Takimi zyrtar, Vjosa Osmani-Vuçiçit: Dorëzo kriminelët që kryen gjenocid në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun, duke folur për perspektivën e BE-së dhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon, ka theksuar se nuk mund të kalohet në kapitujt vijues përpara se të lexohen dhe kuptohen plotësisht kapitujt e mëparshëm.

Presidentja Osmani ka theksuar se është e nevojshme pranimi i së vërtetës për atë që ka ndodhur në rajon.

“Kur flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë.

Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Sipas njoftimit për media të Presidencës, Osmani ka thënë se në vend të përgjegjësisë po ndodh mohimi dhe revizionizmi historik i asaj që ndodhi gjatë viteve të 90-ta në rajon,

“Lidershipi i përgjegjshëm dhe i guximshëm kërkon refuzim të vendosur të një veprimi të tillë të ndyrë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Artikulli paraprakTre partizanë dhe një automatik/ Kush e vrau vërtetë Benito Mussolinin?
Artikulli tjetërMasakra zgjedhore/ 19 persona në Berat votuan 53 herë. Ja dokumenti që fakton parregullsitë!