nxora prej atje dhe u nisa. E kam lënë kamionin m’u tek xhamia e Këlcyrës, ndenja një çerek ore atje, piva dhe një kafe dhe kam ikur direkt për në Greqi.
-Vetëm u nise për në Greqi?
Rrugës për në Greqi deri në doganë më ka shoqëruar vetë Klement Ndoni. Kam vajtur në doganë, deri tek kthesat e fundit në Çarçovë, ai ishte nga mbrapa, më pas nuk e pashë se çfarë drejtimi mori. Pasi kam vajtur në doganë më vulosën pasaportën, pasi kam marrë vulën jam nisur. Në momentin që kam vajtur tek trau i doganës, personi doganier që ishte aty i tha policit të shërbimit; ktheje mbrapsh. Më kthyen mbrapsh. Kam ndenjur gati një çerek ore aty me kamionin ndezur. I thashë, çfarë problemi ka, më tha dale se kemi një verifikim. Në atë moment, marr telefonin se po kontrollonin nëpër goma ata dhe marr Klement Ndonin dhe i them, ka gjë nëpër goma se po më kontrollojnë gomat. Jo, më tha mua, s’ka problem, s’ka asnjë gjë dhe po rrija ashtu i qetë. Bënë kontrollin dhe kaluan gati 40 minuta, vetë shefi i doganës e pa kamionin nga para, nga mbrapa dhe brenda, arrita momentin dhe ika. Kalova, u hodha nga gardhi dhe ika në Greqi, e lashë kamionin.
-Pasi le kamionin në Greqi çfarë bëre?
Pas shumë mundimesh kalova në shtein grek, komunikime me këtë person nuk pata më për momentin. Mora vesh se më kishte shpallur policia në kërkim. Nga shumë njerëz merrja telefonata kërcënuese me telefonin që kisha në Greqi dhe më thoshin, ke kalamajtë këtu, kujdes andej, biseda provokuese. Më thoshin mos u mërzit. Vetë personi më thoshte dënimin do ta ulim, kemi gjetur avokat. Dhe më dhanë numrin e telefonit të tij. Kam kontaktuar me avokatin, më kërkuan një prokurë, ia bëra prokurën në Athinë. Më dërguan prapë haber dhe më thanë se, prokura e parë nuk ishte e vlefshme, pasi duhej vulosur nga ambasada. Kam bërë prokurën e dytë e kam dërguar dhe në këtë moment filluan gjyqet. Nuk kisha njeri nga familja që të merrej me gjyqet, vetëm një herë kam folur me avokatin dhe më tha mos u ngatërro fare se unë nuk bëj punë pa lekë, unë nga ata persona s’kam marrë asnjë lek nga Ndoni. Si përfundim mora dënimin.
-Si u njohe me vendimin e Gjykatës?
Mora vesh nga njerëzit e mi që kisha marrë një dënim prej 12 vjetësh. E pashë se nuk kisha ç’të bëja më në Greqi dhe erdha në Shqipëri. Kam ardhur në Përmet dhe u dorëzova në polici. Para se të shkoja në polici, kam bërë një intervistë në televizionin “Ahos”, kam thënë që kam marrë një dënim nga Gjykata shqiptare dhe kam ardhur të bëj dënimin. Pastaj vajta në komisariat, aty më pyetën si u dorëzove, jo po nga erdhe, pyetje që s’kishin lidhje fare me çështjen e dënimit. Kam vazhduar burgun në Tepelenë, nga Tepelena më kanë çuar në Rrogozhinë. Në vitin 2008, pasi kisha bërë 3 vjet burg më kanë dënuar për trafik të lëndëve narkotik prej 1 ton e 150 kg në bashkëpunim, pasi sasia është shumë e madhe. Dhe të ardhurat e mia nuk e përballonin vleftën se sa lekë bënte malli. Çfarë kisha, pasurinë time që kisha bërë me djersë, ma sekuestroi Prokuroria, me makinë, kamion dhe lekë që kisha në bankë.
-Ju thoni se dënimi ishte i padrejtë, a kërkuat që të rihapej çështja?
Unë kërkova zbardhjen e çështjes nga Prokuroria. Bëra letër në Ministrinë e Drejtësisë, më kanë ardhur dy prokurorë në Rrogozhinë. U kam treguar se si rodhën ngjarjet dhe për personin që më kishte dërguar për të transportuar drogën, Klement Ndonin dhe më thanë do të vijmë prapë. Pas dy muajsh, prokurorët më kanë sjellë në Rrogozhinë vetë personin, Klement Ndonin. Në momentin e parë që jemi ulur në tavolinë, prokurorët më thanë, a e njeh këtë personin? Ajo ishte një pyetje qesharake. Krijova një urrejtje dhe thashë, që të harrosh një person për të cilin të bësh 12 vjet burg, kjo është qesharake dhe ata e morën çështjen qesharake. Ata më thanë do të vijmë prapë dhe çështja ime ngeli një enigmë dhe nuk mora vesh se çfarë u bë.
-Çfarë të thanë prokurorët?
Prokurorët kërkuan provat, u kam treguar provat reale si ka filluar ngjarja nga fillimi deri në fund. Nuk më bënë tip analize, më thanë dakord do të vazhdojnë hetimet dhe të kthejmë përgjigje. Përgjigje unë nuk mora dhe sot e kësaj dite pas 12 vitesh që dola nga burgu nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kam qenë në doganë kam folur me personin, dhe më tej s’kam patur më kontakte fare.
-I kryet të gjitha vitet e burgut?
Mbarova burgun, pas 12 vjetësh dhe megjithëse akuza ishte në bashkëpunim nuk u dënua ai që bashkëpunoi. Në momentin që kam parë në televizon që Klement Ndoni u bë kryetar bashkie, jam habitur se si ka mundësi që ia arriti qëllimit, megjithëse ishte bashkëpunëtor me mua në trafikun e drogës të vihej në krye të një institucioni kaq të lartë. Klement Ndoni merrej me një baxho qumështi dhe merrej me trafik droge.
-Pse doni ta jepni këtë intervistë?
Unë intervistën e jap, sepse e ndjej veten shumë të ulët, kur shikoj që drejton Bashkinë një njeri… Në radhë të parë kërkon drejtësi, sepse kam bërë një burg që nuk më takonte. Drejtësia duhet të ishte e barabartë si për mua edhe për bashkëpunëtorët duhet të bëjnë burg edhe ata ashtu siç u takon. Kërkoj drejtësi, drejtësia nuk është vetëm për fukaranë është edhe për ata që janë në pushtet.
-A keni kontaktuar tani së fundi me Klement Ndonin?
Me Klement Ndonin nuk kam asnjë lloj kontakti, as dua t’i shoh surratin. S’dua të kem asnjë kontakt me të.