Zbardhen detaje të reja lidhur me ekzekutimin e Endri Mustafës në Shkodër. Mësohet se ai është qëlluar me të paktën 7 plumba. 1 plumb e ka marrë në gojë, 3 të tjerë në kokë dhe 3 plumba në gjoks.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një pistoletë si dhe 8 gëzhoja. Ndërkohë në armë është gjetur edhe një plumb i pashkrepur.
Pranë 32-vjeçarit është gjetur një automjet tip BMW dhe pak metra më tutje trupi i viktimës i tërhequr zvarrë.
Viktima është gjetur sot rreth orës 09:00 në bregun e liqenit. Policia njofton se po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes në fjalë.
Endri Mustafa, 32 vjeç, u gjet mëngjesin e sotëm, i ekzekutuar në vendin e quajtur Livadhet, ndërsa prej 3 ditësh kishte humbur kontaktet me familjarët e tij.
Nga raportimet mësohet se viktima njihej si person me precedentë penalë, ndërsa nga të dhënat policore konsiderohej si pjesë e grupit të Astmer Bilalit në Shkodër.
Trupi i pajetë i viktimës u gjet i shtrirë në një livadh, teksa ai ishte i veshur sportiv. Nuk dihet nëse viktima është ekzekutuar në vendin ku u gjet, apo trupi i tij është transportuar në zonën e njohur si Livadhet.
Mustafa dy netë më parë ka marrë dy mesazhe në celular dhe doli nga shtëpia për mos u kthyer më kurrë. Orari i daljes ka qenë në darkë teksa denoncimin për zhdukjen e tij e ka bërë e ëma.
Sipas dëshmisë së prindërve, i ekzekutuari Endri Mustafa, tregohej i kujdesshëm dhe dilte rrallë nga shtëpia kohët e fundit.
Mustafa 32 vjeç, ka qenë një emër i njohur për policinë. Që në moshë të re ai ka qenë i dënuar nga gjykata për plagosje me armë zjarri dhe më pas është arrestuar, edhe 2 herë të tjera në vitin 2016 dhe vitin 2020.
Ndërkohë, nga një vëzhgim në rrjetet sociale shihet se Mustafa ka qenë i apasionuar pas garave me kuaj, makinave luksoze dhe motorëve.
NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 17.05.2021, në orën 09:00, në bregun e liqenit, në livadhe, në lagjen Guerile, Shkodër është gjetur i pajetë shtetasi E. M., 32 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri.
Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.