Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar disa foto dhe një mesazh që ka ardhur në adresë të tij ku denoncohet me foto shpërndarja e ushqimeve para zgjedhjeve nga kandidati i PS në këmbim të votës.
Sipas mesazhit, në fshatin Duanas, janë shpërndarë ushqime nga njerëzit e kandidatit të PS në Qarkun e Beratit, Fadil Nasufi.
“… Ndërkohë, në qytetin e Beratit, fshati Duanas, ku njerëzit e Nasufit kanë shpërndarë ushqime…”, lexohet në mesazh, ndërsa ish-kryeministri sjell edhe foto që mbështetin akuzat.
“Gjatë fushatës: Votë me ble! Votë me ble! sb”, shkruan Berisha në komentin që shoqëron postimin.
Për Qarkun e Beratit, PD dhe LASI kanë kërkuar në KAS ripërtëritjen e zgjedhjeve.
Në këtë qark, PS mori 5 mandate dhe PD 2. PS e mori mandatin e 5-të me 77 vota diferencë nga LSI. Vota të pavlefshme rezultuan 5292.