Riaftësimi i Sadikut në qendrën mjekësore të Juventusit

Armando Sadiku vazhdon fazën e rehabilitimit, pas ndërhyrjes kirurgjikale në meniskun e gjurit. Sulmuesi i kombëtares, që prej disa ditësh ndodhet në Torino, ku po zhvillon fizioterapi në qendrën mjekësore të Juventusit, J Medical Torino, publikoi imazhe të punës.
Përkrah tij ndodhet gjithmonë mjeku i ekipit kuqezi, Gianluca Stesina, i cili po kujdeset për çdo fazë të rikuperimit, si edhe për ushtrimet që 25-vjeçari duhet të zhvillojë, për të rifituar forcën dhe sigurinë.
Në videon e publikuar, Sadiku shfaqet mjaft i përqendruar dhe i motivuar në stërvitjen speciale që kryen, me synimin që të rikthehet sa më shpejt në fushat e lojës. Objektivi i sulmuesit është të jetë në dispozicion të kombëtares për ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2018, ku Shqipëria do të presë Izraelin më 12 nëntor, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Deri më tani, faza e rehabilitimit ka ecur sipas parashikimeve, ndërsa lojtari dhe stafi kuqezi janë optimistë, pasi një ndihmë e jashtëzakonshme është edhe qendra moderne mjekësore e Juventusit.
Instituti i specializuar, në të cilin tashmë kuqeziu Stesina ka punuar si mjek përgjegjës për ekipin e parë të Juventusit gjatë 4 viteve të fundit është struktura mjekësore sportive më e rëndësishme në Itali. Një investim me vlerë 10 milionë euro nga kampionët e Italisë, që pritet të bëjë mrekullinë edhe për kombëtaren shqiptare.

Artikulli paraprakManaj mes talenteve të Serisë A
Artikulli tjetërMou: Më mirë 1 humbje 4-0 se sa 4 humbje 1-0