Paris Sën-Zhermeni nuk heq dorë nga përpjekjet për të bërë çmenduri në merkato. Pasi dështoi me Nejmarin, klubi francez është gati të zbrazë arkat për Antuan Grizmanin. Siç raporton tabloidi britanik “Sun”, sheikët që kanë në pronësi klubin nga kryeqyteti francez janë të gatshëm t’i paguajnë Atletiko Madridit 100 milionë eurot e parashikuara në kontratën me lojtarin.
Sulmuesi i kombëtares franceze është objektivi kryesor i parisienëve, të cilët megjithatë pritet të mos e kenë të lehtë ta realizojnë. Përveç vendimit të Atletikos dhe vullnetit të vetë futbollistit, PSG-ja duhet të bëjë llogaritë edhe me konkurrencën e Mançester Junajtidit, që së fundmi raportohet se ka shfaqur interes për Grizmanin.