Partia Demokratike do të nisë betejën në gjykatë për zgjedhjet e 25 prillit. Pas rrëzimit të kërkesave nga ana e KAS, PD do të dërgojë çështjet në Kolegjin Zgjedhor.
Juristi Marash Logu shprehet se ky është një test për kolegjin, nëse do të jetë i paanshëm apo në shërbim të Ramës, si me fletët e votimit.
Reagimi i juristit Marash Logu
Prej tre javësh qytetarët shqiptarë kanë dëshmuar me zë e figurë nga salla e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve faktet e pakundërshtueshme të masakrës zgjedhore të 25 prillit:
Blerje masive e votës nëpërmjet individëve me rekorde të tmerrshme kriminale
+10.003 leje legalizimi
+13.000 punonjës të rinj në administratë qendrore
63 milionë euro paga shtesë
2.5 milionë euro ndihma ekonomike
1.9 milionë euro “paga lufte”
125 milionë euro pagesa për tërmetin
500% më shumë tendera publikë se mesatarja e 5 viteve të fundit
83 mijë fletë votimi të pavlefshme
523 mijë qytetarë pa të drejtë vote
910 mijë vjedhje të të dhënave personale
Për vërtetimin e secilit prej këtyre fakteve, Partia Demokratike vendosi në dispozicion të KAS mbi 600 faqe shpjegime dhe 450 prova shkresore, foto dhe video. Por, fatkeqësisht tre noterët e masakrës zgjedhore vendosën të sillen si shërbëtorë të Edi Ramës, në vend të zbatimit të ligjit. Ata mbyllën sytë para qindra fakteve e provave, dhe refuzuan paligjshmërisht 171 kërkesa për transparencë të plotë mbi masakrën elektorale të 25 prillit.
Megjithatë, pas dorëzimit të 5 padive të para, nga nesër vazhdojmë betejën në Kolegjin Zgjedhor. Nesër i takon Kolegjit të vendosë nëse do të jetë në anën e ligjit, duke pranuar provat tona dhe marrë çdo provë të kërkuar për të vërtetuar plotësisht masakrën zgjedhore të 25 prillit, apo do të vazhdojë historinë e vendimeve si ai i fletëve të votimit që bëri nul vullnetin e 83 mijë shqiptarëve.
Në çdo rast, ne i qëndrojmë besnik angazhimit tonë solemn para të gjithë shqiptarëve: beteja do të vazhdojë në çdo front, me të gjitha mjetet dhe mundësitë që ekzistojnë. Sepse kjo nuk është betejë as për anëtarët e KAS-it, as për gjyqtarët e Kolegjit, madje as për partitë politike, por për gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët janë viktimat e vërteta të 25 prillit.