Kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve humbet edhe ndeshjen e dytë në grupin 4 kualifikues të Europianit, Kroaci 2017-të. Në stadiumin “Bruno Bucci” në qytetin e Russit, në Itali, kuqezinjtë e vegjël u mposhtën me rezultatin 2-0 nga Serbia, disfata e dytë kjo pas asaj ndaj përfaqësueses së kaltër. Një humbje që minimizon në mënyrë absolute shanset e skuadrës së Xhemal Mustedanagiç për t’u kualifikuar në Elite Round. Tashmë mundësia e vetme për Shqipërinë e 17-vjeçarëve për t’u pozicionuar si skuadra e 4-t e të tretave më të mira të gjitha grupeve është të fitojë me 3 gola diferencë sfidën e fundit në grup ndaj Maqedonisë dhe të shpresojë që në grupet e tjera që nuk kanë përfunduar ende skuadrat e pozicionuara në vendin e tretë të mos grumbullojnë më shumë pikë.
Vetëm 5 minuta i mjaftuan Serbisë për të kthyer në favor të saj derbin ballkanas. Djerlek kthehu në gol një 11-metërsh, duke mposhtur portierin Sinani. Reagimi i skuadrës së trajnerit boshnjak Xhemal Mustedanagiç mungoi dhe në minutën e 13-të, Serbia dyfishoi shifrat me golin e realizuar nga Bosiç. Kuqezinjtë e vegjël u munduan të bënin diçka, por deri në fund nuk arritën të realizonin qoftë edhe një gol, madje e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Isufit në minutën e 74-t.