Gjermania dhe përçartjet e Boratit

Dr. Erion DASHO

PËRÇARTJET E MAJIT

Në muajin maj 2020, Borati hodhi idenë e çmendur se Shqipëria e kontrollonte epideminë 10 herë më mirë se Gjermania dhe 50 herë më mirë se Italia. Në fakt, Shqipëria sapo kishte dalë nga një karantinë e pakuptimtë, totalisht e papërgatitur për tu përballur me pandeminë.

Për krahasim, Gjermania dhe Italia e kishin shfrytëzuar periudhën e karantinës për të riorgnizuar jetën publike dhe veprimtarinë ekonomike, përfshi edhe riorientimin e shërbimeve shëndetësore në kushtet e një prej pandemive më të egra të shekullit të fundit.

Shqipëria, kishte dëgjuar ndërkohë përrallat e Boratit që shitej si babai i kombit, ndërkohë që shpërdoronte keqazi ndihmat bujare të Bashkimit Europian (ku Gjermania është donatori dhe taksapaguesi kryesor).

Në maj 2021, situata flet vetë. Gjermania ka patur rreth 60 vdekje shtesë për 100,000 banorë, ndërsa Shqipëria e Boratit mbi 400! Gjermania ka vaksinuar me vaksina perëndimore mbi 50% të popullatës (me një dozë) dhe 17% me dy doza, ndërkohë që Shqipëria e Boratit këto parametra i ka 21% dhe 11%.

Në Shqipërinë 30 herë më të vogël se Gjermania kanë vdekur nga COVID plot 15 mijë persona, ndërkohë që në Gjermani rreth 120 mijë. Vetëm parametri i fundit mjafton dhe provon se vdekshmëria nga COVID në Gjermani ka qenë afërsisht katër herë më e ulët se në Shqipëri, në kohën kur Gjermania është një vend me popullsi shumë herë më të moshuar se Shqipëria!

Çuditërisht, në vend që të dërgojë ndonjë nga antarët e komitetit të vet të të paaftëve për të mësuar diçka nga Gjermania, Borati doli dje dhe i dha mend ministrit gjerman të shëndetësisë.

Së pari, e “fshikulloi” atë keqazi duke e akuzuar se duke përfshirë Turqinë dhe Ballkanin në debatin mbi COVID, po fshihte “dështimet gjermane” në përpjekjet për kontrollin e COVID!

Së dyti, e këshilloi mikun gjerman të merrte shembullin e Shqipërisë dhe të kujdesej për vaksinimin e qytetarëve gjermanë! Pra vendi që ka vaksinuar 50% të popullsisë me vaksina perëndimore, duhet të marrë shembull vendin që ka vaksinuar 20% me vaksina kineze!!!

Përçartjet pranverore të Boratit të kujtojnë dy personazhe groteskë të historisë shqiptare. I pari është Haxhi Qamili që deklaronte se “sa të kishte Peqinin dhe Shijakun, nuk frikësohej nga Franca dhe Anglia”.

I dyti është komunisti kuçiot që i thoshte delegacionit të partisë komuniste franceze “mos u mërzitni, shokë francezë, se edhe Parisin do ta bëjmë si Kuçin”!

Borati, boratët dhe mbështetësit e tyre le ta vendosin vetë se kujt i ngjan më tepër Borati ynë…

Artikulli paraprakKur do të flasim për “gjenocidin” e ujit?
Artikulli tjetërVeliaj paditet për abuzim me fondet e Rindërtimit në fushatën zgjedhore