Denoncimi i fortë: Niko Peleshi, pengesë për hetimin e blerjes së votës përmes legalizimeve në Korçë

Nga Edmond SPAHO

Para më shumë se 1 muaji denoncova në media dhe kallëzova në Prokurori drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Korçë për përdorimin e legalizimeve dhe lëshimin e certifikatave të pronësisë në këmbim të votave për PS.

Prokuroria nisi hetimin me vonesë dhe vetëm sot ka thirrur për të dëshmuar një nga zyrtarët e Kadastrës, Ndriçim Hoxha. Problemi nuk është vetëm vonesa e hetimit, por rreziku i shndërrimit në farsë, për shkak të ndërhyrjes në hetim të Niko Peleshit.

Niko Peleshi po i bën presion Prokurorisë dhe policisë gjyqësore duke mos lejuar që Ndriçim Hoxha të merret në pyetje. Ai veproi njësoj edhe me rastin e Pogories, ku zyrtarë të Bashkisë Maliq u kapën me presh në duar në veprime të paligjshme ne lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit. Abuzuesit u liruan, ata që ishin në ruajtje të integritetit të zgjedhjeve u ndaluan për bllokim rruge.

Sot kam një apel publik për Niko Peleshin: Ai duhet të heqë dorë nga presionet dhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë për të mbrojtur blerjen e votës me mekanizma të paligjshëm.

Përdorimi i grupeve kriminale, përdorimi i administratës publike, punësimet e paligjshme, abuzimi me ndihmën ekonomike janë fakte të njohura gjerësisht për shitblerjen e votave në Korçë dhe Niko Peleshi me mercenarët e tij nuk do t’i shpëtojnë dot drejtësisë dhe ndëshkimit.

Artikulli paraprakSondazhi i Gallup: 52% e shqiptarëve i refuzojnë vaksinat
Artikulli tjetërEleminimi nga Liga e Kampionëve/ “Zidane gaboi në gjithçka”!