Kompanitë shqiptare shitën jashtë vendit 177 miliardë lekë mallra për 9 muajt e këtij viti, me një rënie prej 4.6% në raport me të njëjtën periudhë. Tkurrja e grupit “lëndë djegëse, minerale dhe energji”, është arsyeja kryesore që po ndikon në këtë trend negativ të eksporteve, ndërsa po amortizohet dukshëm nga ecuria e mirë e grupit “tekstile dhe këpucë”. Grupi “Ushqime, pije, duhan”, që kishte shënuar një rritje dyshifrore këtë vit, ka ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes muajt e fundit.
Gjithsesi, për të dytin muaj radhazi eksportet kanë shënuar rënie të lehtë, duke bërë që të ngadalësohen ritmet e rënies, nga -6.6% për 7-mujorin në -5.3% për 8-mujorin dhe -4.6% për janar-shtator (me bazë vjetore).
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 80 miliardë lekë, me një zgjerim prej 20% me bazë vjetore. Aktorët e tregut pohojnë se ka një interes të lartë nga kompanitë e huaja, jo vetëm italiane, për të punuar me kontraktorët shqiptarë, ndonëse industria po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostove. Për periudhën janar-shtator, eksportet e këtij grupi përbënin 45% të totalit, nga 36% në të njëjtën periudhë të 2015-s, duke u bërë sërish segmenti më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” ranë me 37% për 9-mujorin, në 32.8 miliardë lekë. Pavarësisht se çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur në rreth 50 dollarë për fuçi, ky grup nuk po arrin të ndalë rënien, teksa aktorët e tregut pohojnë se tregu mbetet i dobët dhe nuk ka interes për naftën shqiptare. Rënia e çmimit vitin e kaluar çoi në një rënie të kontratave me blerësit e huaj, që tashmë duhen rikuperuar sërish. Vetëm në shtator, eksportet e këtij grupi ranë me 22.5%, ndonëse çmimi në tregjet ndërkombëtare është thuajse njësoj me shtatorin e kaluar. Eksportet e naftës pritet të bien edhe më tej pas marrëveshjes së Bankers Petroleum, prodhuesit më të madh në vend, për t’i shitur një pjesë të konsiderueshme të prodhimit kompanisë IRTC, që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë e naftës ARMO, marrëveshje që pritet të bëhet efektive nga nëntori, sipas burimeve nga Bankers.
Kemi të bëjmë me aferën Rama të naftës, ku ai së bashku me mikun dhe ortakun Beso kanë nisur të shfrytëzojnë ARMO-n duke ndarë fitimet mes tyre. Rama në krye të qeverisë tani po orienton të gjitha kompanitë që të blejnë naftën e ARMO-s, e cila konsiderohet se është e një cilësie mjaft të dobët. Vetë ARMO ka nisur të funksionojë si një kompani e ortakut të Ramës që ka pa shlyer malin e borxheve që ka ndaj kompanive të treta dhe që arrin në disa qindra milionë euro. Marrja në përdorim e ARMO-s nga Rama dhe ortaku i tij bëhen në mënyrë të paligjshme, sepse kreu i qeverisë i ka mbyllur gojën përmes presioneve edhe kompanive që kërkojnë nga ARMO borxhin.
Materialet e ndërtimit
Shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve vijojnë të jenë me tkurrje (-19% për 9-mujorin) për të arritur në 22.8 miliardë lekë, duke mos arritur të marrin veten pas daljes nga tregu të prodhuesit të çelikut, Kurum.
“Ushqimet, pijet dhe duhani”, që kishin shënuar një ecuri mjaft të mirë përgjatë këtij viti janë frenuar ndjeshëm në shtator, duke u zgjeruar me vetëm 7%, me bazë vjetore. Gjithsesi, për 9-mujorin, ky grup është rritur me 21.7%, për të arritur në rreth 17 miliardë lekë.
Grupet e tjera kanë shitje të ulëta dhe nuk kanë arritur të shënojnë ndonjë lulëzim këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara kur eksportet e makinerive e pajisjeve dhe ato të prodhimeve të drurit dhe letrës shënuan rritje dyshifrore.
Shtator, eksportet rriten 0.6%, zgjerohet fort Greqia
Sipas INSTAT, në muajin shtator 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 21 mld lekë, duke u rritur me 0,6% në krahasim me shtator 2015 dhe 25,0% në krahasim me gusht 2016. Importet e mallrave në muajin shtator 2016 arritën vlerën 47 mld lekë, duke u rritur me 6,0% në krahasim me shtator 2015 dhe 0,3% në krahasim me gusht 2016. Deficiti tregtar i këtij muaji është 27 mld lekë, duke u rritur me 10,6% krahasuar me shtator 2015 dhe duke u ulur me 13,2% në krahasim me gusht 2016.
Rritja vjetore e eksporteve prej 0,6% këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +5,1 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,0 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” kanë kontribuar me +0,5 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,6 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,3 pikë përqindje.
Në muajin shtator 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me shtator 2015 janë: Italia me 1,1%, Greqia me 19,0% dhe Gjermania me 20,2%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 10,2%, Malta me 18,4% dhe Kina me 11,5%.