Benfica nuk di të ndalet dhe “shqiponjat” fituan pa shumë probleme ndeshjen hapëse të Javës së 9, të kampionatit portugez. Në “da Luz” kampionët në fuqi vuajtën disi, deri sa zhbllokuan rezultatin, ndërsa më pas ekipi i Rui Vitorias dominoi në të gjithë aspektet skuadrën e Pacos Ferreira-s. Vendasit e vlerësuan në maksimum këtë takim dhe goli erdhi si rrjedhë logjike e lojës. Meritë për këtë ka sulmuesi 19-vjeçar Goncalo Guedes, i cili në 26′ shfrytëzoi në së miri topin e marrë nga argjentinasi Cervi, për të hapur serinë e golave. (efekte)
Goli i dytë vonoi ca, por sidoqoftë në 64′ argjentinasi tjetër Eduardo Salvio qetësoi të pranishmit, duke shfrytëzuar asistin e marrë nga Eliseu. Në vazhdim, futbollistët e Benfikës administruan shkëlqyeshëm rezultatin, madje 3′ para fundit “shqiponjat” shënuan edhe golin e tretë, me anë të mesfushorit Pizzi, duke vulosur përfundimisht rezultatin, me shifrat 3-0.
Për kënaqësinë e trajnerit Rui Vitoria, skuadra nuk pësoi gol, për të katërtën ndeshje radhazi, ndërkaq falë fitores së shtatë rresht, Benfica ngjitet në kuotën e 25 pikëve, dhe vazhdon të udhëheqë kampionatin luzitan, e në pritje të reagimit të Portos “shqiponjat” e çojnë kështu në 6 avantazhin e tyre ndaj “dragonjve”.