90 minuta emocione

E diela vjen me supersfidën Southampton-Chelsea. Të zotët e shtëpisë në pesë takimet e fundit në stadiumin e tyre “Saint Mary” nuk kanë humbur në asnjë rast. Shenjtorët momentin e mirë të tyre e reflektuan dhe në ndeshjen kundër Man.City, ku futbollistët e trajnerit Claude Puel arritën të merrnin një barazim, në transfertën kundër Citizens. Blutë e Londrës gjithashtu duket se kanë arritur të rigjejnë suksesin dhe formën e mirë fizike. Fitorja ndaj Manchester United me rezultatin e thellë 4-0 për momentin sheshon zërat se skuadra e Antonio Contes është në krizë. Chelsea ka arritur të grumbullojë 9 pikë të plota në 3 takimet e fundit. Të dy skuadrat kanë regjistruar rezultate pozitive në javët e fundit dhe nisur nga kjo është e vështirë të japësh një parashikim, se cili prej tyre do të arrijë të fitojë.
Parashikohet një futboll i mbyllur, por argëtues, pasi në Premier League sfida të tilla dhurojnë gjithmonë magji. Trajneri i Chelsea, Antonio Conte i ka idetë e qarta në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushën e blertë. Do të jetë pak a shumë i njëjti me atë në fitorën e thellë kundër Man.United, pra me një rreshtim 3-4-3. Një tjetër element i rëndësishëm tek Blutë e Londrës është mbrojtja, ku në tre takimet e fundit në kampionat nuk ka pësuar asnjë gol. Reparti i prapavijës, gjatë kohës kur Conte drejtonte Juventusin ishte arma e tij më e fortë dhe kërkon me çdo kusht që të njëjtën filozofi ta imponojë edhe tek Chelsea. Në tetë transfertat e fundit, Blutë e Londrës kanë një bilanc pozitiv, me pesë fitore dhe dy barazime, ndërsa Southampton regjistron vetëm dy fitore, 5 barazime dhe 7 humbje. Fitorja është objektivi kryesor i të dy ekipeve, se kush prej tyre do ta arrijë, kjo mbetet për t’u parë.
Në Angli është kthyer frika e huliganizmit, pas episodeve të dhunshme në derbin londinez, të luajtur të mërkurën e kaluar ndërmjet West Ham dhe Chelsea, në Kupën e Ligës. Reagimi i parë pas incidenteve erdhi nga klubi i West Hamit, që mori menjëherë masa ndaj 200 tifozëve të tij.
Ndëshkimi ndaj mbështetësve varion nga ndalim i hyrjes në stadiumin “Olimpik” të Londrës deri në fund të sezonit, ndërsa dënimi më ekstrem ishte përjashtimi përjetë nga ndeshjet e skuadrës. Gjithashtu, nëse incidentet do të përsëriten, “Hammers” do të luajnë me dyer të mbyllura dy ose tre ndeshjet e radhës në shtëpi.
Në këtë mënyrë, futbolli anglez i është përgjigjur me zero tolerancë dhunës në stadiumet e futbollit. Mbarë opinioni u trondit nga ngjarja, kur në fund të sfidës së fituar nga skuadra e Bilic, në sektorin e tifozëve të West Ham shpërthyen grushtet dhe fluturonin stolat, me mbështetësit vendas që tentuan të kalonin murin e krijuar nga forcat e sigurisë, për të depërtuar deri në tribunën ku ishin akomoduar tifozët e Chelsea-t. Alarmi i parë erdhi prej Kampionatit Europian në Francë, ku huliganët anglezë ishin protagonistë të përplasjeve të dhunshme me rusët. Pas incidenteve në derbin e Londrës, ku u arrestuan 7 tifozë, ndërsa Federata angleze nisi hetimet, në lëvizje u vu edhe qeveria.

Artikulli paraprakMou: Më mirë 1 humbje 4-0 se sa 4 humbje 1-0
Artikulli tjetërFerguson: Klop ka ringjallur Liverpulin