Një person është vrarë me armë zjarri në zonën e Livadheve në Shkodër. Trupi është gjetur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Burimet e policisë bënë të ditur se, viktima është Endri Mustafa, 32 vjeç. Raportohet se familjarët e kishin denoncuar zhdukjen e tij para disa ditësh. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes teksa policia ka shkuar në vendngjarje.
Burimet bënë të ditur se, viktima Endri Mustafa është një person i njohur për policinë pasi ka precedentë penalë.
Viktima Endri Mustafa është një emër i njohur në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë ai është dënuar më parë për plagosje.
Mustafa është arrestuar në vitin 2016 për grabitje e arsenal armësh së bashku me vëllezërit e njohur Bilali, Astrit dhe Brahim Bilalin, si dhe Ardit dhe Bekim Torishtën.
Sipas policisë, gjatë kontrollit atëherë u sekuestruan 6 automjete të ndryshme, 2 antiplumba, 305 copë fishekë model 56, 5 krehëra armë zjarri automatikë, 2 krehëra pistoletë TT, 5 skafandra motori, 4 maska dhe 4 kapuçë me ngjyrë të zezë, 7 copë fishekë model 54, 3 gëzhoja model 54, rroba me mbetje si gjaku dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme.
Nga ana tjetër emri i tij del në pistë edhe në vitin 2020 gjatë operacioni “Maranaj” sërish për fajde, ku ai u shpall në kërkim policor.