Nostradamët dhe nastradinët!

Nga Erion DASHO

“Parashikuesit” e komitetit godasin sërish. Kësaj here parashikimi është për rritjen e numrit të rasteve lidhur me zgjedhjet. Sigurisht, grumbullimi i shumë personave në mjedise të mbyllura, pa respektuar asnjë masë të parandalimin të virusit (siç u pa gjatë votimeve nga të gjithë personat që morrën pjesë në to) do të shoqërohet me një rritje të lehtë të numrit të rasteve.

Kjo rritje do të ishte e parandalueshme në se komitetsat nuk do të kishin patur si objektiv shërbimin ndaj padronëve politikë (siç u pa tek vendosja e karantinës për shqiptarët me banim në Greqi që kishin planifikuar të votonin), por marrjen e masave për të siguruar votime të sigurta. Sidoqoftë, kjo rritje e përkohshme dhe jo sinjifikante do të kalojë brenda pak ditëve lidhur me dy faktorë të rëndësishëm.

Së pari, Shqipëria është shumë pranë imunitetit të grupit, ku vlerësohet se midis 60 dhe 70% e popullatës adulte e kanë kaluar tashmë infeksionin. Për shkak se shkollat kanë qenë hapur gjatë gjithë vitit, nuk përjashtohet mundësia që edhe një numër i konsiderueshëm fëmijësh ta kenë kaluar tashmë infeksionin me apo pa simptoma dhe të kenë zhvilluar imunitet ndaj tij.

Së dyti, në Shqipëri ka nisur tashmë vera mesdhetare. Gjatë verës së kaluar u parashikua nga ekspertët e Johns Hopkins dhe u vërtetua në praktikë një rënie deri në 30% e eficiencës së transmetimit të virusit. I njëjti fenomen do të konstatohet edhe këtë vit duke parashikuar një verë të qetë, nëse në vend nuk do të hyjnë mutacionet e reja të koronavirusit.

Pra “nostradamët” e komitetit të cilët parashikuan pikun në prill, pastaj në gusht, pastaj në dhjetor, etj. bëjnë mirë të mos merren me një profesion të cilin nuk e njohin dhe që i ka kthyer tashmë në personazhë qesharakë për shqiptarët.

Nga ana tjetër, ekziston një kontribut shumë i rëndësishëm që ata ende mund dhe duhet të japin, vendosjen e kritereve të qarta shkencore, të bazuara mbi evidenca të cilat të rregullojnë flukset e hyrjes në Shqipëri qoftë nga shtetas shqiptarë me banim jashtë vendit, qoftë nga turistët e shumtë që priten këtë verë.

Për shembull, Italia fqinjë kërkon plotësimin e një prej tre kushteve – certifikatë vaksinimi, test negativ ose provë se personi nuk ka shumë kohë që ka kaluar sëmundjen. Është koha që edhe ministria dhe komiteti ynë të vendosin rregulla të ngjashme, të domosdoshme për të parandaluar hyrjen e mutacioneve të reja të virusit.

Një tjetër kontribut që pritet nga ministria dhe komiteti është sigurimi i vaksinave cilësore për t’u mundësuar personave që kanë kaluar COVID-in dhe atyre të vaksinuar me vaksinën kinezë të paktën një dozë të një vaksine cilësore para nisjes së sezonit të ri të virozave në vjeshtën që vjen.

Në mungesë të këtyre dy masave dhe me kaq njohuri sa disponohen deri tani, Shqipëria mund të rrezikojë një valë të re të infeksionit. Kjo valë që sot është plotësisht e parandalueshme, mund të bëhet problematike brenda një kohe të shkurtër, sikundër ka treguar praktika në disa qytete braziliane.

Uroj që ky mesazh të mos bjerë në veshë të shurdhër!

Artikulli paraprakMeta nuk paraqitet në Komisionin e PS: 24-orë janë të pamjaftueshme, gati të vij më 10 maj
Artikulli tjetërKandiati i PS i kërkoi t’i kthente lekët e dhëna për blerjen e votës, vetëvritet 27 vjeçari