Reali i Madridit dhe Cristiano Ronaldo dijnë si të jenë fitimtarë dhe në një sfidë ku portugezi humbet një 11-metërsh, por në krahun tjetër shënon një 3 golësh që të bën të harrosh atë gabim nga penalltia. Pikërisht CR7 ishte ylli që shkëlqeu më shumë te los blancos në transfertën me Deportivo Alaves-in, duke zgjidhur pothuajse i vetëm ndeshjen ndaj një kundërshtari që këtë vit kishte mundur në “Camp Nou” Barcelonën dhe në minutat e para krijoi iluzionin e një tjetër suksesi të bujshëm kur arriti të shënojë që në të 7-ën me anë të Deyverson.
Festa e vendasve zgjati vetëm 10 minuta, kur Ronaldo mendoi të niste shfaqjen personale, fillimisht duke mos gabuar nga pika e bardhë. Megjithatë, Cristiano nuk mund të mjaftohej me vetëm një gol nga penalltia dhe në të 33-tën realizoi pas një aksioni personal i ndihmuar dhe pak nga fati golin e 1-2.
Në pjesën e dytë në fushë ishte vetëm Reali dhe në të 79-ën po Ronaldo pati mundësinë për të mbyllur ndeshjen po nga pika e penaltisë, por këtë herë gaboi. Gjithsesi, shpresat e Alaveshit për një rezultat pozitiv morën fund shpejt, pasi në të 84-ën, Alvaro Morata shënoi dhe golin e 1-3, përpara se Ronaldo të mbyllte ndeshjen, ashtu siç e hapi me golin e 1-4, që ishte dhe i treti personal. Një fitore bindëse për los blancos që vazhdojnë të ruajnë kështu kreun e klasifikimit në Primera Divizion.