TVSH: I testuar – I vaksinuar – I shëruar…

Nga Erion DASHO

Prej disa javësh në Gjermani, kur flitet për hapjen e sigurt, flitet për tre G-të, që i korrespondojnë shkronjës së parë të fjalëve i shëruar, i vaksinuar apo i testuar.

Kjo do të thotë se personat e vaksinuar, testuar ose shëruar prej COVID-it janë të sigurt për t’u angazhuar në veprimtari të ndyshme të jetës së përditshme. Në një drekë shoqërore para disa ditësh, të ftuarit u tregonin hapur të tjerëve se cilës prej tre G-ve u përkisnin.

Në Shqipëri, tre G-të përkthehen në TVSh (i testuar, i vaksinuar, i shëruar), një akronim i lehtë për t’u mbajtur mend në sajë të tatimit të famshëm të cilit askush nuk i shpëton dot.

Por a ka nevojë Shqipëria që ka arritur imunitetin e grupit, të zbatojë TVSh-në?

Me aq sa dimë teri tani, PO!

Arsyeja kryesore është se ndërsa shoqëria shqiptare është e mbrojtur nga valët e reja epidemike, individë të caktuar ende mbeten vulnerabël. Mundësia e tyre për t’u prekur nga COVID-i është ulur ndjeshëm (sepse i mbron imuniteti i grupit) por nuk është zero. Dy janë skenarët e rrezikshëm:

  1. Rastet e importuara: nëse familjarët e një personi të pavaksinuar (ose të vaksinuar me vaksinën kineze) dhe që nuk e ka kaluar sëmundjen, vijnë nga një vend ku epidemia ende vazhdon, ata rrezikojnë ekspozimin dhe sëmundjen.
  2. Mutacionet: deri tani personat që kanë kaluar infeksionin duken të mbrojtur ndaj mutacioneve ekzistuese, ndonëse të dhënat përfundimtare ende mungojnë. Personat e vaksinuar janë më pak të mbrojtur. Në këto kushte, hyrja e mutacioneve rrezikon të rikthejë të paktën shpërthime të izoluara të sëmundjes të cilat edhe kur nuk shndërrohen në “valë”, mund të pasohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lokalizuar.

Për këto arsye, duhet të merren masat e mëposhtme në përputhje me parimet e TVSh-së:

  1. Aplikimi i TVSh-së për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Shqipëri.
  2. Vendosja e karantinës së detyruar për të gjithë udhëtarët që vijnë nga një prej vendeve ku qarkullojnë mutacione (p.sh. India aktualisht).
  3. Testimi i rregullt i personave me shenja që sugjerojnë për COVID.
  4. Testimi i pjesëmarrësve në veprimtari masive qoftë publike, qoftë private (gëzime dhe hidhërime familjare, dreka e darka, etj.), sidomos në se ata as janë vaksinuar dhe as e kanë kaluar COVID-in.

Ndonëse shumë autoritete shkencore prestigjioze bëjnë thirrje për të mos thirrur para kohe “fitore” në raport me pandeminë, pjesa më e madhe e tyre i referohen situatave të ndryshme nga Shqipëria, në vende ku imuniteti i grupit është arritur nëpërmjet vaksinimit.

Shqipëria është shembulli i parë dhe i vetëm në botë deri tani ku, në sajë të papërgjegjshmërisë së qeverisë, imuniteti i grupit u arrit në rrugë natyrore.

Nga përvoja e epidemive paraardhëse, mund të themi se shqiptarët si shoqëri e kanë shmangur përfundimisht rrezikun e COVID-it. Në Shqipëri, COVID-i mund dhe do të rikthehet sikundër rikthehet çdo vit gripi i stinës, por epidemi nuk ka gjasa të ketë. Të paktën me këto mutacione që njohim deri tani.

Për të shmangur jo vetëm rrezikun për shoqërinë, por edhe atë për individët (sidomos për të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundje kronike të caktuara), zgjidhja është TVSh-ja!

Sa më parë të zbatohet, aq më pak raste dhe vdekje nga COVID-i do të shohim në javët dhe muajt në vijim!

Uroj që ky rekomandim të bjerë në veshë që dëgjojnë…

Artikulli paraprakThellohet skandali! Ben Blushi dhe pronarja e Top-Channel themelojnë kompani në Tiranë me pronarët e inceneratorëve
Artikulli tjetërPD nis betejën në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso paraqet provat: Ja si qeveria përdori çdo burim shtetëror për të ndikuar zgjedhjet