Basha nga Korça: PD është garancia për ta bërë realitet aspiratën e shqiptarëve për ndryshim!

Kush mendon se ne dorëzohemi, nuk na njeh mirë

Korçë

Përgjegjësia që kemi marrë mbi supe kur kërkuam dhe primë betejën për ndryshim, është një mision të cilin nuk mund ta realizojë askush përveç nesh, përveç jush. E vërteta është që e vetmja forcë politike që mund ta vazhdojë këtë betejë deri aty ku e duan shqiptarët, deri aty ku e deshën më 25 prill dhe sot e duan edhe më shumë, edhe ata që kanë parë me sytë e tyre se çfarë po i kushton familjeve të tyre, komunitetit dhe mbarë Shqipërisë. Pengimi i dhunshëm i ndryshimit më 25 prill.

Forca jonë të dashur miq, vëllezër dhe motra, është vendi të them këtu në Korçën e qytetarisë, ka qëndruar gjithmonë qytetaria, tek vlerat jo tek anti-vlerat. Tek aleanca me njerëzit, me qytetarët, me shtresat e ndryshme që përfaqësojnë shoqërinë profesionale, të të gjitha llojeve, të të gjitha fushave dhe jo tek aleanca me krimin. Tek dalja para tyre me program, me ide , me zgjidhje dhe jo tek dalja para tyre me banda e me para për të blerë votën. Tek dalja para tyre me njerëz të ndershëm dhe jo me kriminel, me njerëz të dhunshëm. Kjo ka qenë rruga jonë, kjo ka qenë arsyeja pse shqiptarët na ndoqën, sepse në fund të fundit ju i bëtë të besonit se betejën nuk po e bënim për karrigen e kryeministrit, as për karriget tuaja, por po e bënim për ndryshimin që kërkonte dhe kërkon çdo shqiptarë.

Parakushti për fitoren e kësaj beteje. Parakushti për kthimin e demokracisë me të cilën këto zgjedhje s’kishin asnjë lidhje, mbetet pra, vazhdimi i kësaj qëndrese, vazhdimi i këtij bashkimi krah më krah me njëri-tjetrin. Ky është për mua dhe objektivi numër një i kësaj gare të brendshme e cila diktohet nga rregullat statusore. Kjo është kërkesa ime e parë që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, në fakt edhe më të bashkuar sesa hymë sepse përgjegjësia historike me të cila na kanë ngarkuar shqiptarët, fatet e vendit, fatet e këtij qyteti, të këtij qarku shkojnë përtej interesave dhe fateve të çdo individi. Këto zgjedhje apo kjo garë brenda partisë, është një moment pa diskutim i mirëpritur dhe që i fakton mbarë opinionit publik të kundërtën e asaj që thuhet që ne jemi një parti e hapur e bazuar në vlera, që ne jemi një parti e garës, jemi pra një parti e qytetarisë, një parti europiane.

Dhe pa diskutim ajo që kjo garë dëshmon, është demokratët gjithmonë e kanë mirëpritur hapjen, provat janë edhe në këtë garë, ku shumë prej kandidatëve janë produkt i hapjes. Dhe hapi i parë në vazhdimin e kësaj beteje është 13 qershori, ku pjesëmarrja dhe prania në një proces demokratik të brendshëm do t’i tregoje jo thjesht demokratëve, jo thjesht anëtarëve të familjes tonë politike, simpatizantëve, ndjekësve, votuesve tanë, por gjithë Shqipërisë se ne jemi dhe mbetemi garancia për ta çuar betejën dhe aspiratën e tyre për ndryshim deri në fund.

Pogradec

Jo vetëm do jem përjetësisht mirënjohës, por do të luftoj deri në frymën time të fundit në çfarëdo pozite që çdo pikë djerse dhe sakrificë e çdo demokrati të Pogradecit dhe të gjithë Shqipërisë mos të shkoj dëm.

Megjithatë nxitimi dhe paqartësia që mund të sundoj në zemrën e dikujt, nuk mund të kthehet në arsye për të hedhur poshtë atë që kemi ndërtuar me sakrificë, me djersë, më vuajtje dhe me gjak, së bashku këto vite. Unë e dua Partinë Demokratike kështu siç e doni ju, të fortë e të pandarë e të bashkuar. Ndaj, dhe synimi kryesor i çdo demokrati është që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, madje edhe më të bashkuar sesa futemi në këtë garë. Vetëm kështu mund të vazhdojmë betejën tonë të luftojmë dhe të mundim armikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve, regjimin dhe njeriun që kryeson këtë regjim Edi Ramën.

1 39

Artikulli paraprakVeliaj paditet për abuzim me fondet e Rindërtimit në fushatën zgjedhore
Artikulli tjetërBasha: 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore. Betejën kundër regjimit Rama-Doshi do ta çojmë bashkë në fitore!