Flet drejtuesi lokal i PD që ju vendos eksplozivi: U shokuam familjarisht, nuk kemi konflikt me askënd

Kreu i Partisë Demokratike të grupseksionit qytet, në Shijak, Ilgner Vora, deklaroi sot se ia ka lënë Policisë së Shtetit, hetimin për eksplozivin që iu vendos mbrëmjen e djeshme, shtëpisë së tij në lagjen Kodra në Shijak. Në një prononcim për Syri Tv, z. Vora tha se ishin të shokuar të gjithë si familje nga ajo që ndodhi pasi nuk kishin pasur konflikte me askënd.

“Procedura deri tani është që çdokush nga familjarët të japë deklaratën në komisariatin e Shijakut. Siç e shikoni, ne jemi të shokuar nga ky rast për shumë mijë arsye, sepse nuk kemi pasur konflikt me askënd. Thjesht kemi një biznes tonin familiar dhe ushtroj, gjatë tre viteve (detyrën) si kryetar i grupseksionit të Shijakut. Ndoshta mund të jetë edhe kjo pista…”, tha Vora.

Pyetje: Mund të ketë lidhje me pjesëmarrjen tuaj gjatë zgjedhjeve apo me aktivitetin tuaj politik?

“Atë më shumë duhet ta vërtetojë komisariati i Shijakut ose Drejtoria e Policisë e Durrësit. Ia kemi lënë atyre të merren me situatën, deri tani nuk dimë asgjë më tepër përveçse jemi të shokuar familjarisht. Kjo është gjithçka”, tha Vora.

Pas ngjarjes, PD e dënoi rastin si një akt kriminal i papranueshëm dhe kërkoi vënian përpara përgjegjësisë së autorëve:

“Duke i shprehur të gjithë solidaritetin familjes Vora, ne e konsideruar këtë akt kriminal të papranueshëm, të rëndë dhe kërkojmë zbardhjen pa vonesa të kësaj ngjarje dhe vënien menjëherë përpara përgjegjësisë të autorëve. Ngjarje të rënda si kjo dhe aktet kriminale të kohëve të fundit, janë thirrje ulëritëse për organet ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi, profesionalizën dhe paanësi për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe jetës e pronës së qytetarëve”.

Artikulli paraprakGazetari për Ramën: Me çonte mesazhe në 3 të natës, më tha, rrugët tona ndahen…
Artikulli tjetërKAS i është bindur urdhrave politikë të Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Damian Gjiknurit dhe Taulant Ballës