Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka ndërhyrë personalisht në një mosmarrëveshje midis Turqisë dhe Irakut për luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se do t’i bashkohet luftës për të çliruar qytetin iraken të Mosulit nga Shteti Islamik, pavarësisht kundërshtimeve nga Bagdadi.
Obama, në një bisedë telefonike me Erdoganin, theksoi nevojën për një bashkëpunim më të afërt midis Ankarasë dhe forcave amerikane dhe irakene.
Ai bëri thirrje për dialog të vazhdueshëm, për të përcaktuar nivelin dhe formën e ndërhyrjes së Turqisë.
Erdogan, më herët, ka shprehur zemërimin e tij se Turqisë nuk i është kërkuar të përfshihet më shumë në operacionet në Mosul, i cili ka qenë dikur pjesë e Perandorisë Otomane.