Kampionë Europe/ 13 qershor 1956: Real Madrid përballë Stade de Reims

Jean dhe Robert arritën në stadium krah për krah. Imagjinoni skenën e një filmi: dy mesoburra që ecnin midis turmës në një mbrëmje të ngrohtë mesi qershori në Paris… Pa ngjyra, pasi ishte viti 1956 dhe filmi mund të ishte vetëm në bardhezi! Po, një mal me gjëra nuk ekzistonin akoma, edhe në futboll. Për shembull himni i Champions League dhe, për hir i së vërtetës, as vetë Champions, e cila në atë kohë quhej akoma Kupa e Kampionëve. Nuk ekzistonin as zëvendësimet (lojtarët e dëmtuar qëndornin në fushë, edhe duke çaluar), as emrat nëpër fanella apo ndalimi për portierin që të kapte me duar topin nga pasimet prapa. Nuk ekzistonin as pay-tv. Futbolli ishte një botë e mrekullueshme në rrugë përkufizimi. Njëlloj si Europa. Të dy burrat u udhëhoqën nga një i ngarkuar me sigurinë drejt vendeve të tyre, në tribunën e nderit. Përreth tyre tribunat qenë tashmë të mbushura plot. Prej disa minutash skuadrat kishin hyrë në fushë për fazat e fundit të nxemjes.
«Qenka Alfredo Di Stefano!», tha Robert duke fiksuar një lojtar që po ushtrohej duke gjuajtur në portë. Pjesa e stadiumit e zënë nga tifozët spanjollë brohoriste çdo herë që topi përfundonte në rrjetë, edhe pse ndeshja nuk kishte filluar akoma.
«Ku? Ah, ja ku qenka!». Jean kapi monoklin, e vuri në sy dhe i drejtoi për nga jashtëklasi i Real Madridit. “Parku i Princave” ishte plot me tifozë që kishin ardhur apostafat për të.
Ishte 3 qershori i vitit 1956 dhe Real Madrid – Stade de Reims, finalja e edicionit të parë i Kupës së Kampionëve, qe edhe një prej gurëve të parë në ndërtimin e Europës së bashkuar. E mbani mend flamurin blu me 12 yje të verdhë? Ishte shpalosur për herë të parë pak muaj përpara kësaj ndeshjeje dhe nuk kishte kaluar shumë kohë qysh kur, prillin e vitit 1951, 6 vende kishin firmosur traktatin kushtetues e CECA-s, domethënë Komunitetin Europian e Qymyrit e të Çelikut, bërthama e parë e atij që do të bëhej më pas Bashkimi Europian i sotëm. Nëpërmjet kësaj aleance, francezë, gjermanë dhe italianë kishin ndarë prodhimet e tyre të çelikut e të qymyrit, por prapa marrëveshjes ekonomike fshihej vullneti për të bashkuar vende, të cilat në luftë kishin qenë armiq, kundërshtarë, në emër të paqes së ardhshme. Dhe kjo kishte ndodhur edhe falë Jean dhe Robert. Në fakt, duhet ta dini se Jean dhe Robert qenë dy politikanë francezë.
Robert, që mbiemrin e kishte Schuman, ishte rreth të 70-ave. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte mbyllur në një kamp burgosjeje dhe, nga fundi i konfliktit, kishte mbuluar role gjithnjë e më të rëndësishme në qeverinë franceze. Por do të hynte në histori sidomos sepse në majin e 1950 në Paris, si Ministër i Jashtëm i Francës, i kishtte propozuar kolegëve të vendeve të tjera që të lidhnin marrëveshje të natyrës ekonomike dhe tregtare. Ky diskutim njihet akoma sot si “Deklarata Schuman” dhe konsiderohet si hapi i parë drejt integrimit europian (kërkojeni në YouTube: është një video mjaft emocionuese). Për këtë sot Robert konsiderohet si një prej Etërve Themelues të Bashkimit Europian.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Jean, që mbiemrin e kishte Monnet. Edhe ai, pak vite më parë, kishte deklaruar se shtetet europianë të vetëm qenë shumë të vegjël dhe, për pasojë, ishte e domosdoshme që të mblidheshin në një federatë.
Domethënë, Jean dhe Robert e mendonin njëlloj të ardhmen e Europës (më të shumtën e rasteve edhe lidhur me futbollin). Dhe për këtë në “Parkun e Princave” uleshin në tribunën e nderit midis drejtuesve të tjerë të Real Madridit – skuadrës që përfaqësonte monarkinë spanjolle – dhe ata të Stade de Reims (ndoshta sot emri nuk ju thotë asgjë, por në ato vite ishte ka mundësi skuadra më e mirë franceze, aq sa sapo kishte fituar kampionatin).
Të dy shtrënguan dorën e danezit Ebbe Schwartz, një njeri me shikim të sigurtë dhe me sy që i shkëlqenin gjithmonë, por atë ditë më shumë se zakonisht: ishte nervoz dhe i emocionuar si një 18 vjeçar në festën e tij!
Dy vite më parë, Ebbe kishte qenë një prej themeluesve të parë e organizatës së parë futbollistike europiane, UEFA-s, i së cilës i ishte edhe presidenti. Në rast se CECA dëshironte të bashkonte nën një flamur të vetëm ekonomitë kombëtare, UEFA synonte që ta bënte diçka të ngjashme në sportin e futbollit: të bëhej institucioni i ngarkuar për të drejtuar të gjithë lëvizjen futbollistike uropiane. Tashmë Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar prej shumë vitesh dhe doradorës shumë po fillonin të shijonin momente të qeta e të shkujdesura: në kinema dhe, natyrisht, nëpër stadiume.
Ato qenë vitet e Real Madridit (të Madh) të Alfredo Di Stefano, e Honvéd që magjepste në Hungari, e Milanit të mrekullueshëm e treshes sulmuese suedeze Gre-No-Li dhe e Wolverhampton, që në Angli do ta fitonte kampionatin 3 herë në vitet ‘50. Nga një shtet në tjetrin të Europës, udhëtonin me shpejtësi rrëfimet e yjeve të mëdhenj e futbollit europian dhe e skuadrave më të forta e më spektakolare. Dhe shumë kishin filluar të pyesnin se cila ishte skuadra më e mirë e Europës dhe a ekzistonte ndonjë mënyrë për ta zbuluar… kështu që UEFA kishte shpikur këtë turne të ri, Kupën e Kampionëve.
Kështu ishte arritur në atë ditë: në finalen e parë në historinë e Kupës së Kampionëve. Dhe ja pse atë pasdite Jean e Robert nuk do të mungonin për asnjë arsye në botë.
«Atëhere, çfarë mendoni? Besoni se mund të funksionojë kjo Kupë e Kampionëve?», i pyeti Ebbe të dy, pa e hequr shikimin përreth.
«Hëm, pse jo?».
«Nuk duket aspak keq…», ju përgjigjën ata. Dhe kushedi se çfarë do të kishin thënë po ta dinin se çfarë spektakli është bërë sot Champions League!
Ndërkohë, në fushën e blertë, Alfredo Di Stefano, që udhëhiqte sulmin e Real Madridit, i kishte dhënë dorën Raymond Kopa, yllit të Stade de Reims.
Pastaj arbitri anglez Arthur Edward Ellis fishkëlleu nisjen e ndeshjesh. Jean Monnet u ul dhe Robert Schuman u ul përkrah tij.
Reims e filloi si i çartur. Pas rreth 6 minutash, mesfushori francez Léon Gloëacki peshkoi brenda zonës së rreptësisë shokun e tij Michel Leblond, që fillimisht kontrolloi topin dhe më pas e gjuajti prapa krahëve të portierit Juan Alonso: 0-1.
Kaluan 4 minuta dhe Juan Alonso nuk arriti të kapë një top që po i vinte me ngadalë nga lart. Francezi Templin, pak hapa larg tij, përfitoi nga rasti, duke e goditur topin me majën e këpucës drejt portës bosh. Në minutën e 10 francezët udhëhiqnin 0-2.
«Rroftë Europa!», i shpëtoi Robertit në ekzaltim të plotë.
Ebbe shfryu. «Çfarë ideje e madhe ka qenë!», ulëriu më pas, edhe ai i ekzaltuar.
Kishte të drejtë: kishte kontribuar në organizimin e një turneu të madh e të vetëm të ajkës së futbollit europian. Ose thuajse. Sepse, siç kishte ndodhur edhe me Botërorin e 1930, Chelsea kishte vendosur ta dezertonte Kupën e Kampionëve dhe për të njëjtin motiv si atëhere: anglezët e kishin shpikur futbollin dhe nuk do ta ulnin veten sa të luanin me nxënësit e tyre!
Robert u zgjat drejt radhës së stolave përpara vetes, ku ishte ulur Numri Një i UEFA-s. «Po anglezët do të ndryshojnë ndonjëherë mendim?», e pyeti.
Por tamam në atë moment… «Kujdes Di Stefano!», ulëriu Jean.
Falë një të djathte nga pika e bardhë, ylli i Real Madridit kishte shënuar golin e 1-2.
Pak kohë përpara pushimit, një goditje me kokë e saktë e argjentinasit José Héctor Rial e çoi rezultatin në 2-2. Ndeshja po rezultonte plot me raste dhe me ndryshme të shpejta frontesh!
Kur arbitri vërshëlleu nisjen e pjesës së dytë, Stade de Reims e nisi në sulm. Dhe në 62’, Michel Hidalgo (që më pas do të bëhej komisari teknik i kombëtares franceze kampione e Europës më 1984, si edhe teoricieni i “Futbollit Shampanjë”, domethënë i një loje sulmuese, spektakolare dhe të guximshme) përfitoi një krosim në zemër të zonës së rreptësisë dhe, me një rrotullim të përkryer, e mundi portierin spanjoll. Reims ishte sërish në avantazh: 2-3.
Real Madridi nuk u dekurajua dhe në 6 minutat e mëpasme siguroi një seri të pafundme goditjesh nga këndi dhe goditjesh dënimi. Pas njërit prej inkursioneve të shumta brenda zonës së rreptësisë të Reims, topi përfundoi në këmbët e mbrojtësit Marquitos, që e gjuajti prapa krahëve të portierit francez René Jacquet. 3-3!
Rreth 40000 tifozët e pranishëm në Parkun e Princave qenë në delir.
Por qe vetëm në minutën e 79 kur me një gjuajtje të bërë nga më shummë se 1 metër nga vija e portës, madridasi José Héctor Rial fiksoi rezultatin përfundimtar, duke bërë të shpërthejë gëzimi i tifozëve spanjollë: 4-3 për Real Madridin (që në vitet e më pasme do ta fitonte turneun për 4 herë të tjera radhazi).
Në fund të ndeshjes kapiteni i Reald Madridit Miguel Muñoz e mori trofeun drejtpërsëdrejti nga duart e Ebbe. Dhe, për herë të parë, Kupa e Kampionëve u ngrit drejt qiellit.
Europa po ndryshonte, po afrohej me hapa të vogla drejt një të ardhmjeje më të bashkuar. Njëjtë edhe UEFA: qysh nga sezoni i ardhshëm 5 Kombe, midis të cilëve Anglia, do të garantonin pjesëmarrjen e një klubi të tyre në Kupën e Kampionëve. Dhe në vitin 1966 skuadrat do të arrinin të përfaqësonin 32 vende, përfshi Bashkimin Sovjetik.
(nga libri “Sfidare il cielo. Le 24 partite che hanno fatto la storia” i autorit Marco Cattaneo)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakA duhet të pini kafe para se të filloni stërvitjen?
Artikulli tjetërBerisha: Ben Blushi, Vjollca Hoxha dhe Stela Gugallja mafia plehrave dhe e inceneratorëve që kanë krijuar…