Terror në Tiranë, plagoset me 3 plumba shoku i Elton Çiços

Krimi ka tronditur sërish Tiranën mesditën e djeshme. Një 30-vjeçar është qëlluar me breshëri plumbash në një lokal në qendër të kryeqytetit nga një person i panjohur për policinë, duke mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në zonën e ish-Ekspozitës, afër Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ndërsa qytetarët janë përfshirë nga frika dhe paniku si pasojë e breshërisë së plumbave. Sipas burimeve, një person, i cili lëvizte me një makinë, i është afruar lokalit ku ka qenë ulur në një tavolinë Andi Mustafaraj dhe nga mjeti i tij ka qëlluar tre herë në drejtim të tij. Burimet e policisë bënë të ditur se 30-vjeçari ka marrë dy plumba, një në krah dhe një tjetër në shpatull dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Dëshmitarët bënë të ditur se, Policia mbërriti me vonesë në vendin e ngjarjes, ndonëse ish-Ekspozita është shumë afër me Drejtorinë e Policisë Tiranë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe hetuesit, të cilët bënë të ditur se po këqyrin kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja dhe bizneseve përreth në zonë për të saktësuar dinamikën e ngjarjes dhe numrin e personave që kanë qenë në makinën e autorëve. Bëhet e ditur se janë marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë, të cilët nuk kanë dhënë detaje të mjaftueshme për të identifikuar personat e këtij krimi. Grupi hetimor ka ngritur disa pista hetimore. Por dyshohet se kjo plagosje ka lidhje me disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë gjatë këtij viti.
I plagosuri Mustafaraj, sipas burimeve të policisë, ka qenë mik i ngushtë me Elton Çiçon, i vrarë pak kohë më parë në një atentat në zonën e ish-Bllokut. Të njëjtat burime sqarojnë se, plagosja e 30-vjeçarit Mustafaraj ka lidhje me ngjarjen e fillim majit të këtij viti. Në hetim janë dhe pista të tjera që kanë të bëjnë me një konflikt të çastit apo i mbartur prej disa kohësh.
Policia: I plagosuri, lidhje shoqërore me Elton Çiçon
Nga informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se Andi Mustafaraj të ketë qenë lidhje e Elton Çiços, i vrarë më 1 Maj të këtij viti, person me precedent kriminal. Policia bëri të ditur se dyshohet se, Andi Mustafaraj është qëlluar për shkak se ka qenë shok me Elton Çiçon, i ekzekutuar pak muaj më parë në Tiranë. “Më datë 28.10.2016, rreth orës 12:33, në Sallën Operative te numri 112, fillimisht është marrë njoftim për një aksident me pasojë në rrugën “Nikolla Jorgo”. Menjëherë  kanë shkuar shërbimet e Qarkullimit Rrugor për të kryer veprimet e para hetimore, por kanë konstatuar se te lokal “Merlin Monroe”, në verandën e lokalit  dyshohej të ishte  plagosur  me armë zjarri një shtetas i identifikuar pak minuta më vonë si shtetasi A.M 29 vjeç banues Tiranë.
Shtetasi i dëmtuar ishte dërguar për mjekim të menjëhershëm në Spitalin e Traumës Tiranë. Nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se shtetasi A.M, dyshohet të ketë qenë lidhje e shtetasit E. Ç, vrarë më datë 01 Maj 2016, person me preçedent kriminal. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë konstatuar tre gëzhoja dhe dy predha, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po punon intensivisht  për sqarimin e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Kamerieri i lokalit: Nuk e piu dot kafen që i çova
Kamerieri në lokalin ku pinte kafen 30-vjeçari Andi Mustafaraj ka mbetur i shokuar pas atentatit që iu bë këtij të fundit rreth orës 12:30 nga një person ende i paidentifikuar. Në një rrëfim ekskluziv për “News 24”, i riu tregon se kishte çuar porosinë në tavolinën e Andit, të cilin e njihte si klient në lokal dhe sapo ishte kthyer në banak kishte dëgjuar të shtënat. “Ishte frekuentues i rregullt e njihja vetëm si fytyrë. Sot, porositi kafen dhe një ujë pa gaz. Sapo çova porosinë dhe u ktheva në banak, dëgjova të shtënat”, tha ai.
Kamerieri thotë se, pas atentatit kafen e gjeti të derdhur mbi tavolinë, ndërsa ujin pa gaz të rrëzuar përtokë, ende të pahapur. Po sipas tij, i riu nga Tepelena kishte mbërritur në lokal me makinën e tij, e cila vijon të qëndrojë e parkuar aty.
Kujtojmë që pista kryesore mbi të cilën po heton policia është një tentativë për eliminim për shkak të përplasjes së 2 bandave për konflikte droge. Andi Mustafaraj është pjesë e bandës së Elton Çiços edhe ai i ekzekutuar në një lokal me plumb pas koke. Blutë e kryeqytetit kanë ngritur postblloqe në pika të ndryshme të kryeqytetit për të rënë në gjurmët e autorit.

Historia e atentateve dhe vrasja e Elton Çiços

Në dosjen e plotë të Prokurorisë, theksohet se Jani Aliaj dhe Renato Milloshi janë zyrtarisht dy personat e shpallur në kërkim për vrasjen e Elton Çiços, i ekzekutuar mbrëmjen e 1 Majit në një lokal në qendër të Tiranës. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga kjo ngjarje, policia nuk ka mundur të arrestojë ende të dyshuarit ndaj të cilëve ka një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata e Tiranës. Elton Çiço sipas Prokurorisë dyshohet se ka qenë autori apo porositësi i disa ngjarjeve në shenjë hakmarrjeje për dhunimin dhe grabitjen e prindërve të tij në qytetin e Tepelenës.
Kjo është arsyeja përse ai u ekzekutua me plumb në kokë në një nga zonat më të populluara të Tiranës teksa ishte në shoqërinë e një oficeri policie, një gazetari dhe një mjeku. Për fshehjen e armës së viktimës, policia arrestoi oficerin e policisë dhe mjekun, por ata u lanë të lirë nga Gjykata pak kohë më parë.
Prokuroria thotë se ka zbardhur tërësisht këtë ngjarje, madje disa nga provat e krimit sipas Prokurorisë janë gjetur në një automjet tip “BMW X6” që përdorte Jani Aliaj dhe në shtëpinë me qira të të dashurës së tij në Tiranë. Sipas dosjes së Prokurorisë rezulton se 36-vjeçari nga Tepelena është ekzekutuar me dy plumba, ndërsa lidhur me personalitetin e tij, Prokuroria dyshon tek ai si autor ose porositës i një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.
Zanafilla e këtyre ngjarjeve është dhunimi dhe grabitja e prindërve të Çiços në Tepelenë më 30 mars të vitit 2015. Disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e prindërve të shtetasit Elton Çiço dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre u kanë vjedhur një sasi prej 5000 eurosh dhe janë larguar. Gjatë hetimeve në lidhje me këtë ngjarje janë identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje, të cilët kanë rezultuar të jenë shtetasit Ervis Imeri, Robert Rama, Sokol dhe Arben Jella.
Pas kësaj ngjarje dyshohet se shtetasi Elton Çiço ka nisur të hakmerret ndaj personave që dhunuan dhe grabitën prindërit e tij. Më 08.06.2015, rreth orës 20:00, në lagjen nr.17/1 të qytetit të Durrësit është vrarë me armë zjarri Robert Rama. Më 12.07.2015, në automjetin e markës “Fiat”, model Cinquecento, me targa “AA 021 HD”, në përdorim të shtetasit Ervis Imeri është vendosur një sasi prej 600 gr lëndë eksplozive (tritol) e lidhur me një telefon, e gatshme për t’u shpërthyer. Aktivizimi i lëndës plasëse nuk është kryer, sepse Ervis Imeri e ka diktuar lëndën shpërthyese.
Më 07.12.2015, në Kombinat, si pasojë e shpërthimit të një lënde eksplozive është shkatërruar automjeti i markës “Wolkswagen”, model “Golf”, me targa “AA 880 BX”, ku brenda ishte pronari, Elton Imeri, vëlla i Ervis Imerit. Si pasojë e shpërthimit Elton Ymeri është gjymtuar, duke humbur një nga këmbët.
Sipas Prokurorisë dyshohet që këto ngjarje të rënda kriminale e kanë pikënisjen nga ngjarja e datës 30.03.2015 e ndodhur në qytetin e Tepelenës, dhe se sipas tyre është hakmarrja e Elton Çiços. Në vijim të hetimeve, policia ka njoftuar që viktima ka pasur një konflikt serioz me shtetasin Jani Aliaj, i plagosur me thikë në një burg në Greqi nga Çiço.
Jani Aliaj është tentuar të vritet rreth një javë para vrasjes së Elton Çiços, ngjarje e ndodhur në Gjirokastër. Sipas informacionit të policisë, autori i vrasjes së Elton Çiços, ka zbritur nga një automjet “Ford Focus”, ngjyrë e errët, me targa të palexueshme. Në parkingun e kompleksit të pallateve te ish-Parku është konstatuar e braktisur autovetura “Ford Focus” me targa AA 560 NX, për të cilën nuk interesohet njeri.
Mjeti është në pronësi të shtetasit Renato Milloshit, person i cili ka transportuar autorin e vrasjes së Çiços. Këto prova janë konfirmuar edhe nga analizat e AND-së së një bishti cigareje të gjetur pranë vendit të ngjarjes si dhe nga qelizat e antenave telefonike. Por pavarësisht provave, policia nuk ka mundur të gjejë ende autorët e dyshuar të vrasjes se Elton Çiços.

R.POLISI

Artikulli paraprakOSBE: Të zbatohet ligji për hapjen e dosjeve
Artikulli tjetërAvionët me drogë nga Durrësi deri në Belsh