Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore “State of the Union” organizuar nga Instituti i Universitetit Europian të titulluar “Europa në një botë që po ndryshon” në Firence, nga ku Edi Rama e pranoi se vendi ynë nuk është ende gati për të hyrë në BE.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri foli ndër të tjera për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Teksa theksoi se Turqia nuk ka ndikim në vendin tonë, Rama nuk hezitoi të ndante edhe një batutë me të pranishmit. Rama tha se optimistët mendojnë se Turqia do të bëhet anëtare në presidencë shqiptare dhe pesimistët besojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare kur të ketë presidencën Turqia.
“Me të gjithë atë që po përjetojmë ka një shaka, është e freskët për optimizmin në Shqipëria. Eurooptimistët thonë se Turqia do të bëhet anëtare në presidencë shqiptare dhe europesimistët që Shqipëria do të bëhet anëtare kur të ketë presidencën Turqia”, theksoi kreu i qeverisë.
Gjithashtu, ai pranoi se Shqipëria nuk është gati për të qenë pjesë e BE, megjithatë shton se është e pakuptimtë zvarritja e këtij procesi. Ai e ka cilësuar si skizofrenike dhe të pakuptimtë, sipas tij shtimin e kushteve nga ana e BE për Shqipërinë, ndërsa e quan si “shto ujë e shto miell”.
“Unë mendoj se anëtarësimi është një fjalë e madhe dhe nëse do të më pyesnin sot a është Shqipëria gati për të qenë pjesë e BE unë do të thoja jo. Nuk jemi gati. Por ajo që nuk kuptoj është shtyrja e fillimit të punës reale për negociatat pasi është marrë vendimi në vitin 2018 për ti çelur këto negociata. Kjo është puna reale për të cilën ka nevojë vendi. Kur bëhet fjala për të pranuar apo jo një vend anëtar të ri pikë së pari kjo do të kërkojë kohë. Së dyti miqtë tanë evropianë mund të mbështeten te modeli turk dhe të thonë jo prisni se ne akoma nuk jemi gati. Pra ti mbash vendet në këtë lloj pozicioni, në këtë rast Shqipëria, duke u thënë jo dhe ne e dimë mirë pse thonë, dhe duke shtuar ujë e miell duhet të bëni këtë edhe këtë tjetrën kjo nuk ka kuptim dhe duket mjaft skizofrenike. Kjo e Maqedonisë dhe hapja e kësaj kutie pandore, sepse një vend tjetër ka disa probleme historike kjo mund të shndërrohet në një shpërthim të madh për të gjithë. Duhet të shmangim ta vënë historinë në mes të BE,” tha Rama.