Me urdhër të Ramës, policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve të disa fshatrave të Fierit, të cilët prej disa ditësh janë ngritur kundër ndërtimit të landfillit të mbetjeve. Protestuesit janë tërhequr zvarrë dhe shtyrë me forcë nga policia, e cila kërkoi largimin e tyre nga protesta me dhunë. Përplasja fizike mes banorëve të fshatit Plyk dhe Mbyet dhe policisë së rendit në Fier, ka ndodhur pas protestës kundër ndërtimit të fabrikës së përpunimit të mbetjeve në këtë zonë. Partia Demokratike akuzoi dje policinë se, me urdhër të Kryeministrit Edi Rama shtypi me dhunë protestën e banorëve të fshatit Plyk në Fier, të cilët kundërshtojnë projektin për ndërtimin e landfillit në atë zonë.
Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj tha se edhe më e turpshme është fakti se policia ka shpallur në kërkim ata që filmuan dhunën e ushtruar nga policia. Në monitor, Alibeaj shfaqi dhe pamje nga protesta dhe dhuna e policisë. Banorë të fshatit Plyk, zona ku është parashikuar ndërtimi i landfillit të përpunimit të mbetjeve të zonës së Fierit, kanë protestuar, duke kërkuar anulimin e projektit. Pas bllokimit të rrugës Fier-Ballsh, banorët thonë se do të përshkallëzojnë protestën nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Dhjetëra banorë të fshatit Plyk në Fier u janë rikthyer protestave kundër ndërtimit të landfillit të përpunimit të mbetjeve të zonës. Për disa minuta ata bllokuan dhe aksin Fier-Ballsh. Banorët e Plykut thonë se përveç helmit nga mbetjeve, janë të shqetësuar edhe për çështjen e shpronësimeve. Bashkia u ka premtuar shpronësim, por pa u dhënë informacion konkret për vlerën që do u ofrohet.
“Na kanë thënë që hajdeni dhe merrni lekët e tokës se do të çojmë plehrat, qelbësirat, pa dijeni. Ka hyrë në vijë të verdhë të qytetit që të helmohen të gjithë. Ne patëm një azotik aty dhe na helmonte herë pas here, edhe bënë mirë që e shkatërruan. Por ama jo të na sjellin helme të tjera”, shprehen banorët. “Gjynah për këta fëmijë, është trashëgimi toka. Na vjen keq, i kemi vërselit ata ullinjtë, me këtë tokë ushqehemi. Siç jemi këtu do të ngrohemi gjatë gjithë kohës, do të bëjmë protesta nga më të ndryshmet që Këshilli Bashkiak dhe të tërë ata zotërinjtë që janë zgjedhur atje dhe që tallen me këtë popull të marrin një vendim të drejtë në drejtim të këtij komuniteti”, shprehen të tjetër banor. “Më ndan gardhi me plehrat”, u shpreh një grua. Banorët e fshatit Plyk ku jetojnë mbi 500 familje, kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave derisa të anulohet projekti për ndërtimin e landfillit.
Edhe banorët e fshatit Mbyet u shprehën se, “nëse do të ndërtohej një park lojërash apo lulishte do ta falja vetë tokën, por jo të sillen helme”. Me këtë thirrje banorët e fshatit Mbyet kanë dalë sërish në protesta, duke i kërkuar qeverisë dhe Bashkisë së Fierit, të anulojë koncesionin për ndërtimin e fabrikës së përpunimit të mbetjeve, që siç thonë ata është fare pranë banesave të tyre. Gjatë protestës banorët janë përleshur edhe me kryeplakun e fshatit, të cilin e akuzojnë se ka firmosur për pranimin e ndërtimit të këtij impianti në këtë zonë.
PD: Rama i ka bërë gabim llogaritë. Një popull nuk mund të shtypet me polici
Për dy lekë më shumë në xhepat e vet, Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, të fyejë, shantazhojë dhe të dhunojë qytetarët e tij. Rast flagrant është dhuna policore e ushtruar dje ndaj banorëve të fshatit Portëz, ku Edi Rama ka vendosur të ndërtojë një impiant për djegjen e mbetjeve të vendit dhe ato që ka planifikuar të importojë me ligjin e mbetjeve. Prostesta e djeshme e banorëve kundër impiantit të djegies dhe në mbrojtje të shëndetit të fëmijëve të tyre është shtypur me dhunë nga forca të shumta policore. Por e turpshme është dhe shpallja në kërkim policor të atyre që e filmuan dhunën e ushtruar dje. Edi Rama mbyll sytë përpara tonelatave me drogë që kalojnë çdo ditë kufijtë tanë dhe shpall në kërkim dy qytetarë që regjistruan me telefon dhunën policore. Edi Rama u jep mbrojtje kriminelëve dhe trafikantëve në kërkim ndërkombëtar dhe lëshon policinë për të dhunuar qytetarët dhe në ndjekje të dy qytetarëve që me guxim demaskuan sjelljen prej banditësh të forcave të policisë ndaj qytetarëve që nuk kërkojnë asnjë më shumë se sa të mbrojnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve të tyre. Afera korruptive me koncesionin për djegien e mbetjeve është një nga arsyet e padurimit të Edi Ramës për të miratuar ligjin e plehrave. Korrupsioni është arsyeja se pse Edi Rama i tradhtoi 65 mijë qytetarët që firmosën për refendum. Korrupsioni është arsyeja e urdhrit të Edi Ramës për të shtypur me dhunë protestën në Portëz dhe këdo që i kundërvihet këtij pushteti të kriminalizuar dhe korruptuar deri në palcë. Edi Rama i ka bërë gabim llogaritë. Historia ia ka treguar se një popull nuk mund të shtypet me polici dhe një shtet nuk mbahet me kriminelë e trafikantë.
Gati nisja e protestave
PD paralajmëron nisjen së shpejti të protestave popullore. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, tha dje se qeveria po krijon të gjitha instrumentet për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ndaj largimi i Kryeministrit Edi Rama, me çdo mjet demokratik është domosdoshmëri. “Nëse do të jetë e nevojshme për të braktisur Parlamentin për shkak se nuk po kryen funksionet për të cilat është ngritur, edhe Parlamentin duhet ta lëmë në mënyrë që t’i japim një mesazh edhe qytetarëve dhe atyre që interesohen për fatet e këtij vendi që situata është shumë e rëndë dhe po shkojmë në një rrugë pa kokë”, u shpreh ai. Spaho nuk foli për datë konkrete të protestës, por garantoi nisjen së shpejti të revoltës popullore. “Janë përkujtimore të disa ngjarjeve të rëndësishme që lidhen me demokracinë, kështu që kur them shpejt kam parasysh këto data. Ndoshta edhe më shpejt në varësi nga zhvillimet politike”, u shpreh nënkryetari i PD. “Problemi nuk shtrohet që do të hyjë apo nuk do të hyjë në zgjedhje Partia Demokratike. Sfida për shoqërinë nuk është kjo. Sfida është: organizon zgjedhje të lira dhe të ndershme Edi Rama? Nuk organizon dot”, tha Spaho. Ai tha se qeveria i ka braktisur qytetarët, ndërsa ka shkatërruar vendin, ndaj protestat popullore dhe mundësia e bojkotit të Parlamentit si instrument për largimin e Kryeministri Edi Rama janë aksione, të cilat mbështetën jo vetëm nga grupi parlamentar, strukturat dhe aleatët, por dhe nga shoqëria civile.