17 Maji i vitit 2020 është shënuar në kalendarin e historisë shqiptare si data e shembjes së Teatrit Kombëtar. Një datë që shënon fitoren e betejës 20-vjeçare të kryeministrit Rama me artistët në rrugën e tij të përmbushjes së egos personale për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Ishte ora 04:00 e mëngjesit të 17 Majit të vitit shkuar, kur fadroma dhe Forcat Speciale Policore rrethuan në befasi ‘godinën e armikut’ dhe nën presione dhe dhunën e ushtruar ndaj artistëve dhe mbështetësve të kauzës së teatrit, e shembën me dredhi godinën historike në qendër të Tiranës.
Kjo shembje nuk u ideua në 17 Maj, por kjo shembje rezulton e ideuar që në vitin 2002 në mendjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës së atëhershëm, Edi Rama, por që nuk u realizua dot për shkak të rezistencës së artistëve.
Shembja u rikthye si temë diskutimi sërish në vitin 2018, atëherë kur Edi Rama ishte më i fortë, tashmë në pozitën e shefit të ekzekutivit shqiptar.
Artistët asokohe ishin të gjithë bashkë dhe nga salla e Akademisë së Arteve firmosën një peticion kundër shembjes me një zë të unifikuar.
Më pas ndërhyrja e politikës bëri që artistët të përçaheshin, ku u ndanë në dy palë pro dhe kundër shembjes përmes peticioneve.
Në kahun tjetër kryeministri Rama vijonte me përpikmëri planin e tij, ku tashmë kishte bërë gati dhe kishte prezantuar në kryeministri projektin e Teatrit të Ri me arkitektin e njohur Bjarken Ingels.
Plani ishte që teatri do të ndërtohej me Partneritet Publik Privat, gjë e cila hasi në kundërshtinë e hapur artistëve. Në funksion të realizimit të shembjes dhe ndërtimit me PPP të teatrit, Ministria e Kulturës e drejtuar nga ish-ministrja Mirela Kumbaro hartoi një ligj special, me qëllim shembjen dhe ndërtimin e teatrit nga kompani private “Fusha”.
Një muaj përpara shembjes kompania “Fusha” u tërhoq nga gara dhe Bashkia e Tiranës premtoi se teatri do të ndërtohej me para publike.
Me një vendim qeverie teatri i kaloi Bashkisë dhe me një vendim të këshillit Bashkiak të mbajtur online në kushtet e pandemisë u vendos shembja e Teatrit Kombëtar, e cila u realizua në mënyrë tinëzare në orët e vona të natës së 17 Majit 2020, duke finalizuar në këtë mënyrë përpjekjen 20 vjeçare të kryeministrit Rama për të përmbushur egon e tij personale.
Tashmë çështja e teatrit është në Gjykatën Kushtetuese e cila pritet të marrë një vendim në seancën e datës 3 Qershor, por që sido të jetë vendimi godina ekzistuese nuk mund të kthehet më.