Avionët me drogë nga Durrësi deri në Belsh

Avionët e drogës po shafqen për çdo ditë në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme, avionët e kanabisit kanë fluturuar në Durrës, Fier, Divjakë, Lushnjë dhe disa herë në Belsh të Elbasanit. Denoncimet janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë dërguar edhe foto të avionëve në rrjetet sociale. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa foto të avionëve të drogës, duke publikuar edhe mesazhet e qytetarëve.
“Qielli me bullana mbuluar. sb”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar mesazhet e qytetarëve nga Durrësi, Fieri Lushnja, Divjaka e Belshi.
“Mirëmëngjes doktor. Kjo foto është bërë sot në fshatin Zharrëz të Fierit. Eshtë një avion çarter, nuk duket edhe aq mirë se ishte në lartësi të madhe. Fotot janë bërë në orën 9:16 minuta”, shkruan një qytetar nga Fieri.
“Avionët e Saimir Tahirit plot me hashash nga zona e Divjakës dhe Vilbeshtova ulen dhe ngrihen çdo mbasdite mes dy kodrave në afërsi të pyllit të Bedenit. Respekte doktor”, shkruan një qytetar nga Divjaka.
“Mushkonjat në Remë të Lushnjës”, shkruan një qytetar tjetër. “Avioni Durrës, Sektor “Rinia”.
“Mirëmëngjes doktor. Mushkonjat e kanabisit janë kudo. Sot, janë parë të lëvizn disa herë në Belsh”, shkruan një qytetar nga Belshi.
Avioni i drogës në Durrës është filmuar nga qytetarët, të cilët e kanë hedhur videon në internet. Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale duket një avion sportiv që fluturon në kuota të ulëta. Qytetarët në komentet e tyre thonë se, të tillë avionë, që transportojnë drogë, janë parë edhe në shumë zona të tjera, kryesisht ato të kultivuara me kanabis.
“Edhe në malet e Shkodrës ka shumë avionë të tillë”, shkruan një komentues në faqen “Jeta Osh Qef” që ka publikuar videon. Ndërsa diçitura që shoqëron videon, thotë: “Zgjohen me vonesë ‘mushkonjat’ e Durrësit, por prapë ngelen punëtore”.
Edhe qytetarët e Fierit kishin filmuar mëngjesin e djeshëm një avion në fluturim, imazhe këto të shpërndara me shpejtësi në rrjetet sociale, ku nuk munguan as aludimet që ai mund të ishte me drogë. “Mirëmëngjes nga Fieri! “Mushkonjat” janë zgjuar herët sot”, shkruante JOQ teksa postonte fotot. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka reaguar duke deklaruar se, “avioni i fotografuar sot në Fier është pjesë e flotës së Projektit 6-vjeçar të Ministrisë së Bujqësisë, i cili zbatohet nga projekti PAZA II, për vaksinimin e dhelprave kundër tërbimit”. Të njëjtën deklaratë bëri kjo ministri edhe para një viti për avionët e drogës që fluturonin në Divjakë, duke deklaruar se ishin avionë që po spërkatnin me helm pyllin e Divjakës kundër mushkonjave, por vetëm një javë më pas, një avion droge u rrëzua në plazhin e Divjakës, duke nxjerrë zbuluar mashtrimet e qeverisë.
Në fakt, “mushkonjat” e qeverisë shfaqen për çdo ditë për t’u ngarkuar me kanabis. Pak ditë më parë, një avion u filmua në zonën mes Durrësit dhe Lezhës. Ministria e Mbrojtjes reagoi, duke sqaruar se bëhej fjalë për një avion të një vendi aleat. Vetëm në rastet kur avioni me drogë ngec në rërë apo nuk ngrihet dot në ajër, si pasojë e ngarkesës së madhe të kanabisit, si në rastin e Ishmit, qeveria zihet ngushtë. Por edhe në këto raste e quan si një “sukses” të saj goditjen e kanabisit që në tokë pa u ngritur në ajër.
Ndërkohë, trafikantët që bashkëpunojnë me zyrtarët e lartë kanë improvizuar pista të posaçme në vende të caktuara për uljen e avionëve për t’u ngarkuar me kanabis.
Pas zbulimit të pistës së avionëve në Ishëm, janë zbuluar pista avionësh edhe në Nivicë të Tepelenës dhe një tjetër në Berat.

R.POLISI

Artikulli paraprakTerror në Tiranë, plagoset me 3 plumba shoku i Elton Çiços
Artikulli tjetërKot lehin zagarët e rrugëve, dhëmbët e tyre nuk kafshojnë