Kryeministri Albin Kurti ka folur para homazheve te varri i profesor Fehmi Aganit në 22 vjetorin e vrasjes së tij për kodin e procedurës penale dhe hetimin e gjykimin në mungesë, raporton Gazeta Express.
Kurti që në homazhe ishte së bashku me presidenten e vendit, ka folur për profesor Fehmi Aganin duke iu referuar të njëjtit si politikan udhëheqës.
“Në 22 vjetorin e rrëmbimit dhe të vrasjes të profesorit Fehmi Aganit erdhëm që të vendosim lule të freskëta për figurën e tij.
Ai kishte formim të thellë social, si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi. Profesor Agani e theksonte rëndësinë e mendimit në politikë dhe të argumentimit në mendim”, tha Kurti.
Kryeministri i vendit ka folur edhe për ndryshimin e kodit të procedurës penale që i mundëson prokurorisë speciale gjykimin dhe dënimin në mungesë.
Ai tha se është koha e fundit që për vrasjet makabre të ketë procese gjyqësore.
“Me 29 maj të viti 2019-të ne e patëm plotësuar kodin e proceduarës penale për të mundësuar prokurorinë tonë speciale që të hetojë e më pas të kemi edhe gjykime e dënime në mungesë. Para dy javës e bëmë edhe një avancim legjislativ të radhës, besoj që është koha e fundit që sistemi ynë i drejtësisë, të veprojë, të punojë në mënyrë që për vrasjet e shumta të regjimit kriminal të Jugosllavisë të Millosheviqit, të kemi procese të drejta gjyqësore që sjellin drejtësi për të gjitha viktimat. Profesor Agani ka lënë studentët e tij, ka lënë veprat e tij që lexohen nga të gjithë, andaj pa dyshim se kontributi dhe puna e tij do të jehojë edhe në të ardhmen”, tha Kurti.