Berisha dhe Shala, gola të rëndësishëm në kupë

Mesjavë e suksesshme për Bernard Berishën dhe Herolind Shalën në Rusi dhe Turqi. Futbollisti i Anzhi Makhashkalës luajti titullar dhe realizoi golin e fundit në fitoren 4-0 të skuadrës së tij ndaj Zenitit të Shën Petërsburgut në Kupën e Rusisë. Ish-futbollisti i Skënderbeut ndoqi një aksion të shpejtë të skuadrës vendase dhe në momentin dhe vendin e duhur devijoi drejt rrjetës një pasim që i erdhi nga e djathta. Me këtë sukses Anzhi siguroi një vend në çerekfinale të kompeticionit.
Kasimpasha e Herolind Shalës gjithashtu u kualifikua në raundin tjetër të Kupës së Turqisë, pasi mposhti 2-0 Kahramanmarassporin. Mesfushori 24-vjeçar gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 56-të me një goditje të saktë brenda zonës, ndërsa në të 82-ën Altintas realizoi golin e 2-0.
Ky ishte goli i dytë për Shalën me fanellën e Kasimpashasë, pas rrjetës në kampionat ndaj Adanasporit.

Artikulli paraprakËndrra amerikane vazhdon
Artikulli tjetërU-17, Serbia mposht Shqipërinë