Askush nuk ka dyshime se Rey Manaj është një prej talenteve më premtues të Serisë A italiane. Jo rastësisht Interi beson te sulmuesi, duke vendosur të ketë pronësinë e kartonit, ndërsa e huazoi te Pescara gjatë këtij sezoni, aty ku 19-vjeçari ka gjetur hapësira për t’u aktivizuar. Lojtari i kombëtares shqiptare është përfshirë në listën e 15 talenteve të rinj të Serisë A për këtë sezon: lojtarë me të ardhmen përpara, por që janë kthyer menjëherë në protagonistë. Në krye të listës qëndron portieri 17-vjeçar i Milanit, Gianluigi Donnarumma, që vlerësohet si pasardhësi i legjendarit Buffon te Italia.
Pas tij, pozicionohet menjëherë Rey Manaj, që në moshën 18-vjeçare debutoi me Interin në elitën e futbollit italian, ndërsa në këtë sezon te Pescara regjistron 7 ndeshje, nga të cilat dy si titullar. Në total djaloshi i lindur në Lushnjë ka qëndruar për afro 300 minuta në fushë, duke realizuar edhe dy gola. Një talent, me klas, grintë dhe potencë, tek i cili Interi dhe Shqipëria kanë shumë shpresa për të ardhmen.
Mes yjeve të tjerë të rinj të Serisë A janë edhe emra si Gerson i Romës, Diawara i Napolit apo edhe Manuel Locatelli i Milanit, autori i golit fantastik, që fundjavën e kaluar i dhuroi fitoren “Djallit” përballë Juventusit.